Jazexhi: Nëse vdes në burg imami Balla, mund të ketë akte ekstreme

Genci Balla, i dënuar nga drejtësia shqiptare për rekrutim të besimtarëve për qëllime terroriste, është prej 10 ditësh në grevë urie. I njohur ndryshe si imami i vetëshpallur i Unazës së Re, Balla është vendosur në regjimin “41 bis” dhe aktualisht ndodhet i shtruar në spitalin e burgut të Peqinit, në gjendje të rëndë shëndetësore.

Studiuesi i historisë islame, Olsi Jazexhi, në një intervistë për TvT, thotë se ka nisur një peticion për ndalimin e asaj që e quan torturë e shtetit mbi imamin Genci Balla. Jazexhi shprehet se imami Balla nuk përmbush kriteret për t’u izoluar në regjimin 41 Bis dhe paralajmëron akte të pakontrolluara nga besimtarët nëse ai humbet jetën në grevën e urisë.

Unë kam frikë se, nëse imam Genci Balla vdes, mund të kemi akte të pakontrolluara nga besimtarët dhe qytetarët që e kuptojnë fare mirë se çfarë po ndodh”, u shpreh ai në studion e TvT.

Jazexhi thotë se regjimi 41 bis është një sistem torture.

Ky sistem i mban ata në kafaz si kafshë të egra. Është një sistem burgosjeje që përmban në vetvete edhe njëfarë torture psikologjike dhe fizike kundër individit. Përveç izolimit që i kanë bërë këtij kleriku, i është refuzuar edhe ushqimi hallall. Refuzimi i ushqimit hallall e ka shtyrë të refuzojë çdo ushqim. Hoxha në fjalë ka shëndet të përkeqësuar dhe para 10 ditësh është dërguar në spitalin e burgut. Administrata refuzon që ta lejojë të marrë ushqime nga familja dhe ai po shkon drejt vdekjes. Për këtë kam kontaktuar me Burgun e Peqinit dhe Drejtorinë e Burgjeve”, tha ai.

Sipas Jazexhi, ndaj Ballës po ushtrohet torturë psikologjike.

Ka disa kërkesa nga të burgosur, që sipas konventave konsiderohen torutrë. Tortura është fizike, psikologjike, emocionale dhe fetare. Ndaj tij po bëhet torturë psikologjike. Familjarët kërkojnë t’i dërgojnë disa libra dhe drejtoria i refuzon edhe librat. Nëse kjo situatë vazhdon kështu, ndoshta për pak javë ne mund të shohim vrasjen (vdekjen) e tij. Sistemi 41 Bis është jashtëzakonisht i tmerrshëm. Në shekullin që ne jetojmë, implementimi i këtij lloj burgimi është i tmerrshëm. Imami në fjalë nuk është rasti për t’u mbyllur në sistemin 41 Bis”, tha ai.

Jazexhi tha më tej se Balla është dënuar me urdhër të SHBA-ve.

Ai është një i burgosur politik i dënuar në vitin 2014 me urdhër të Departamentit të Shtetit Amerikan.  Ne kemi një kamp paraushtarak muxhahedinësh dhe qeveria nuk implementon ligjin kundër tyre. Ndërsa naivët shqiptarë i ka dënuar dhe urrejtja e tyre vazhdon edhe tani që janë në burg”, tha ai.

Jazexhi akuzoi qeverinë dhe ministrin e Brendshëm, Sandër Lleshaj, për mohimin e së drejtës së protestës dhe sipas tij, diskriminimin e komunitetit mysliman.

Para dy javësh kam ndërmarrë një peticion ku mbi 3 600 qytetarë kanë nënshkruar.  Edhe regjimi i Enver Hoxhës nuk bëri ndaj klerikëve katolikë atë që po bën Rilindja ndaj klerikëve myslimanë. Javën e kaluar, unë me një grup besimtarësh donim të dorëzonim peticionin pranë autoriteteve shtetërore. Vetëm me një njoftim, unë dhe 40 besimtarë u rrëmbyem dhe u shoqëruam në ambientet e policisë.

Nëse vdes imam Genci Balla nuk bëjmë dot asgjë, pasi jemi të intimiduar nga policia. Nuk na lënë as të qajmë po e vranë me tortura. Ata po e çojnë drejt vrasjes, ne i akuzojmë për torturë. Ne po sinjalizojmë organizatat e mbrojtjes së të drejtave të njeriut brenda dhe jashtë vendit. Unë nuk kam kërkuar lirimin e tij, por ndalimin e torturës. Qeveria e Rilindjes, ministri i Brendshëm dhe ministrja e Drejtësisë janë direkt fajtorë që nuk po reagojnë. Rama është fondamentalist katolik së bashku me ministrin e Brendshëm. Bashkë me ministren e Drejtësisë po targetojnë komunitetin mysliman dhe ortodoks”, tha ai, duke paralajmëruar se një gjë e tillë mund të nxisë akte ekstreme./tvt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne