Një rast abuzimi është goditur nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore për rajonin Kukës–Dibër, ndërsa ka arrestuar në flagrancë një punonjës policie të Komisariatit të Tropojës, Inspektor F. K., i cili dyshohet për kontrabandë me karburant dhe mosbindje ndaj urdhrave të kolegëve të tij në pikën kufitare të Qafë Morinës.
Oficeri u kap duke transportuar ilegalisht 840 litra naftë me një automjet të pajisur me rimorkio, pa iu nënshtruar kontrolleve kufitare dhe doganore. Rasti hedh dritë mbi një tjetër shkelje të rëndë brenda radhëve të uniformave blu, ndërsa materialet janë referuar për ndjekje penale në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Kukës.
Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (Rajoni Kukës – Dibër) ka arrestuar në flagrancë punonjësin e policisë Inspektor F. K, me detyrë Oficer i Patrullës së Përgjithshme në Komisariatin e Policisë Tropojë, i dyshuar për kryerjen e veprave penale “Kontrabandë me mallra për të cilat paguhet akcizë… etj” dhe “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik.
Arrestimi u bë i mundur pasi me datë 24.05.2026 rreth orës 18:00 duke drejtuar automjetin tip Volkswagen së bashku me rimorkio në të cilën kishte ngarkuar një depozitë të mbushur me karburant të llojit naftë, ka kaluar territorin doganor duke mos ju bindur shërbimeve të Pikës së Kontrollit Kufitar dhe Shërbimeve Doganore Qafë Morinë për verifikimin e ngarkesës dhe ndjekjen e procedurave. Pas kryerjes së veprimeve hetimore dhe peshimit nga autoritetet përkatëse, ka rezultuar pesha prej 840 litra”, bëhet me dije në njoftimin e AMP.
Materialet procedurale janë referuar në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Kukës./syri