Jordania thërret ambasadoren suedeze në MPJ për të protestuar kundër djegies së kopjes së Kuranit.

Akte të tilla nuk mund të justifikohen fare në kontekstin e lirisë së shprehjes”, ka thënë Ministria e Jashtme jordaneze.

Ministria e Punëve të Jashtme e Jordanisë thërriti sot ambasadoren e Suedisë në Aman, Alexandra Rydmark, për të protestuar kundër djegies së librit të shenjtë Kuranit në Stokholm nën mbrojtjen e policisë lokale, transmeton Anadolu.

Ministria në një deklaratë “dënoi djegien e një kopje të Kuranit të Shenjtë si një akt racist i urrejtjes serioze dhe manifestim i islamofobisë që nxit dhunë dhe fyerje ndaj feve”.

“Akte të tilla nuk mund të justifikohen fare në kontekstin e lirisë së shprehjes”, ka thënë ministria, duke përsëritur refuzimin dhe dënimin e akteve të tilla, të cilat konsiderohen “krim dhe provokim ndaj ndjenjave të më shumë se dy miliardë muslimanëve në botë”.

Të mërkurën, në ditën e parë të Kurban Bajramit, një person i identifikuar si Salwan Momika dogji një kopje të Kuranit nën mbrojtjen e policisë përpara xhamisë së Stockholmit.

Më 12 qershor, gjykata suedeze e apelit la në fuqi vendimin e gjykatës së ulët për të anuluar ndalimin e djegies së Kuranit, duke vendosur se policia nuk kishte baza ligjore për të parandaluar dy protesta për djegien e Kuranit në fillim të këtij viti.

Në shkurt, policia refuzoi të lejojë dy përpjekje për djegien e Kuranit, duke përmendur shqetësimet e sigurisë, pasi politikani danez i ekstremit të djathtë Rasmus Paludan dogji një kopje të Kuranit para ambasadës turke në Stokholm në janar të këtij viti.

Më vonë, dy persona që u përpoqën të organizonin protesta provokuese përpara ambasadës së Irakut dhe Türkiyes në Stokholm, apeluan vendimin.

Në prill, Gjykata Administrative e Stokholmit e ndryshoi vendimin, duke vendosur se rreziqet e sigurisë ishin të pamjaftueshme për të kufizuar mundësinë e protestave./AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne