Kisha Ortodokse Serbe në Mal të Zi përkujton vrasjen e familjes perandorake ruse

Kisha Ortodokse Serbe në Mal të Zi ka përkujtuar njëqind vjetorin e vrasjes së familjes perandorake ruse në Ekaterinburg me disa evente të mbajtura nën sloganin “Familja Romanov – 100 vjet shenjtëri”.

Duke përfunduar të mërkurën, kisha mbajti katër ditë mesha për familjen Romanov në të gjithë vendin, organizoi tryeza të rrumbullakëta, ekspozita dhe promovime librash ndërsa prit Kishën Ruse dhe zyrtarë shteti.

Në manastirin e Dajbabes, afër kryeqytetit Podgoricë, Kisha Serbe gjithashtu ngriti një monument për familjen mbretërore ruse të vrarë nga bolshevikët një vit pas revolucionit që i dha fund 300 viteve të sundimit Romanov.

Cari i fundit e Rusisë dhe familja e tij u qëlluan natën e 16 korrikut 1918. Përveç Nikollës II, ata vranë perandoreshën Aleksandra dhe të gjithë fëmijët e tyre, Aleksei, Olga, Tatiana, Maria dhe Anastasia.

Kisha Ruse e kanonizoi familjen perandorake në vitin 2000 dhe eshtrat e tyre tani mbahen në Katedralen e Pjetrit dhe Palit në Shën Petersburg. Kisha Serbe gjithashtu i konsideron Romanovët e martirizuar si “shenjtorë”.

Kisha Ortodokse Serbe tha të mërkurën se njerëzit në Mal të Zi nuk duhet ta harrojnë kurrë mirënjohjen e tyre ndaj carit.

“Pa ndihmën e Rusisë, nuk do të kishte çlirim të popullit tonë nga skllavëria osmane. Ne jemi të vetëdijshëm për këtë dhe me mirënjohje të madhe kujtojmë dashurinë e madhe të popullit rus dhe carit rus për Malin e Zi,” tha Joanikije, peshkopi i Budimlike-Niksiçit.

Në meshat dhe eventet e tjera morën pjesë delegatë të Patriarkut të Aleksandrisë, Teodor, Patriarku Kirili i Moskës, përfaqësues të Shoqërisë Ortodokse Palestineze, studiues rusë, akademikë dhe ish-zyrtarë shtetërorë nga Moska.

Peshkopi i lartë i Kishës Ortodokse Serbe në Malin e Zi, Amfilohije, tha se vrasja e familjes perandorake ishte një krim i madh.

“Ata vranë perandorin dhe perandoreshën, dhe edhe pse perandori kishte hequr dorë nga pushteti për të shpëtuar popullin e tij, ata vranë edhe fëmijët e tyre. Mund të imagjinoni se çfarë krimi ishte,” tha Amfilohije.

Kisha Ortodokse Ruse dhe Serbe në Mal të Zi kanë marrëdhënie të ngushta që datojnë në shekullin e 19-të, gjatë sundimit të princit-peshkop të Malit të Zi, Njegos.

Marrëdhëniet midis dy qeverive, megjithatë, janë ftohur dukshëm që kur Mali i Zi iu bashkua sanksioneve perëndimore kundër Rusisë në vitin 2014 gjatë krizës në Ukrainë.

Marrëdhëniet me Rusinë u përkeqësuan më tej pasi Mali i Zi iu bashkua NATO-s qershorin e kaluar. Moska kishte paralajmëruar se “do të ngrinte projektet e përbashkëta me Malin e Zi” nëse ajo i bashkohej Aleancës.

Lidhjet u tensionuan akoma më shumë tetorin e kaluar kur Mali i Zi akuzoi rusët se ishin ata që fshiheshin pas një përpjekjeje për grusht shteti që synonte të rrëzonte qeverinë pro-perëndimore dhe vrasjen e kryeministrit të atëhershëm, Milo Djukanoviç.

Moska i quajti akuzat absurde, me disa media ruse që u tallën me pretendimet e Podgoricës se agjencitë e saj të inteligjencës dhe të sigurisë mezi parandaluan një komplot rus.j.j

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne