Kalin: Vizitat e Turqisë në Afrikë synojnë zhvillimin e kontinentit, jo kolonizimin e tij

Zëdhënësi dhe nënsekretari i përgjithshëm i Presidencës së Turqisë, Ibrahim Kalin, deklaroi të premten për Agjencinë Anadolli (AA) se Turqia do t’i vazhdojë punimet e saj në ishullin Suakin të Sudanit për rehabilitimin e plotë të tij.

Duke folur në lidhje me vizitën e Presidentit Recep Tayyip Erdogan në Sudan, Çad the Tunizi, Ibrahim Kalin tha se vizitat në Afrikë nuk bëhen për synime kolonizimi dhe për interesa të njëanshme, por për të zhvilluar marrëveshje, marrëdhënie dhe politika që do të mundësojnë zhvillimin e Afrikës.

Ai theksoi se frytet e këtij synimi tanimë kanë filluar të shihen, ndërsa shtoi se numri i ambasadave turke në Afrikë është aktualisht 39 dhe në vitin 2018 planifikohet të rritet në 41.

Pasi vuri në pah se vëllimi tregtar mes Turqisë dhe Afrikës po rritet çdo ditë e më shumë, Kalin vijoi me këto fjalë: “Institucionet tona janë duke zhvilluar punime intensive në kontinentin e Afrikës, sepse e ardhmja është në Afrikë. Ne e shohim këtë dhe nuk e kemi luksin ta humbasim këtë të ardhme:”

Zëdhënësi tha se vizitat në Sudan dhe Çad ishin të parat në nivel presidencial, gjatë të cilave janë bërë hapa për rritjen e vëllimit tregtar dypalësh.

“Aktualisht ai (vëllimi tregtar) arrin në mbi 400 milionë dollarë, por ne e vlerësojmë këtë të pamjaftueshme. Ka potencial pas heqjes së sanksioneve ndaj Sudanit”, tha Kalin.

Nënsekretari i përgjithshëm i Presidencës theksoi se Drejtoria e Përgjithshme e Ndërmarrjeve Bujqësore (TIGEM) ka një projekt bujqësor në Sudan duke përfshirë 15 mijë hektarë tokë, për të cilin janë nënshkruar protokollet e nevojshme dhe së shpejti zyrtarë të Ministrisë turke të Bujqësisë do të shkojnë në Sudan për fillimin e punimeve.

Ai foli edhe për ishullin Suakin në Sudan, për të cilin tha se ka një potencial serioz.

Ishulli Suakin u vizitua nga Presidenti turk, Erdogan, gjatë kontakteve të tij në Sudan. Pas vizitës, ai tha se ndihet i pikëlluar nga gjendja e ishullit duke akuzuar Perëndimin për shkatërrimin e tij.

Erdogan tha se ka kërkuar nga homologu i tij sudanez, Omar al-Bashir, leje për të kryer restaurime në ishullin Suakin, ndërkohë që ky i fundit i është përgjigjur pozitivisht.

TIKA ka përfunduar restaurimin e xhamive Hanefi dhe Shafi dhe kompleksin e tyre në këtë ishull. Suakini, qytet port në brigjet verilindore sudaneze të Detit të Kuq, dikur ishte pjesë e territoreve osmane.

Për shkak të daljes në Detin e Kuq, ai llogaritet nga vendasit si Porta e Afrikës. Dikur, ishulli priste karvanët që shkonin për të kryer haxhillëkun në Tokat e Shenjta. Atje jetojnë aktualisht mbi 40 mijë sudanezë. Zëdhënësi Kalin paralajmëroi punime dhe restaurime të reja në këtë ishull.

“Në ishullin Suakin, TIKA ka restauruar dy xhami dhe një objekt doganor. Do të pasojnë edhe të tjera. Qëllimi ynë është rehabilitimi i plotë i ishullit dhe shndërrimi i tij në një vend turistik. Sepse, gjatë periudhës osmane, ai ishte një port i rëndësishëm gjatë udhëtimit për në haxhillëk dhe umre, para se të kalohej në Xhide”, sqaroi Kalin.

Ndërkohë, duke folur për vizitën e Presidentit Erdogan në Çad, zëdhënësi bëri me dije se palët kanë shprehur gatishmëri për bashkëpunim kundër terrorizmit.

“Sipas nesh, Boko Harami nuk ka dallim nga DAESH-i, Al-Kaida dhe PKK-ja”, nënvizoi ai.

Ibrahim Kalin rikujtoi se disa shkolla të organizatës terroriste gylensite (FETO), e cila orkestroi tentativën e dështuar për grusht shteti në Turqi, në korrik të vitit të kaluar, tanimë më i janë transferuar Fondacionit “Maarif” të Turqisë.

“Ne i falënderojmë qeveritë e Sudanit dhe Çadit për mbështetjen në këtë çështje. Jemi të gëzuar që ata e kanë kuptuar këtë rrezik”, u shpreh ai.

Turqia themeloi Fondacionin “Maarif” vitin e kaluar për të marrë përsipër administrimin e shkollave të lidhura me FETO-n jashtë shtetit. Ky fondacion themelon shkolla dhe qendra të arsimit jashtë vendit gjithashtu.

Deri më tani, rreth 30 vende afrikane i kanë dorëzuar shkollat e ​​FETO-s Fondacionit “Maarif” ose i kanë mbyllur ato me kërkesë të Ankarasë./ trt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne