Opinion

John Bolton kërkon ndryshimin e regjimit në Iran, të njejtën gjë që dëshiron edhe kulti që e paguan

nga Jason Rezaian.

Emërimi i John Boltonit nga Presidenti Trump si këshilltar i ri i sigurisë kombëtare ka shkaktuar reagime të ndryshme në mesin e ekspertëve të politikës së jashtme. Ai njihet për skepticizmin ekstrem në lidhje me institucionet ndërkombëtare (përfshirë Kombet e Bashkuara, ku ai shërbeu si ambasador i SHBA-së gjatë administratës Xhorxh W. Bush). Ai ka qenë mbrojtës i një lufte kundër Koresë së Veriut dhe në mënyrë të përsëritur ka propozuar “ndryshimin e regjimit” (dmth luftën) të Teheranit.

Meqë levizja e fundit është një nga çështjet më të ndërlikuara të administratës Trump, ia vlen që ta shohim më nga afër.

Pikëpamjet agresive të Boltonit ndaj Iranit pasqyrojnë ato të Izraelit, Arabisë Saudite dhe një prej partnerëve të tij ideologjikë, Muxhahidin el-Khalq (MEK).

Sot, MEK ka pak ngjashmëri me forcën e organizuar opozitare mjaft të fuqishme, që ekzistonte në Iran gjatë revolucionit të vitit 1979 kur kërkonte të rrëzonte shahun. Fillimisht organizata bashkëpunoi me qeverinë klerike iraniane. Në fakt, shumë prej femijëve të zyrtarëve të lartë të Republikës Islamike iu bashkuan MEK-ut.

Kur u bë e qartë se MEK nuk mund të bashkëjetonte me qeverinë islamike qeverisëse, disa anëtarë të MEK-ut u tërhoqën nga grupi, ndërsa shumë të tjerë u burgosën. Ose do duhej që ti ktheheshin jetës normale shoqërore ose mund të përballeshin edhe me ekzekutime.

Një pjesë që mbetën u arratisën në Irak pasi Sadam Huseini i cili sulmoi Iranin në vitin 1980, u ofroi atyre strehim. Shumë prej tyre ngritën armët dhe luftuan kundër bashkatdhetarëve iranianë, duke fituar në këtë mënyrë emrin munafikin ose “hipokritët”. Shumica e iranianëve brenda Iranit, pavarësisht nga tendencat e tyre politike, iu referohen atyre me emrin munafikin.

Grupi urrehet nga shumica e iranianëve, kryesisht për veprimet tradhtare gjatë luftimeve kur ata u bashkuan me armikun.

Por gjatë këtyre dekadave, janë veprimet e grupit ato që e kanë ndryshuar reputacionin e grupit, të cilat kanë bërë që grupi të duket nje kult i cmendur. Për dekada të tëra qendra e komandës ishte një kompleks në provincën Diyala në Irak, ku më shumë se 3.000 anëtarë jetonin në një robëri virtuale. Pak prej tyre që arritën të largoheshin thanë se i kishin ndarë nga njerzit e tyre të zemrës, i kishin detyruar të martoheshin pa dëshirë, u kishin bërë lavazh truri, i kishin abuzuar seksualisht dhe i kishin torturuar.

E gjithë kjo bëhej nën mbikëqyrjen e Massoud dhe Maryam Rajavit, liderët në krye të piramidës së organizatës. Massoud rezulton i zhdukur dhe mendohet se ka vdekur që në vitin 2003 kur Iraku u pushtua nga SHBA. Bashkeshortja e tij, Maryam Rajavi drejton sot grupin duke u shfaqur rregullisht në publik me miqtë e saj të fuqishëm perëndimorë si Boltoni.

Grupi ka ekzistuar për një kohë të gjatë në listën e terrorit të Departamentit të Shtetit Amerikan për vrasjen e qytetarëve amerikanë. Bolton dhe të tjerë lobuan me sukses që të hiqet emri nga lista në vitin 2012. Kjo levizje nuk e ndryshoi opinionin qe kanë iranianët e zakonshëm për organizatën.

Gjatë shtatë viteve që kam jetuar në Iran, kam parë se shumë njerëz shprehnin kritika ndaj institucioneve në pushtet, një rrezik i madh për veten e tyre. Disa shpresonin që regjimi të ndryshonte me forcën ushtarake, të tjerët ëndërronin për një kthim të monarkisë ndërsa shumë më tepër donin të shihnin një tranzicion paqësor drejt një alternative sekulariste. Megjithatë, gjatë gjithë kohës, asnjëherë nuk takova ndonjë person që mendonte se alternativa e duhur dhe më besueshme të ishte MEK.

Por me sa duket kjo nuk ka rëndësi shumë për mbështetësit në Uashington.

Natyrisht që ata paguhen për besnikërinë e tyre. “Shumë pak nga ish-zyrtarët e qeverisë amerikanë kanë shpërndarë ndihma për MEK,” tha një ish-zyrtar i Departamentit të Shtetit i cili ka punuar në Iran. Midis listës së gjatë dypartiake të njerëzve që kanë marrë para nga grupi në këmbim për të folur në ngjarjet e tij janë ish-kryetari i bashkisë së Nju Jorkut, Rudy Giuliani dhe ish-kryetari i Komitetit Kombëtar Demokratik, Howard Dean. Ish zyrtari më tha se edhe Boltoni është paguar gjithashtu.

Përpjekjet e tyre të shumta nuk arritën që të bllokonin marrëveshjen bërthamore me Iranin. Pavarësisht listës së gjatë të veprimeve jo të mira që Teherani ende vazhdon të bëjë, kërcënimi më i madh që Irani paraqiste për sigurinë ndërkombëtare u zgjidh.

Bazuar në vlerësimet e Shteteve të Bashkuara dhe ato të Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike, Irani sot duket se është në përputhje me marrëveshjen bërthamore.

Për ata që pretendojnë se marrëveshja bërthamore nuk funksionon, ndryshimi i regjimit mbetet e vetmja zgjidhje. Për MEK-un dhe Boltonin, rruga e vetme mbetet lufta. Grupi prej kohësh ka qenë i përgatitur për të bërë gjithçka që duhet bërë për luftën, duke përfshirë këtu edhe paraqitjen e informacioneve të rreme mbi programin bërthamor të Iranit.

Një nga përfitimet e negociatave tona të zgjatura me Iranin janë edhe njohuritë e mëdha që kemi fituar për Republikën Islamike dhe për popullaritetin me të cilin ajo sundon. Është një luks të cilin nuk e kishim në vitin 2003, kur personalitetet në mërgim si Ahmed Chalabi ishin në gjendje të bindnin administratën Bush se mund të ndihmonin në tranzicionin e Irakut drejt demokracise së zhvilluar.

Ne kemi njohuri te mjaftueshme mbi Iranin dhe nuk mund ta mashtrojmë veten duke menduar se MEK mund të ofrojë ndonjë alternativë më të mirë kundrejt regjimit aktual.

MEK është lloji i grupit ekstrem i cili e ngre kampin përgjatë bulevardit Pennsylvania 1600 dhe nxjerr prova të mbushura me pretendime të pabaza. Kjo është Amerika, ku njerzit e cmendur ne i lemë që të flasin. Kjo është e drejta e tyre dhe unë kurrë nuk do të sugjeroja që ata të ndaloheshin për ta bërë këtë. Por që MEK-ut ti jepet një zë brenda Shtëpisë së Bardhë është një ide e tmerrshme.

Tek John Boltoni ata kanë njeriun që do ta bëjë këtë./washingtonpost/Gazeta Impakt

OPINIONE