Jeremy Corbyn, e ka quajtur qeverinë e kryeministres May “qeveri fantazmë” dhe kërkon zgjedhje të parakohshme

Lideri i Partisë Laburiste, Jeremy Corbyn, e ka quajtur qeverinë e kryeministres May “qeveri fantazmë” e cila nuk mund ta qeverisë shtetin dhe ka kërkuar që vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme.

Përderisa po e hapte debatin parlamentar për mocionin e mosbesimit, Corbyn tha se gjëja e duhur që duhet ta bëjë qeveria është të dorëhiqet për shkak të humbjes historike në votimin e marrëveshjes për tërheqjen e Britanisë së Madhe nga Bashkimi Evropian. Në anën tjetër, kryeministrja ka thënë se zgjedhjet thjesht nuk janë në interesin e vendit.

Pritet që votimi për rrëzimin e qeverisë në kuvend të mbahet sonte rreth orës 19. Mocioni i kreut të opozitës mbështetet edhe nga deputetët e partisë “SNP”, liberalë-demokratët dhe Partia e Gjelbër. Sidoqoftë, disa figura të rëndësishme të laburistëve kanë thënë se ky votim ka pak gjasa të shënojë sukses për shkak se kryeministrja gëzon mbështetje nga shumica e deputetëve konservatorë dhe disa parti tjera të vogla.

Kryeministrja May ka thënë se është e gatshme t’i dëgjojë qëndrimet e deputetëve që do ta mundësonin identifikimin e kërkesave për ta mbështetur marrëveshjen. Ajo ka ofruar mbajtje të negociatave mes partive politike për ta gjetur një zgjidhje të pranueshme nga të gjithë, shkruan “BBC”.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne