Jeruzalem: Vriten dy policë izraelitë gjatë një sulmi të armatosur

Dy policë izraelitë u vranë pasi persona të armatosur palestinezë thuhet se hapën zjarr pranë kompleksit të xhamisë Al Aksa në Qytetin e Vjetër të Jeruzalemit, përpara se edhe ata të vriteshin në një përleshje me armë.

Policia izraelite tha se tre persona të armatosur hynë në një nga portat pranë kompleksit të xhamisë Al Aksa, hapën zjarr dhe u arratisën drejt xhamisë ku u vranë nga policët të premten.

Policia izraelite më vonë urdhëroi mbylljen e kompleksit, duke thënë se nuk do të ketë lutje në këtë xhami të premten.

Harry Fawcett i Al Jazeera, duke raportuar nga Jeruzalemi, tha se palestinezët thuhet se qëlluan kundër forcave izraelite të sigurisë pranë Portës së Luanit në Qytetin e Vjetër.

“Të tre sulmuesit ishin të armatosur me dy mitralozë, një pistoletë dhe një thikë, sipas policisë izraelite,” raportoi Fawcett.

“Më pas, ata u ndoqën brenda kompleksit të xhamisë së Al Aksa. Në oborrin e kompleksit u zhvillua një betejë e fundit armësh midis personave të armatosur dhe forcave izraelite të sigurisë.

“Menaxhuesit e xhamisë Al Aksa thanë se trupat e dy palestinezëve ishin brenda oborrit të kompleksit,” raportoi Fawcett.

Presidenti palestinez Mahmud Abbas foli me telefon të premten me kryeministrin izraelit Benjamin Netanjahu dhe dënoi të shtënat, tha agjensia palestineze e lajmeve Wafa.

“Presidenti shprehu mospranimin e tij të fortë dhe dënimin e incidentit që ndodhi në xhaminë Al Aksa, si dhe mospranimin e tij për çdo incident të dhunshëm nga çdo anë, veçanërisht në vendet e adhurimit”, tha Wafa.

Abbasi i bëri thirrje Netanjahut që t’i japë fund mbylljes së vendit të shenjtë. Netanjahu e siguroi Abbasin që status-kuoja e vjetër e kompleksit, e cila u jep muslimanëve të drejta ekskluzive të lutjes, do të ruhet, tha Wafa.

“Tensionet mund të rriten”

Kompleksi antik me mermer dhe gur strehon xhaminë Al Aksa, vendin e tretë më të shenjtë të Islamit dhe Kupolën e Shkëmbit të shekullit të 7-të. Mijra vetë luten aty çdo të premte.

Muri perëndimor i kompleksit, i njohur gjithashtu si Muri i Vajtimit, konsiderohet vendi më i shenjtë në judaizëm.

“Është hera e parë prej vitesh që kompleksi mbyllet për lutjet e së premtes. Natyrisht kjo ka potencialin të rrisë tensionet mes rreth 10,000 palestinezëve që normalisht vijnë këtu për adhurim”, tha Faëcett.

Pas incidentit, qasja në Qytetin e Vjetër ishte i kufizuar.

Dhjetra banorë palestinezë prisnin në diell që t’u lejohej hyrja në Qytetin e Vjetër.

Um Nidal, e cila jeton në Bab Huta – një lagje në zonën muslimane – tha se ajo ka pritur më shumë se tre orë me fëmijën e saj, e cila është 16 muajshe.

“Unë kam qenë duke pritur këtu që nga ora 11:30, policia nuk më lejon (të hyj) dhe më ka shtyrë tutje,” tha ajo.

Adham Asfour, 30 vjeç, tha gjithashtu se nuk ishte në gjendje të kthehej në shtëpi.

“Nuk kemi zgjidhje tjetër përveçse të presim këtu derisa të na lejojnë të kalojmë,” tha ai për Al Jazeera.

Me xhaminë e mbyllur, qindra palestinezë u falën pranë Portës së Damaskut.

Policia arrestoi Muhamet Ahmed Hussein, muftiun e madh të Jeruzalemit dhe autoritetin më të lartë islamik të qytetit, pasi ai drejtoi lutjet, tha Azzam el Khatib, drejtor i organizatës fetare Al Awqaf.

Husseini më herët kishte kundërshtuar mbylljen e xhamisë.


“Ndalimi i namazit të së premtes është një proçedurë e padrejtë’, tha për Al Jazeera Sheikh Omar Keswani, një zyrtar fetar në Al Aksa.

“Ajo që ndodhi më herët, tani është duke u shfrytëzuar nga Izraeli për të imponuar një realitet të ri në xhaminë Al Aksa,” shtoi Keswani.

Haj Khalil Abu Elsheikh, 77 vjeç, kishte udhëtuar 100 km nga Beer-sheva për të ndjekur namazin e së premtes në xhaminë Al Aksa.

“Asnjë fe nuk e lejon këtë,” tha ai, duke iu referuar lutjes në cep të rrugës. “Asnjë besim nuk e pranon këtë.”


Në një incident tjetër të premten, forcat izraelite vranë një 18-vjeçar palestinez gjatë një bastisjeje në kampin e refugjatëve në Dheisheh në jug të Betlehemit në Bregun e pushtuar Perëndimor.

Forcat izraelite arrestuan dy palestinezë gjatë bastisjes, thanë burimet për Al Jazeera.

Që nga shtatori i vitit 2015, forcat izraelite kanë vrarë më shumë se 254 palestinezë, shumica prej të cilëve Izraeli ka thënë se kanë qenë sulmues.

Në të njëjtën periudhë, sulmuesit palestinezë kanë vrarë 43 izraelitë, dy amerikanë vizitorë dhe një turist britanik. / © Gazeta Impakt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne