Auron Tare
Para pak ditësh më ringriti telefonin një mik nga Bostoni.
– A mund të më gjesh një biletë për koncertin e Kanye West në Tiranë?
Pyetja më gjeti të papërgatitur.
– Kush është ky? – e pyeta me zë të përgjumur.
Ai qeshi.
– Mos u ndiej keq. As unë nuk e njoh. Ma kërkon djali. Do të vijë me dy shokë, pak për të parë Shqipërinë e pak për koncertin.
I promatova se do të kërkoja.
Deri në atë moment nuk ia kisha dëgjuar as emrin këtij këngëtari. Kjo, siç duket, nuk më bën “djalë trendy” për brezin e ri që e ndjek. Ndaj nuk kisha as kurreshtje dhe as informacion për këtë koncert. Por dje dëgjova Kryeministrin tonë, i cili tha se rrethanat e kishin detyruar të jepte katër milionë euro “që të mos turpërohej Shqipëria”.
Unë vërtet nuk kam asgjë kundër koncerteve. Përkundrazi. Një qytet pa muzikë është si një bibliotekë pa libra. Le të vijë çdo artist që dëshiron, le të mbushet Tirana me spektatorë e turistë të rinj. Kjo është gjë e mirë, sidomos kur nuk kemi as Galeri Arti, as Teatër Kombëtar, as Muze Etnografik e kështu me radhë.
Por puna ndryshon kur arti pushon së qeni kulturë dhe fillon e kthehet në çështje shtetërore.
Kryeministri na njoftoi se kishte dhënë katër milionë euro, sepse, sipas tij, përndryshe Shqipëria do të turpërohej.
Këtu njeriu mbetet në dyshim.
Paska ardhur dita që turpi i Shqipërisë të mos matet më me shkollat që po rrënohen, spitalet që mungojnë, monumentet që shemben apo qytetet antike që digjen çdo verë. Jo. Turpi ynë qenka bërë artistik.
Katër milionë euro, në fakt, janë një shumë që ka ende peshë në Shqipëri.
Me to, për shembull, mund të ndërtohej një sistem mbrojtjeje nga zjarri për qytetet tona antike. Çdo verë Finiqi, Bylisi, Klosi e vende të tjera presin me ankth erën dhe flakët. Ata nuk kanë nevojë për koncerte, kanë nevojë për ujë, që Shqipëria të mos turpërohet pse nuk është në gjendje të mbrojë trashëgiminë e saj.
Me katër milionë euro mund të rikonstruktohej Teatri Antik i Butrintit, i cili shfrytëzohet për shfaqje, por nuk gjen dot para për t’u restauruar.
Me ato para mund të krijohej një shkollë restaurimi, ku studentët shqiptarë të mësonin zanatin duke shpëtuar trashëgiminë, monumentet apo urat mesjetare, të cilat, për turpin tonë, i merr lumi çdo dimër, ndërsa ne i përcjellim me fotografi dhe elegancë.
Me katër milionë euro mund të shpëtoheshin kishat e vjetra që, për turpin tonë, humbasin çatinë, afresket dhe historinë pa bërë zhurmë.
Me katër milionë euro Profesor Neritan Ceka nuk do të detyrohej të gërmonte në Bylis me fonde që shpesh i nxjerr nga xhepi i vet. Në vende normale, shteti krenohet me arkeologët e tij. Për turpin tonë, ne i lemë ata ta kërkojnë historinë me buxhete pothuajse private.
Me katër milionë euro mund të rindërtohej Albanopoli, qyteti që i dha emrin Shqipërisë. Sot ai është i rrethuar nga furrat e gëlqeres dhe tymi i gomave. Një kartëvizitë dinjiteti për një komb që, siç duket, e ka zhvendosur krenarinë nga historia te spektakli.
(Këtu edhe për turpin tim).
Që nga viti 2013, së bashku me Artan Shkrelin, dolëm në një konferencë për shtyp dhe premtuam se Albanopoli do të bëhej model restaurimi sapo zoti Rama të vinte në pushtet. Për turpin tonë, vitet kaluan. Premtimi mbeti. Gërvishtjet po ashtu.
Katër milionë euro mund t’i jepeshin edhe të vetmit trajner shqiptar të basketbollit në Evropë, Piro Lekës, një shok skuadre i zotit Rama në vitet e arta të basketbollit, i cili vazhdon të punojë me pasion dhe shpesh me shpenzimet e veta. A nuk do të mund ta ringjallnim basketbollin shqiptar me katër milionë euro, që Shqipëria të mos turpërohej në aktivitetet ndërkombëtare?
Katër milionë euro do të mjaftonin për të ndërtuar një muze me famë botërore në Spaç. Do të ishte një tempull pelegrinazhi për të shëruar plagët e së shkuarës dhe për të mësuar se diktatura mund të shfaqet në shumë forma. Për turpin e Shqipërisë, ky kamp po shembet ditë pas dite, duke humbur gjurmët e një të kaluare tragjike.
Me katër milionë euro mund të ndërtohej Muzeu i Arkeologjisë Nënujore. Shqipëria ka prodhuar kërkime me vlerë ndërkombëtare në këtë fushë, por vazhdon të sillet si ai njeriu që zbulon një diamant dhe e mban në xhep prej turpit. Për turpin tonë, sigurisht.
Lista mund të vazhdonte gjatë.
Çdo shqiptar mund të shkruante një listë tjetër ku katër milionë euro do të kishin lënë një gjurmë më të gjatë sesa kujtimi i një koncerti.
Teksa po mbyllja këto rreshta, më shkroi një ish-koleg i administratës.
– Mos u mundo të kërkosh biletë. Po i shpërndajnë falas nëpër institucione.
I telefonova menjëherë mikut tim në Boston.
I thashë se biletën do ta gjente lehtë.
Pjesën tjetër nuk ia përmenda.
Ka raste kur heshtja është forma më dashamirëse e ironisë./fb

















