Bota

Kina: Lufta e re Koreane mund të shpërthejë në çdo moment

Ministri i Jashtëm i Kinës paralajmëroi se një konflikt i armatosur me Korenë e Veriut mund të shpërthejë “në çdo moment”, duke i bërë thirrje Uashingtonit dhe Phenianit që të zbusin retorikën e tyre shumë agresive dhe të kuptojnë çmimin që do të paguajnë të dyja palët, nëse një luftë e re Koreane fillon.

Paralajmërimi i jashtëzakonshëm vjen midis vendosjes masive ushtarake amerikane pranë Gadishullit Korean, me grupin e sulmeve ajrore “USS Carl Vinson” që është nisur drejt rajonit. Ndërsa Presidenti i SHBA-së, Donald Tramp, ka kërcënuar se do të “kujdeset” për “problemin” e Koresë së Veriut, Pheniani thotë se është gati për të zmbrapsur çdo veprim ushtarak.

“Kohët e fundit janë rritur tensionet mes SHBA-së dhe Koresë së Jugut në njërën anë, dhe (mes SHBA-së dhe) Koresë së Veriut në anën tjetër”, tha ministri i jashtëm kinez Wang Yi për gazetarët të premten, duke shtuar se “ekziston ndjenja se në çdo moment mund të shpërthejë një konflikt.”

Ai paralajmëroi të dyja anët se “në qoftë se ndodh një luftë, rezultati është një situatë në të cilën të gjithë humbasin dhe nuk mund të ketë fitues,” dhe se cilado anë që provokon një konflikt “duhet të marrë përgjegjësinë historike dhe të paguajë çmimin përkatës.”

Më herët gjatë ditës, Wang tha se Uashingtoni dhe Pheniani duhet të përmbahen nga “provokimi dhe kërcënimi i njëri-tjetrit, qoftë me fjalë ose veprime, dhe të mos e lenë situatën që të shkojë në një fazë të pakthyeshme dhe të pakontrollueshme”, cituar nga Reuters.

Në një përpjekje të dukshme për të ftohur retorikën luftarake të administratës së SHBA-së, ai shtoi: “Forca nuk mund ta zgjidhë problemin – dialogu mund të jetë i vetmi kanal për zgjidhjen e problemit.”

Kina, aleate e ngushtë e Koresë së Veriut dhe partnerja kryesore tregtare, nuk e ka mirëpritur programin bërthamor të Phenianit, por ka avokuar për gjetjen e zgjidhjes politike për krizën. Nga ana e saj, Rusia, e cila gjithashtu ndan një kufi toke me shtetin e izoluar, ka shprehur shqetësim të thellë rreth tensioneve në rritje në Gadishullin Korean.

Tensioni në Gadishullin Korean ka qenë një nga temat të cilat Wang Yi diskutoi me homologun e tij rus Sergej Lavrov në një bisedë telefonike të premten.

Moska qëndron për “pajtimin politiko-diplomatik” dhe i nxit të gjitha palët që të tregojnë durim dhe të përmbahen nga “veprimet që mund të nënkuptohen si hapa provokativë”, u tha zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov gazetarëve të premten.

Nga viti 1950 deri në vitin 1953, SHBA luftoi kundër trupave të Koresë së Veriut në Luftën e Koresë. Pasi forcat e koalicionit të udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara kaluan paralelin 38 që ndan dy Koretë, Kina vendosi trupat e saj dhe hyri në luftë, ndërsa BRSS-ja ofroi mbështetje ushtarake dhe logjistike për aleatët e saj socialistë. Konflikti, i cili shumë shpejt u bë një luftë shkatërrimtare, mori jetën e më shumë se 33.000 ushtarëve amerikanë dhe 400,000 ushtarëve të Koresë së Veriut.

Sipas disa raporteve mediatike, vendosjet e vazhdueshme ushtarake amerikane në afërsi të ujërave të Koresë së Veriut, mund të shkojnë përtej një shfaqjeje të zakonshme të forcës. Të enjten, zyrtarët e zbulimit amerikan thanë për NBC se SHBA-ja ka dërguar dy gjuajtës të aftë për të nisur raketa lundruese Tomahawk në rajon, ku njëra prej tyre ndodhet vetëm 300 milje (rreth 480 km) nga zona e testit bërthamor të Koresë së Veriut.

Gjithashtu në Guam janë pozicionuar bombardues amerikanë me rreze të gjatë për të goditur objektivat e Koresë së Veriut. Nga ana tjetër, Koreja e Veriut paralajmëroi të martën se do të hakmerret për çdo shenjë të agresionit amerikan me të gjitha mjetet në dispozicion.

“Nëse SHBA-ja guxon të zgjedhë një aksion ushtarak, duke bërtitur për ‘sulm parandalues’, [Pheniani] është gati për të reaguar. Ne do e bëjmë SHBA-në tërësisht përgjegjëse për pasojat katastrofike të shkaktuara nga veprimet e saj të egra”, tha ministri i Jashtëm i Koresë së Veriut në një intervistë me AP.

“SHBA-ja fut në Gadishullin Korean, në pikën më të nxehtë në botë, pasuri të mëdha strategjike bërthamore, duke kërcënuar seriozisht paqen dhe sigurinë e gadishullit, dhe duke e shtyrë situatën atje në prag të një lufte,” tha Shtabi i Përgjithshëm i Koresë së Veriut në një deklaratë të kryer nga KCNA. / © Gazeta Impakt

OPINIONE

INTERVISTA