Koment – Epoka e paqartësisë dhe e përulësisë

Autor: Ibrahim Kalin*

Paqartësia është bërë një tipar dallues i jetës sonë në shekullin e 21-të. Edhe Werner Heisenberg, i cili formuloi parimin e pasigurisë, do të ishte befasuar nga shkalla, në të cilën gjërat janë bërë të paqëndrueshme dhe të paqarta. Kjo është mjaft ironike, sepse e tashmja supozohet të jetë epoka e racionalizmit, shkencës dhe lirisë së ndriçuar. Por realitetet e botës postmoderne dhe postindustriale tregojnë një histori tjetër.

Ironia e kësaj kohe nuk kufizohet vetëm në parimin e pasigurisë. Kjo duhet të ishte epoka e humanizmit të lartë, ku “Më e mira e botëve” (Brave new world) e Aldous Huxley do të mbronte jetën e njeriut dhe dinjitetin njerëzor. Premtimi i modernizmit ishte drejtësia, liria dhe barazia për të gjithë. Por ne dëshmojmë disa prej mizorive më çnjerëzore dhe barbare, të cilat po kryhen përpara syve tanë, në shekullin e 21-të. Vetëm kriza globale e refugjatëve është e mjaftueshme për të treguar nivelin e hipokrizisë dhe standardeve të dyfishta përballë idealeve të larta të rendit global aktual. Refugjatët sirianë, libianë, afganë, somalezë dhe rohingianë, në mesin e shumë të tjerëve, tregojnë një histori të turpshme për indiferencën dhe mosrespektimin. Fakti që ata rastisën të jenë myslimanë thotë diçka rreth perceptimeve etnocentrike të gjendjes njerëzore në epokën e tanishme.

Paqartësia përcakton pjesën më të madhe të rendit botëror aktual. Lojërat e mëdha për pushtet, rivalitetet shtet-komb, luftërat me prokurë, konfliktet ndërsektare, luftërat civile, interesat e korporatave shumëkombëshe dhe një numër faktorësh të tjerë e bëjnë akoma më të ndërlikuar e komplekse situatën e tanishme të botës. Vlerat dhe interesat janë bërë kaq të ndryshme, saqë është e pamundur të gjendet një “modus vivendi” (marrëveshje e përkohshme, që në të ardhmen pritet të zëvendësohet me traktat apo konventë – shënim i përkthyesit), e cila do t’i mbajë komunitetet botërore së bashku në një mënyrë të menaxhueshme. Pasiguria apo paqartësia e së tashmes dhe së ardhmes siguron pak udhëzime për një botë më të mirë.

Megjithatë paqartësia nuk është gjithmonë një gjë e keqe. Ajo mund të na mësojë një ose dy gjëra për gjendjen njerëzore dhe kufijtë e fuqive tona të imagjinuara. Na nxit që të jemi të përgatitur për të papriturat. Na mban të freskët dhe të shkathët përballë surprizave të mira ose të këqija. Na detyron të ndërmarrim masa shtesë kundër problemeve komplekse në mënyrë gjithëpërfshirëse dhe jo përjashtuese.

Por, mbi të gjitha, pasiguria mund të na mësojë përulësinë, një virtyt kyç të cilin ne e kemi harruar në botën moderne. Filozofia e iluminizmit e vendosi qenien njerëzore në qendër të një universi të pafund dhe vetërregullues duke flakur tutje konceptet mesjetare të Perëndisë dhe të botës së krijuar e të kufizuar. Kështu, ajo e bëri qenien njerëzore zot të universit. Me mjetet dhe aftësitë e siguruara nga përparimi shkencor e teknologjik, njerëzit iluministë filluan ta shikojnë veten e tyre si zotë të rinj të botës. Nuk u desh shumë kohë që ky “zot” të transformohej në një shfrytëzues dhe zhvatës.

Sipërmarrja e rolit të Perëndisë nuk i shërben qenies njerëzore. Ne s’jemi as zotë dhe as padronë, por kujdestarë dhe administratorë të besuar të universit. Bota e natyrës na është dhënë si “amanet” dhe na është ngarkuar detyra për t’u kujdesur për këtë amanet (në mirëbesim). Mendjemadhësia dhe arroganca ekstreme e zotëve të universit e tregon veten kudo, nga racizmi i modës së vjetër, që i vendos disa njerëz mbi të tjerët si padronë, deri te krizat mjedisore.

Të vepruarit si administrues i besuar i universit s’do të thotë pacifizëm apo qëndrim indiferent ndaj botës. Përkundrazi, krijon një marrëdhënie më të ekuilibruar, humane dhe produktive mes qenies njerëzore dhe botës së natyrës. Kjo do të thotë t’u shërbejmë nevojave dhe interesave njerëzore duke mbrojtur mjedisin natyror.

Paqartësia mund të mos jetë diçka e dëshirueshme në çdo gjë. Qartësia është një komponent kyç i besimeve dhe veprimeve tona. Por, duke pasur parasysh fodullëkun dhe arrogancën e qytetërimit modern të ndërtuar prej nesh, mund të jetë e kujdesshme dhe e matur të pranojmë kufijtë tanë dhe të veprojmë me një ndjenjë përulësie ndaj njerëzve të tjerë dhe universit, pjesë e së cilit jemi edhe vetë ne. Duke shkatërruar universin, për të cilin ne pretendojmë të jemi zotë, po rrënojmë të tashmen dhe të ardhmen tonë. Shpresoj që ta kuptojmë këtë fakt të thjeshtë, por themelor, para se të jetë tepër vonë./ trt

*Zëdhënës dhe nënsekretar i përgjithshëm i Presidencës së Republikës së Turqisë

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne