Ish-deputeti socialist Jurgis Çyrbja, do të përballet sot për herë të parë me prokurorët e Prokurorisë së Posaçme që pas arrestimit.
Çyrbja dyshohet për korrupsion në zgjedhje, tregtim të sekretit shtetëror e përkrahje të autorit të krimit.
Çyrbja pritet të japë shpjegime sot në praninë e avokatit mbrojtës dhe më pas prokurorët e posaçëm do të thërrasin dhe marrin në pyetje të gjithë personat të cilët kanë dalë nga komunikimet e Jurgis Çyrbjas dhe personave të tjerë të identifikuar deri më tani.
Nga zbërthimi i bisedave në SKY ECC, u zbulua se në favor të votave për tu zgjedhur si deputet në qarkun Durrës në zgjedhjet e 2021, Çyrbja, informonte bosë të krimit për operacionet policore me qëllim që ata të mos arrestoheshin. Ndërkohë që Edmond Koçi, i njohur si Mond Çekici, i cili u ekzekutua në 2021 dhe Altin Hajri, i shumëkërkuar për rrëmbimin e zhdukjen e Jan Prengës kanë ndikuar sipas SPAK pranë zyrtarëve socialistë që emri i Çyrbjas të ishte në listë të sigurt për deputet.
Ish-deputeti do të japë shpjegime se kush e propozoi emrin e tij për deputet dhe në ç’mënyrë i siguroi dokumentet sekrete që ua shpërndante njerëzve të krimit.
Jurgis Çyrbja ndërkohë është marrë I pandehur po nga SPAK për shpërdorim detyrë lidhur me 4 praktikë pronash gjatë kohës që drejtonte hipotekën e Durrësit.
Të pandehur për këtë çështje janë marrë edhe ish-kryetari I komunës Rrashbull, Hysen Gashi, si dhe ish-zyrtarët Ervis Mustafa, Qamil Lila, Edlira Çollaku dhe Elda Doçi./BW