Koment – Kriza e Katarit dhe Turqia

Nga Prof. Dr. Mustafa Sıtkı Bilgin

Katari është një vend në buzë të Gjirit Persik me sipërfaqen e një qyteti të çfarëdoshëm të Anadollit, për shembull sa Bursa ose sa Çorumi. Por në të kundërt të sipërfaqes që zotëron, nga aspekti gjeopolitik, strategjik dhe aq më shumë gjeo-ekonomik është një vend me rëndësi të madhe. Sepse në ujërat e Katarit gjenden burimet e treta më të mëdha në botë të gazit natyror. Kurse në eksportin e gazit të lëngshëm, Katari radhitet në vendin e parë në botë. Gjithashtu në këtë vend ekzistojnë shtretër të konsiderueshëm nafte.

Si rrjedhojë e burimeve të pasura natyrore që zotëron, Katari ka tepricë eksporti me vlerë 10 miliardë dollarë në vit. Për këtë arsye është në pozicionin e një vendi me fuqi kapitali me investime në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, vendet e Bashkimit Evropian dhe vende si Turqia si dhe ka rrjedhje financiare me volum të gjerë. Gjithashtu, në fusha të ndryshme si ato ajrore, industrinë e naftës, media, etj. zotëron kompani dhe institucione që janë marka ndërkombëtare. Krahas të gjitha këtyre veçorive, ndryshe nga vendet e tjera të Gjirit, Katari është një vend që ka arritur me sukses të krijojë një politikë të jashtme të pavarur.

Prandaj ndër arsyet më të rëndësishme të prapaskenës së krizës së Katarit, qëndrojnë faktorë si xhelozia e fqinjëve ndaj politikës së jashtme që ndjek ky vend dhe sukseset ekonomike të sipërpërmendura.

Sigurisht që prapa kësaj krize zënë vend edhe faktorë të tjerë të rëndësishëm. Por të shikojmë politikat në përgjithësi në Lindjen e Mesme dhe në veçanti në Gjirin Persik vëmë re se ekzistojnë dy dinamika bazë që ndikojnë rajonin. E para janë dinamikat e brendshme që përbëjnë problemet strukturale të Lindjes së Mesme. E dyta janë dinamikat e jashtme që përbëjnë thelbin e problemeve gjeopolitike. Po të shohim problemet strukturale, problemi më i madh është ekzistenca e regjimeve antidemokratike që nuk mbështeten tek populli dhe me mungesë të të drejtës dhe ligjit. Kështu që këto regjime që nuk e marrin legjimitetin nga populli, për të marrë veten nën siguri dhe mbrojtje i varin shpresat tek fuqitë jashtë rajonit. Për më tepër, fakti se rajoni i Lindjes së Mesme është i përçarë dhe me kufij artificialë, përbën një themel për krijim e problemeve dhe krizave me bazë etnike dhe sektare. Gjithashtu, ndërmjet vendeve në rajon, ekziston një konkurrencë dhe konflikt i thellë për të qenë ndikues dhe liderë në rajon.

Kështu që këto probleme strukturore themelore në rajon në të njëjtën kohë përbëjnë edhe burimin e konkurrencës dhe konflikteve ndërkombëtare në gjeopolitikën e rajonit. Në të vërtetë arsyeja themelore e mos marrjes fund në asnjë mënyrë të problemeve në Lindjen e Mesme, është pikërisht konkurrenca dhe konflikti ndërkombëtar i sipërpërmendur. Sepse fuqitë e mëdha i ndërtojnë strategjitë e tyre mbi kontrollin e burimeve energjetike dhe dominimin mbi rrugët ndërkombëtare të kalimit të kësaj energjie. Nga njëra anë këtë e bëjnë për të fortifikuar politikën ndërkombëtare dhe pozicionin e tyre dhe nga ana tjetër për të zgjeruar ndikimin e tyre.

Për këto arsye kriza e Katarit është pjesërisht strukturore dhe përgjithësisht artificiale. Kjo duket qartë nga ‘shpërthimi’ i krizës (së Katarit) pas një jave nga vizita e Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump në rajon. Sigurisht që ekzistojnë edhe shkaqe të tjera rajonale. Për shembull Katari, ndryshe nga vendet e tjera të Gjirit, me në krye Arabinë Saudite, zhvillon marrëdhënie të mera me Iranin, mban anën e Hamasit në çështjen e Palestinës, mbështet Presidentin e rrëzuar me grusht shteti të Egjiptit, Mursin që rrjedhimisht nënkupton mbështetjen e Vëllezërve Myslimanë dhe të gjithë këto faktorë, në politikën e jashtme, e kanë vendosur Katarin në një pozicion të ndryshëm nga fqinjët e tij.

Për sa i përket marrëdhënieve Turqi-Katar, ky vend që nga periudha e Perandorisë Osmane ka pasur marrëdhënie të mira me turqit. Gjyshi i madh i Emirit të sotëm, Kasëm Al Sani deri në vitin 1917 ka vepruar së bashku me Perandorinë Osmane por me tërheqjen e trupave të saj u pushtua nga anglezët. Katari me një vëllim tregtar prej 20 miliardë dollarësh në Turqi, ka marrëdhënie aleate me Ankaranë dhe tregon një rritje të vazhdueshme të marrëdhënieve ekonomike, politike dhe tregtare. Për këtë arsye Turqi, pas fillimit të krizës së Katarit, ka dhënë çdo lloj ndihme dhe mbështetje politike, diplomatike dhe ekonomike. Për ti dhënë fund krizës, Turqia ka ndërmarrë kërkime politike dhe diplomatike të ngjeshura në rajon dhe i është drejtuar veprimeve të ndërmjetësimit. Në këtë kuadër, Ministri i Jashtëm Mevlyt Çavushollu (Mevlüt Çavuşoğlu), me turin e Gjirit Persik vazhdon në rritje përpjekjet e Turqisë për zgjidhjen diplomatike dhe politike të krizës së Gjirit./ trt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne