A ka arsye Prokuroria të arrestojë deputetin Tahiri

FITIM ZEKTHI*

Si në shumë raste të tjera debatesh të ashpra politike, debati për lejimin e arrestimit të deputetit Saimir Tahiri u tjetërsua aq shumë, sa njerëzit, analistët, gazetarët, si edhe politikanët u ndanë në dy palë, jo për shkak të bindjeve mbi çfarë ishte e vërteta, por të interesit politik apo çfarëdo qoftë. Ishin të rrallë ata që u përfshinë në këtë debat me mendimin e tyre, pavarësisht palës.

Pala e pushtetit, madje, ndërroi vetë qëndrimin mbi lejimin e arrestimit të deputetit Tahiri. Në fillim Kryeministri Rama shprehu neverinë për atë që dëgjoi në përgjime dhe tha se drurë të shtrembër kishin edhe ata, duke nënkuptuar qartë se do të miratohej kërkesa e Prokurorisë. Qëndrimin e Ramës, ia përcolli Grupit Parlamentar, kryetari i tij Taulant Balla, i cili tha se PS nuk do të bëhet kurrë pengesë për asnjë hetim. Më pas, PS ndryshoi qëndrim duke dëshmuar se në asnjë rast ajo nuk ishte nisur nga e vërteta apo e drejta. Në fillim ajo u përpoq të distancohej, të shfaqej si forcë që lufton krimin dhe të hidhte nënë rrota deputetin Tahiri.

Më pas, po për interesa që nuk kanë të bëjnë me të drejtën dhe të vërtetën, ajo mori qëndrimin në mbrojtje të tij. Partia Demokratike pa te përgjimet e Tahirit konfirmimin e një beteje të saj më shumë se katërvjeçare, teksa kishte akuzuar vazhdimisht për lidhje të tij me krimin, për lidhje të qeverisë me krimin, për kanabizim, blerje votash etj. Një polarizim kaq i madh në debat apo qëndrime e bën të pamundur të shihet e vërteta, e cila mund të jetë diku në mes apo në njërën nga anët, pavarësisht se anët nuk nisen të gjejnë të vërtetën.

Një përpjekje për të parë të vërtetën është të shkojmë te çështja e imunitetit parlamentar dhe duke analizuar atë, mund të shmangim tymin sterrë që prodhon debati dhe errëson pamjen. Imuniteti parlamentar ofron mbrojtje në dy drejtime për deputetët: njëra është mbrojtje nga hetimi, dënimi apo ndjekja penale për ato që ai thotë në diskutimet në Parlament, dhe tjetra është mbrojtja nga ndjekja, hetimi dhe arrestimi për një krim që ai ka kryer. Imuniteti parlamentar, ndonëse njihet që në Romën e vjetër ku senatorët kishin një mbrojtje të posaçme, rrënjët e tij i ka në traditën anglosaksone.

Në shekullin e 14-të, në Angli anëtarët e Parlamentit ishin të lirë të flisnin dhe diskutonin në debatet parlamentare si të donin dhe ata nuk mund të merreshin në pyetje apo të niste një procedurë shkarkimi në një vend tjetër, veç Parlamentit. Në vitin 1689, kjo normë u përfshi në “Kartën e të Drejtave” në Angli.

Ndërkaq, Anglia ka një traditë të njohur edhe në mbrojtjen e deputetëve për një krim që ata mund ta kenë kryer, e cila thotë se deputetët “mbrohen nga arrestimi” në disa raste të veçanta. Njëqind vjet pas Kartës së të Drejtave në Angli, kjo traditë mori formë të shkruar në Kushtetutën e SHBA-ve, e cila thotë se “anëtarët e Kongresit janë të mbrojtur nga arrestimi – përveç rasteve të tradhtisë, krimeve serioze dhe prishjes së paqes,- gjatë pjesëmarrjes në sesion në secilën nga dhomat (e përfaqësuesve apo senat) dhe gjatë vajtjes apo kthimit për në shtëpi nga Kongresi…” Pra anëtarët e Kongresit mund të arrestohen pa leje të Kongresit për akuzën e tradhtisë, atë të krimeve serioze (që përfshin vrasjet, vjedhjet me dhunë, përdhunimin etj.) dhe thyerjen e paqes që mund të jetë nxitje për dhunë, prishje e rendit publik, demonstrata të paligjshme etj.

Për akuza apo krime të tjera duhet leja nga Kongresi. Më e rëndësishme sesa renditja e krimeve për të cilat kryhet arrestimi pa leje apo me leje të Kongresit është arsyeja doktrinore e këtij neni në Kushtetutën e SHBA-ve. Laurence Tribe, një konstitucionalist i njohur amerikan, thotë se ky lloj imuniteti nuk i takon anëtarit të Kongresit, por institucionit.

Në traditën anglosaksone, që në shekullin e 14-të, për të mos lejuar Mbretin të pengojë mbledhjen e Parlamentit duke urdhëruar gjykatat të arrestojnë deputetë, u pengua arrestimi i deputetëve kur ata janë nisur nga shtëpia e tyre për në Parlament dhe në kthim për në shtëpi.

Pra, tradita anglosaksone mbron Parlamentin nga Mbreti, mbron mbledhjen e tij në seancë, mbron kuorumin e Parlamentit nga prishja e këtij nga kuorumi nga mbreti me anë të arrestimit të deputetëve. Për këtë shkak edhe Kushtetuta e SHBA-ve thotë tekstualisht se “ndalohet arrestimi i kongresmenëve gjatë pjesëmarrjes në sesion dhe gjatë rrugës për në Kongres apo kthimit në shtëpi, përveç rasteve të tradhtisë, krimeve serioze dhe thyerjes së paqes…”.

Kjo pasi mund të ndodhë që Gjykata apo Mbreti arreston një, disa apo shumë deputetë, sa për të prishur balancën parlamentare që aty të merret vendimi që ai do. Të nesërmen deputeti mund të lirohet, por vendimi në Parlament u mor. Pikërisht për këtë shkak tradita anglosaksone i ka lënë Parlamentit të drejtën që të japë leje për arrestim. Veç traditës anglosaksone, ka edhe një traditë tjetër të imuniteteve. Është tradita që buron nga Asambleja Kombëtare e Francës në vendimin e saj të 23 qershorit të vitit 1789, i cili thotë se “ personi anëtar i asamblesë nuk mund të preket nga asgjë.”

Bëhet fjalë për asamblenë që lindi në revolucionin e frikshëm jakobin, e cila me anë të këtij akti për imunitetin synonte të tregonte superioritetin e saj mbi organet e tjera, të cilat nuk ishin ende revolucionare. Gjithashtu, akti kërkonte t’i jepte mbrojtje të plotë anëtarëve të Asamblesë në një kohë trazirash dhe dhune ekstreme. Europa, dhe pas viteve 1990 Europa Lindore dhe ajo Qendrore kanë zgjedhur për arsye kulturore dhe historike modelin francez.

Sigurisht që imuniteti sot në Europë nuk është ai i kohës së revolucionit jakobin, por gjithsesi imuniteti është shumë më i fortë sesa ai në traditën anglosaksone. Për të kuptuar se sa shumë ka ndryshuar koncepti mbi imunitetin në Europë, po themi që Parlamenti europian i hoqi imunitetin kryetares së partisë Fronti Kombëtar, Marinë Le Pen, këtë vit, pas një kërkese të Prokurorisë franceze.

Prokuroria franceze nuk paraqiti prova në Parlamentin europian, por vetëm një kërkesë, ku tha se Le Pen ka publikuar krime të mynxyrshme të ISISit në llogarinë e saj në Instagram dhe kjo u pa si nxitje e dhunës dhe ekstremizmit. Po ashtu, Parlamenti i Saksonisë në Gjermani i hoqi imunitetin drejtueses së partisë AFD, Frauke Petry, sepse ajo akuzohej se i kishte kërkuar një anëtari të partisë që të financojë partinë, ndryshe nuk do ta kandidonte. Edhe në këtë rast Prokuroria nuk shkoi në Parlament dhe të debatonte me deputetët për provat, por paraqiti kërkesën.

Shqipëria, e cila mori një nismë për të hequr imunitetin e deputetëve disa vite më parë, zgjodhi variantin anglosakson, duke i dhënë Parlamentit vetëm të drejtën për të dhënë leje për arrestim dhe për kontroll banese. Pra, sot Shqipëria nuk lejon arrestimin e një deputeti (veç rasteve flagrante) duke e menduar këtë mbrojtje si mbrojtjen ndaj institucionit. Ligji jonë thotë se Parlamenti nuk lejon arrestimin e deputetit kur kërcënohet mbledhja e tij në seancë, kur kërcënohet mbarëvajtja e tij, kur kërcënohet kuorumi.

Pra, Parlamenti nuk duhet ta lejojë Prokurorinë dhe Gjykatën të prishë balancën parlamentare apo vendimmarrjen e Parlamentit. Nuk ka mbrojtje për deputetin. Ndërkohë, Parlamenti shqiptar bëri të kundërtën. Ai përmbysi qëllimin e të drejtës së tij për të dhënë ose jo lejen, duke dalë në mbrojtje të deputetit. Është kjo arsyeja pse prokuroritë në Europë sot (në SHBA po e po) nuk shkojnë fare në debate në Parlament me deputetë, por thjesht paraqesin kërkesën.

Ka gati njëzet vite që nuk ka asnjë kërkesë të refuzuar nga parlamente në Europë dhe SHBA. Edhe vetë PS më herët (rasti Doshi apo Frroku) ka vepruar ndryshe. Sot kërkesa të refuzuara ka në Panama, Guatemala dhe Shqipëri./ panorama

*Pedagog i Shkencave Politike, UET.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne