Rajoni

Jep dorëheqje prokurori special që ndoqi rastet e terrorizmit, shkak kërcënimet

Prokurori i Prokurorisë Speciale të Kosovës, Elez Blakaj, ka dhënë dorëheqje nga Prokuroria para dy ditësh.
Lajmin për dorëheqjen e tij e ka konfirmuar kryeprokurori i Speciales, Reshat Millaku.

“Me datën 13 gusht kemi pranuar njoftimin për dorëheqjen e prokurorit Blakaj. Arsyet nuk i dimë”, ka thënë shkurt ai.

Megjithatë, disa burime brenda institucioneve të drejtësisë kanë bërë të ditur se Blakaj ka dhënë dorëheqje për shkak të kërcënimeve, që i ka pranuar gjatë punës së tij si prokuror.

“Blakaj vazhdimisht është ankuar se ka pranuar kërcënime gjatë kryerjes së detyrës së tij. Është ankuar edhe për mosofrim të mbrojtjes institucionale”, ka thënë ky burim.

Ndryshe, Elez Blakaj, në vitet e fundit, ka ndjekur disa nga rastet që ndërlidheshin me terrorizëm. Ai kishte ngritur aktakuzë të ngjashme edhe ndaj imamit kontrovers Shefqet Krasniqi, dhe grupeve e individëve të ndryshëm radikal, shkruan Gazeta Express.

Blakaj, po ashtu, akuzoi për rekrutim të terroristëve edhe ish-imamin gjilanas Zekria Qazimi dhe grupin e tij. Të njëjtit janë të dënuar për këto akuza, me vendim të plotfuqishëm, nga gjykata.

Burimi: Gazeta Express

OPINIONE