Koment i MPJ-së ruse në vijim të mbledhjes së Këshillit të Sigurimit të OKB-së lidhur me incidentin kimik në Salisbury

Më 14 mars në Nju Jork u zhvillua një mbledhje urgjente e Këshillit të Sigurimit të OKB-së lidhur me incidentin kimik në Salisbury të Britanisë së Madhe, ose të ashtuquajturën “çështje Skripal”. Me insistim të Federatës Ruse kjo mbledhje u mbajt në format të hapur dhe publik. Pala ruse paraqiti një përgjigje të rreptë dhe të mirargumentuar ndaj akuzave, spekulimeve dhe ultimatumeve të pabaza që vijnë nga Londra e përkrahur edhe nga përfaqësuesja e SHBA-ve Nikki Haley, e cila nuk hyri shumë në detajet e incidentit.

Në të njëjtën kohë, Përfaqësuesi i Përhershëm i Rusisë në OKB Vasili Nebenzja nënvizoi gatishmërinë tonë për një bashkëpunim profesional me hetuesit britanikë në bazë të Konventës për Ndalimin e Armëve Kimike, aq më tepër që nga ky incident u prek edhe shtetasja ruse Julia Skripal. Në përgjigje, morëm vetëm një tjetër tufë “fletërrufesh”, të cilat mund t’i duken të kënaqshme vetëm publikut të painformuar, të emocionueshëm dhe pakërkues.

Për të konfirmuar seriozitetin e qëllimeve tona, delegacioni rus bëri një propozim për të hartuar pa vonesë, po atë ditë, një reagim të koordinuar dhe të depolitizuar të Këshillit të Sigurimit ndaj incidentit në fjalë, i cili do të pasqyronte edhe aspektin juridiko-ndërkombëtar të kësaj situate. Në këtë reagim ne e përjashtuam çdo ndërhyrje në punët e brendshme të shtetit sovran (në rastin konkret të Britanisë së Madhe), si edhe në hetimin e tij kombëtar. “Mëkate” këto, në të cilat zakonisht bien vetë Londra dhe vende të tjera perëndimore.

Më poshtë përcjellim draftin e plotë të dokumentit tonë:

“Anëtarët e Këshillit të Sigurimit janë thellësisht të shqetësuar nga informacioni për përdorimin e supozuar të një substance helmuese në territorin e Britanisë së Madhe dhe u bëjnë thirrje të gjitha vendeve-anëtare të interesuara që të zhvillojnë konsultime dhe të bashkëpunojnë për hetimin e kësaj situate sipas obligimeve të tyre, të cilat burojnë nga neni 9, pika 2, i Konventës për Ndalimin e Armëve Kimike.

Anëtarët e Këshillit të Sigurimit rikonfirmuan mbështetjen e tyre të vendosur të Konventës për Ndalimin e Armëve Kimike dhe ritheksuan domosdoshmërinë për të arritur qëllimin e botës së çliruar nga armët kimike”.

Megjithatë, delegacioni britanik me amendamentet e tij, të cilat shtrembërojnë thelbin e këtij dokumenti, e bëri të pamundur hartimin dhe faktikisht e prishi miratimin e dokumentit.

Në këtë mënyrë, Londra, konform veprimeve të saj provokuese dhe histerike gjatë ditëve të fundit, tregoi edhe një herë mungesën e interesit dhe përkushtimit real për të kryer një hetim të mirëfilltë, të besueshëm dhe profesional të incidentit të ndodhur në Salisbury. Për ne kjo nuk erdhi si surprizë.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne