Koloneli Avichay Adraee, figura më e njohur propagandistike e ushtrisë izraelite në botën arabe, pritet të dalë në pension pas më shumë se 20 vitesh në shërbim aktiv. Gjatë kësaj periudhe, Adraee u shndërrua në një nga zërat më agresivë të fushatës mediatike dhe psikologjike të Tel Avivit ndaj vendeve dhe grupeve që kundërshtojnë Izraelin, sidomos Sirinë, Iranin dhe lëvizjen Hamas.
Sipas raportimeve izraelite, Adraee e nisi karrierën e tij në Drejtorinë e Inteligjencës, në njësinë e famshme të përgjimeve 8200, për t’u transferuar në njësinë e zëdhënësisë së ushtrisë në vitin 2005. Gjatë këtyre dy dekadave, ai ka bashkëpunuar ngushtë me qarqe politike dhe mediatike në Arabinë Saudite dhe monarkitë e Gjirit, në kuadër të asaj që shumë analistë e kanë quajtur “fushata vehabiste kundër Islamit të rezistencës”.
Gazetari i Army Radio, Doron Kadosh, ka raportuar se aktualisht nuk është vendosur ende data e saktë e largimit të tij nga posti, ndërsa po zhvillohen diskutime me zëdhënësin e përgjithshëm të ushtrisë, gjeneral brigade Effie Defrin, për kohën dhe pasuesin e mundshëm të Adraees.
Që nga shpërthimi i luftës Izrael–Hamas, Adraee është bërë një figurë e njohur në mediat arabe, ku përpiqet të justifikojë agresionin izraelit me gjuhë të përshtatur për audiencat myslimane. Pikërisht për shkak të këtij roli, ai është bërë edhe objekt kërcënimesh fizike dhe prej vitesh gëzon mbrojtje të afërt personale.
Në shumë analiza rajonale, Adraee është cilësuar si “Lawrenci zionist i Arabisë”, për shkak të ndikimit që ka ushtruar në përpjekjet e Tel Avivit për të ndarë botën arabe mbi baza sektare./gazetaimpakt















