KLSH kap “mat” Ministrinë e Gonxhes: Restaurime dhe pagesa për objekte pa leje ndërtimi

Ministria që duhet të garantojë zbatimin e ligjit, përballet vetë me gjetje të KLSH-së.

Prej shtatorit 2025, kjo Ministri drejtohet nga z. Blendi Gonxhja, i cili shpesh është prezantuar edhe si një prej zërave më kritikë ndaj sjelljeve antiligjore. Por gjetjet e auditimit të KLSH-së ngrenë pikëpyetje pikërisht mbi zbatimin e ligjit nga institucionet që kanë përgjegjësinë për administrimin dhe mbrojtjen e artit, kulturës dhe trashëgimisë kulturore.

Në një kohë kur qytetarët përballen me masa administrative dhe penalizime për punime pa leje, raporti i KLSH-së evidenton se edhe në projekte publike të lidhura me objekte të rëndësishme kulturore janë konstatuar punime pa leje të vlefshme, ndryshime të paargumentuara të projekteve dhe mungesë e miratimeve të detyrueshme.

Në fund, pyetja që ngrihet është e thjeshtë: si mund t’u kërkohet qytetarëve respektimi i rreptë i ligjit për ndërtimet, kur vetë institucionet publike rezultojnë, sipas auditimit të KLSH-së, se kanë lejuar ose kryer punime në kundërshtim me kërkesat ligjore?

Punime pa leje edhe në objektet e artit dhe kulturës, KLSH konstaton shkelje në Mozaikun e Tiranës dhe Galerinë e Arteve

Në një kohë kur qytetarët penalizohen për shkelje të legjislacionit dhe ku ligji e përcakton qartë se punimet ndërtimore pa leje nuk lejohen, rezulton se pikërisht institucionet shtetërore nuk kanë respektuar gjithmonë të njëjtin detyrim ligjor.

Sipas auditimit të Kontrollit të Lartë të Shtetit (KLSH), të kryer në prill të vitit 2026, shkelje dhe mangësi janë konstatuar edhe në disa prej projekteve dhe veprave që lidhen me artin, kulturën dhe trashëgiminë kulturore.

Në fokus të auditimit kanë qenë disa objekte dhe kontrata, ku janë evidentuar probleme që lidhen me lejet e ndërtimit, ndryshimet në projekte, dokumentacionin teknik, mbikëqyrjen e punimeve dhe respektimin e procedurave ligjore.

Sa raste dhe në cilat objekte janë konstatuar shkeljet?

Nga gjetjet e cituara në raportin e KLSH-së, shkelje apo mangësi të lidhura drejtpërdrejt me zbatimin e punimeve janë konstatuar në tre objekte/kontrata kryesore:

1. Mozaiku i Tiranës

Në projektin “Ndërhyrje restauruese në Mozaikun e Tiranës, ndërtim godine”, KLSH ka konstatuar disa problematika në fazën e projektimit dhe zbatimit.

Një prej shkeljeve kryesore lidhet me fillimin e punimeve pa lejen përkatëse të ndërtimit. Përveç kësaj, janë konstatuar mungesë dokumentimi të projektimit dhe sigurimit të përgjegjësisë profesionale, mospërputhje teknike ndërmjet projektit arkitekturor, projektit konstruktiv dhe situatës faktike në terren, si dhe mangësi në analizën e çmimeve në preventiv.

Raporti evidenton gjithashtu ndryshime të paargumentuara të projektpreventivit, mungesë të miratimeve të nevojshme për ndryshimet në pasuritë kulturore dhe mosraportim të rregullt nga mbikëqyrësi i punimeve.

Pra, për Mozaikun e Tiranës, ndër shkeljet e konstatuara është konkretisht nisja e punimeve përpara pajisjes me lejen përkatëse të ndërtimit.

2. Universiteti i Arteve – Salla e Koncerteve

Në kontratën me objekt “Zbatimi i punimeve për restaurimin, rikonstruksionin dhe rinovimin e sallës së koncerteve në Universitetin e Arteve në Tiranë”, KLSH ka evidentuar një tjetër seri problematikash.

Sipas raportit, janë konstatuar ndryshime të paargumentuara në projekt-preventiv, të kryera pas realizimit faktik të punimeve, si dhe pa marrë të gjitha miratimet e detyrueshme nga organet kompetente për pasuritë kulturore.

Gjithashtu, janë evidentuar mospërputhje ndërmjet specifikimeve teknike të projektit dhe punimeve të realizuara në terren, përfshirë heqje zërash dhe ndryshime dimensionale me impakt financiar.

Në këtë objekt, sipas materialit të auditimit, problematika kryesore lidhet me ndryshimin e projektit dhe preventivit pas kryerjes së punimeve, pa miratimet e nevojshme, si dhe me mospërputhjet teknike dhe financiare.

3. Muzeu Kombëtar i Arteve të Bukura – Galeria e Arteve

Një tjetër rast i evidentuar nga KLSH është kontrata “Restaurim, Rikonstruksion dhe rehabilitimi i hapësirave në Muzeun Kombëtar të Arteve të Bukura (Galeria e Arteve)”.

Në këtë rast, gjetja është edhe më e drejtpërdrejtë: punimet kanë nisur dhe kanë vijuar pa leje të vlefshme ndërtimi.

Sipas raportit, janë kryer edhe pagesa përpara pajisjes me leje, ndërsa janë konstatuar amendime të pajustifikuara të afatit, pa argumentim teknik dhe pa dokumentacion mbështetës, në kundërshtim me kuadrin ligjor përkatës.

KLSH ka evidentuar gjithashtu mangësi në raportimin dhe mbikëqyrjen e punimeve, miratim formal të ndryshimeve pas realizimit faktik të tyre dhe mungesë monitorimi efektiv nga Autoriteti Kontraktor.

Dy raste të drejtpërdrejta me lejet e ndërtimit

Nga tre objektet/kontratat e mësipërme, dy raste lidhen drejtpërdrejt me problematikat e lejeve të ndërtimit.

Në Mozaikun e Tiranës, punimet kanë nisur pa lejen përkatëse të ndërtimit.

Ndërsa në Galerinë e Arteve, punimet kanë nisur dhe kanë vijuar pa një leje të vlefshme ndërtimi, ndërsa pagesa janë kryer edhe përpara pajisjes me leje.

Në rastin e Universitetit të Arteve, problematika e konstatuar nga KLSH lidhet kryesisht me ndryshimet e projektit dhe preventivit pas kryerjes së punimeve dhe mungesën e miratimeve të detyrueshme për pasuritë kulturore.

Pra, sipas gjetjeve të cituara në raport, bëhet fjalë për tre objekte/kontrata me problematika të konstatuara, nga të cilat dy kanë shkelje të drejtpërdrejta të lidhura me lejet e ndërtimit.

Mangësi edhe në administrimin e artit dhe kulturës

Auditimi i KLSH-së nuk është ndalur vetëm te zbatimi i projekteve. Në raport janë evidentuar edhe problematika më të gjera në mënyrën se si Ministria e Turizmit, Kulturës dhe Sportit ka ndjekur politikat dhe programet në fushën e artit, kulturës dhe trashëgimisë kulturore.

Sipas KLSH-së, Ministria nuk ka ndjekur dhe zbatuar në mënyrë efektive objektivat dhe masat e parashikuara në dokumentin strategjik për zhvillimin e artit dhe kulturës. Sipas auditimit, nuk janë siguruar produktet e planifikuara për konsolidimin e kuadrit ligjor dhe institucional dhe nuk rezulton të jetë ngritur një mekanizëm i dedikuar për ndjekjen, monitorimin dhe raportimin e zbatimit të strategjisë.

KLSH konstaton gjithashtu se ende nuk është hartuar dhe miratuar strategjia e re sektoriale pas përfundimit të periudhës së mëparshme, duke krijuar një boshllëk në planifikimin dhe orientimin e politikave publike dhe mbështetjes financiare në fushën e artit, kulturës dhe trashëgimisë kulturore.

Një tjetër problematikë lidhet me faktin se, pavarësisht menaxhimit të programeve buxhetore për artin, kulturën dhe trashëgiminë kulturore, nuk janë nxjerrë aktet nënligjore dhe aktet e brendshme rregullatore të nevojshme për zbatimin e plotë të kuadrit ligjor.

Sipas KLSH-së, mungojnë rregulla të qarta për procedurat e financimit, ndarjen e përgjegjësive, gjurmët e auditimit, veprimtaritë e kontrollit dhe administrimin e dokumentacionit./weblajm

NDANI KËTË POSTIM

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Mund tju interesojne