Katari akuzon Arabinë Saudite për vështirësimin e haxhit për banorët e tij

Autoritetet e Katarit kanë akuzuar të hënën Arabinë Saudite se ka rrezikuar pelegrinazhin vjetor të haxhit në Mekë për besimtarët e Katarit, duke refuzuar të garantojë sigurinë e tyre.

Arabia Saudite dhe aleatët e saj kanë bojkotuar Katarin që nga 5 qershori, duke e akuzuar atë për mbështetjen e grupeve ekstremiste dhe për lidhjet me Iranin, në krizën më të egër diplomatike të rajonit në vite.

Më 20 korrik, Rijadi tha se katarianët që duan të kryejnë haxhin e këtij viti, do të lejohen të hyjnë në mbretëri për pelegrinazh, por duke vendosur kufizime të caktuara.

Ministria saudite e haxhit tha se pelegrinët e Katarit që do vijnë me aeroplan duhet të përdorin linjat ajrore në marrëveshje me Rijadin.

Ata gjithashtu do të duhet të marrin viza pas mbërritjes në Xhedah ose në Medine, pikat e tyre të hyrjes në mbretëri.

Ministria e Punëve Islamike të Katarit, në një deklaratë të publikuar nga agjensia zyrtare e lajmeve QNA, tha se pala saudite kishte “refuzuar të komunikonte lidhur me ofrimin e sigurisë për pelegrinët dhe lehtësimin e haxhit të tyre”.

Ministria akuzoi Rijadin për “ndërthurjen e politikës me një nga shtyllat e Islamit, që mund të rezultojë në privimin e shumë muslimanëve nga kryerja e këtij detyrimi të shenjtë”.

Sipas deklaratës, 20,000 qytetarë të Katarit janë regjistruar për të marrë pjesë në haxhin e këtij viti. Ministria tha se mohon pretendimet saudite se Doha i kishte pezulluar ato regjistrime.

“Shtrembërimi i fakteve ka për qëllim të krijojë pengesa për pelegrinët nga Katari në Mekë, pas krizës së krijuar nga vendet e embargos”, shtoi ministria e Katarit, duke iu referuar Arabisë Saudite dhe aleatëve të saj.

Më parë ishte shfaqur një raport që pretendonte se Katari ka bërë thirrje për ndërkombëtarizimin e haxhit.

Rijadi u përgjigj duke thënë se një thirrje e tillë ishte “një deklaratë lufte”.

“Kërkesat e Katarit për të ndërkombëtarizuar vendet e shenjta janë agresive dhe një deklaratë lufte kundër mbretërisë”, tha ministri i jashtëm saudit Adel al-Jubeir, duke shtuar se Arabia Saudite rezervon të drejtën për t’iu përgjigjur kujtdo që punon për ndërkombëtarizimin e vendeve të shenjta.

Megjithatë, Katari tha se emirati nuk e ka bërë kurrë një thirrje të tillë.

“Ne jemi lodhur duke iu përgjigjur informacioneve të rreme dhe tregimeve të shpikura nga asgjëja,” tha Sheikh Mohammed bin Abdulrahman al-Thani, ministri i jashtëm i Katarit.

Katari ka akuzuar sauditët për politizimin e haxhit dhe i është drejtuar të shtunën Raportuesit Special të Kombeve të Bashkuara për lirinë e fesë, duke shprehur shqetësimin për pengesat që përballen katarianët që dëshirojnë të marrin pjesë në haxh këtë vit.

Haxhi, një shtyllë e Islamit që muslimanët që kanë mundësi duhet ta kryejnë së paku një herë në jetë, do të zhvillohet këtë vit në fillim të shtatorit.

Arabia Saudite dhe aleatët e saj si Bahrejni, Egjipti dhe Emiratet e Bashkuara Arabe shkurtuan lidhjet diplomatike dhe vendosën sanksione kundër Dohas në qershor, duke përfshirë mbylljen e hapësirës së tyre ajrore për linjat e Katarit.

Katër shtetet arabe akuzojnë Katarin se po mbështet ekstremistët dhe se po qëndron shumë afër Iranit, rivalit rajonal të Arabisë Saudite.

Katari mohon akuzat dhe akuzon bllokun e udhëhequr nga saudia për imponimin e një “rrethimi” mbi emiratin e vogël. / © Gazeta Impakt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne