Jordania i dërgon “notë proteste” Izraelit për inkursionet e kolonëve në Al-Aksa

Jordania i dërgoi një notë proteste Izraelit për shkak të inkursioneve të kolonëve hebrenj në kompleksin e Xhamisë Al-Aksa në Kudsin Lindor të pushtuar.

Më shumë se 1.000 kolonë izraelitë u futën me forcë në kompleks sot në ditën e pestë të festës hebraike Sukkot, e cila do të përfundojë më 6 tetor.

Në një deklaratë, Ministria e Jashtme jordaneze tha se nota e protestës iu dërgua Ambasadës izraelite në Aman kundër “inkursioneve të fanatikëve, kolonëve dhe anëtarëve të Knessetit në Xhaminë e Shenjtë Al-Aksa nën mbrojtjen e policisë”.

Jordania gjithashtu ka shprehur kundërshtimin e saj ndaj “kufizimit të aksesit të besimtarëve në xhami, përdhosjes së varreve islame dhe sulmeve në rritje ndaj të krishterëve në Kudsin e pushtuar”.

“Izraeli, si fuqi pushtuese, duhet t’u përmbahet detyrimeve të tij sipas ligjit ndërkombëtar në lidhje me qytetin e Kudsit dhe objektet e tij fetare, veçanërisht Xhaminë Al-Aksa”, tha zëdhënësi i ministrisë Sufian Qudah.

Zëdhënësi i bëri thirrje Izraelit të ndalojë çdo veprim që mund të minojë shenjtërinë e këtyre vendeve të shenjta dhe të ndërpresë çdo përpjekje për të ndryshuar statusin historik dhe ligjor të Kudsit.

“Në notë përsëritet se Xhamia Al-Aksa, me gjithë sipërfaqen e saj prej 144 dynymësh, është vetëm një vend adhurimi për muslimanët”, theksoi Qudah.

“Administrata e Çështjeve të Vakëfeve dhe Al-Aksasë në Kuds, e drejtuar nga Jordania, ka autoritet ekskluziv mbi të gjitha çështjet që lidhen me vendin e shenjtë dhe aksesin e tij”, shtoi ai.

Jordania ka qenë kujdestari zyrtar i vendeve të shenjta muslimane dhe të krishtera në Kuds që nga viti 1924 dhe është vlerësuar publikisht si kujdestari i vendeve të shenjta të Kudsit.

Xhamia Al-Aksa është vendi i tretë më i shenjtë në botë për muslimanët. Hebrenjtë e quajnë këtë zonë “Mali i Tempullit”, duke pretenduar se ishte vendi i dy tempujve hebrenj në kohët e lashta.

Izraeli pushtoi Kudsin Lindor, ku ndodhet Al-Aksa, gjatë Luftës Arabo-Izraelite të vitit 1967. Ai aneksoi të gjithë qytetin në vitin 1980, një hap që nuk u njoh kurrë nga komuniteti ndërkombëtar./AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne