Shqiperia

Kërkonte favore seksuale, studentja tregon si u detyrua pedagogu të jepte dorëheqjen: Kishim video…

Një studente ka treguar mënyrën se si arritën të detyrojnë pedagogun e Arkitekturës të japë dorëheqjen.

Thanas Nushi, ishte një ndër pedagogët e nxjerrë në pankarta, i cilësuar edhe si ‘il padrino’, dhe akuzohej se kërkonte favore seksuale në këmbim të notës.

Në një mbledhje prej 4 orësh të të gjithë studentëve të Arkitekturës dhe stafit të pedagogëve të këtij fakulteti, u arrit të diskutoheshin shumë problematika.

Studentja në Opinion tregoi edhe mënyrën se si arritën studentët të vendosin nën presion pedagogun, të cilin edhe e kanë denoncuar publikisht, të japë dorëheqjen.

Sipas saj, studentë të ndryshëm, në vite të ndryshme, e kritikuan dhe e akuzuan për sjellje jo normale, duke e kërcënuar edhe me publikimin e disa videove apo fotove që studentët kishin siguruar.

I gjendur përballë akuzave të shumta dhe këtij fakti në fjalë, pedagogu më në fund vendosi që të dorëhiqet.