Kearny Italia do të përgatisë strategjinë e Bankës së Zhvillimit

Një bashkim kompanish i përbërë nga Kearny Italia, Deloitte dhe Kalo and Associates do të përgatisin strategjinë e Bankës Shqiptare të Zhvillimit. Operatori i Blerjeve të Përqendruara ka shpallur fituese ofertën e bashkimit të këtyre kompanive në tenderin e konsulencës, i cili kishte një fond limit të paracaktuar prej 315.9 milionë lekë ose 3.4 milionë euro.

Oferta e kompanive të shpallura fituese ishte 262 milionë lekë.

Qeveria shqiptare regjistroi në Qendrën Kombëtare të Biznesit, Bankën Shqiptare të Zhvillimit në fund të vitit të kaluar. Administrator i saj u emërua italiani Silvio Pedrazzi, një emër i njohur për sistemin bankar në Shqipëri, pasi më parë ka qenë administrator i Intesa San Paolo Bank Albania.

Ministria e Financave është aksionare e vetme e bankës, duke zotëruar 100% të aksioneve ndërsa kapitali fillestar i bankës është 10 miliardë lekë.

Banka do të ushtrojë aktivitet kredidhënieje për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, si dhe për startup-et vendase, me synim nxitjen e rritjes ekonomike, produktivitetit, konkurrueshmërisë dhe zgjerimit në tregjet ndërkombëtare. Ajo do të mbështesë gjithashtu eksportet e mallrave dhe shërbimeve vendase, projektet publike në nivel qendror dhe vendor, si dhe zhvillimin dhe modernizimin e infrastrukturës fizike dhe digjitale të vendit.

Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se Banka Shqiptare e Zhvillimit synon të shërbejë si instrument mbështetës për investimet dhe projektet e fermerëve dhe sipërmarrësve në Shqipëri./kapitali.al

NDANI KËTË POSTIM

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Mund tju interesojne