Koment – Roli i vendeve perëndimore në konfliktet e Ballkanit

Autor: Dr. Erhan TÜRBEDAR

Dy çështjet kryesore që i kanë shqetësuar politikëbërësit amerikanë gjatë periudhës së Luftës së Ftohtë ishin: mundësia e një lufte bërthamore ndërmjet superfuqive të kohës dhe një tentativë e mundshme e Sovjetikëve për të pushtuar vendet e Evropës Perëndimore, edhe pse kjo e dyta ka qenë një mundësi e vogël. Për këtë arsye, ashtu si në çdo pjesë të botës, të dy superfuqitë e kohës i ndoqën nga afër lëvizjet e njëri-tjetrit edhe në Ballkan. Pas përfundimit të Luftës së Ftohtë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA) arritën të ishin në gjendje të përballonin problemet e tyre të brendshme politike dhe ekonomike. Kurse në Ballkan nuk kishte më nevojë për një zonë tampon si Jugosllavia.

Në vitet 1990, kur Jugosllavia hyri në procesin e shpërbërjes, Amerika nuk ishte shumë e angazhuar me krizën në Ballkan dhe jepte mesazhin se ishte Evropa ajo që duhej të merrej me këtë krizë. Nga mesi i vitit 1992, ShBA-ja edhe pse filloi të kritikonte haptazi serbët e Bosnjës dhe Beogradin, këto kritika ajo nuk çoi përtej retorikës.

Në fillim, të dy edhe Amerika, edhe vendet e Evropës si palë bashkëbiseduese pranonin qeverinë federale në Beograd. Qëllimi i Perëndimit ishte imponimi në Jugosllavi i një demokracie dhe ekonomie tregu të tipit perëndimor duke ruajtur integritetin (territorial) të saj (Jugosllavisë). Por kur ‘çarjet tektonike’ të Jugosllavisë u thelluan dhe lidhjet federale u dobësuan u përvetësua ideja e ndërtimit të një Jugosllavie konfederative. Vetëm se Serbia nuk ishte e interesuar për këtë ide. Më pas Perëndimi filloi të ndiqte politikën e njohjes së pavarësisë së republikave që dëshironin të shkëputeshin nga Jugosllavia. Sidoqoftë, Evropa nuk mundi të parandalonte shpërthimin e luftërave të gjata, pavarësisht faktit se, ajo siguroi nënshkrimin e shumë marrëveshjeve armëpushimi ndërmjet palëve në konflikt, u dha palëve disa herë ultimatum dhe zbatoi embargo ekonomike dhe embargo armësh kundër të gjithë Jugosllavisë.

Midis vendeve evropiane ka pasur dallime të thella në lidhje me krizën jugosllave. Gjermania këmbëngulte në njohjen e (pavarësisë së) Sllovenisë dhe Kroacisë, vende me të cilat kishte lidhje historike, fetare dhe kulturore. Të shqetësuara për një ekspansionizëm dhe hegjemonizëm gjerman në rajon, Britania dhe Franca kishin një simpati më të madhe ndaj Serbisë. Por ajo që doli fituese në këtë garë ishte Gjermania, e cila i njohu Slloveninë dhe Kroacinë si shtete të pavarura duke mos respektuar kushtet e vendosura nga Komisioni i Badinterit. Brenda një kohe të shkurtër të njëjtën gjë u detyruan të bëjnë edhe vendet e tjera të Evropës. Kur aleatët evropianë njohën pavarësinë e ish-republikave jugosllave, të njëjtën rrugë ndoqi edhe Amerika.

Në mesin e vendeve që iu njoh pavarësia ishte edhe Bosnjë-Hercegovina, e cila shumë shpejt u përball me një luftë të tmerrshme. Gjatë luftës në Bosnjë Amerika i dënoni në mënyrë të përsëritur iniciativat e serbëve për spastrim etnik, dërgoi trupa paqeruajtëse në rajon, por që të bënte një ndërhyrje ushtarake kundër serbëve të Bosnjës as që nuk i shkoi në mendje. Me këtë qëndrim Amerika la të kuptohet qartë që ajo nuk kishte dëshirë të luante rolin e xhandarit botëror në vendet ku prekeshin interesat e saj strategjike.

Problemi më i madh për vendet perëndimore ishte parandalimi i kërcimit të luftërave në ish-Jugosllavi në vendet e tjera të Ballkanit dhe Evropës. Në të vërtetë, mundësia e një kërcimi të kësaj lufte fillimisht në Kosovë dhe pastaj në Maqedoni barte me vete kërcënimin e përfshirjes në luftë edhe të Bullgarisë, Greqisë dhe Turqisë. Për shkak të ekzistencës së një kërcënimi të tillë në vitin 1993 forca paqeruajtëse të OKB-së u vendosën në Maqedoni, edhe pse ky vend nuk ishte në luftë.

Pozicionin e saj Amerika e ndryshoi në vitin 1994, sidomos kundër Luftës së Bosnjës dhe filloi të mos i shikonte armët që u dërgoheshin boshnjakëve përmes Kroacisë nga Irani dhe disa vende të tjera islame. Madje në atë kohë qarkullonin shpesh pretendimet se vetë Amerika i armatoste fshehurazi boshnjakët, pavarësisht embargos së armëve të OKB-së. Në këtë periudhë Amerika nuk u përpoq të forconte vetëm boshnjakët, por edhe kroatët kundër serbëve. Për shembull, dihet se ushtarët profesionistë amerikanë kanë stërvitur ushtrinë kroate për të shtypur serbët në rajonin Krayina të Kroacisë.

Pas qëndrimit të qartë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës luftërat në gjeografinë e ish-Jugosllavisë përfunduan me nënshkrimin e Marrëveshjes së Paqes të Dejtonit më 21 nëntor 1995. Një nga faktorët që e çoi Amerikën të mbajë një qëndrim të qartë ndaj luftës në Bosnjë në 1995 mund të thuhet se ka qenë gjenocidi që ndodhi në korrik të 1995-s në Srebrenicë. Ato që ndodhën në Srebrenicë kishin lënduar imazhin e OKB-së në mbarë botën. Faktori i dytë kishte të bënte me besueshmërinë e NATO-s. Vendet e NATO-s kishin tre vite që diskutonin mes tyre lidhur me atë se çfarë duhej bërë kundër serbëve agresivë dhe debati kishte shkaktuar ndarje brenda Aleancës duke mos gjetur një konsensus të çfarëdoshëm lidhur me reagimin e NATO-s.

Marrëveshja e Paqes së Dejtonit u vendosi pikën luftërave në Bosnjë-Hercegovinë dhe Kroaci, por nuk i parandaloi dot luftërat që ndodhën pas viteve 1990 në vendet e tjera të Ballkanit. Në të vërtetë, në periudhën 1999-2001 perëndimorët u përballën me konflikte të reja në Kosovë, në juglindje të Serbisë dhe në Maqedoni. Por këtë herë, vendet perëndimore shfaqën një qëndrim më të përbashkët dhe më efektiv dhe qenë më të suksesshme në prodhimin e zgjidhjeve pa lejuar shndërrimin e këtyre konflikteve në luftëra të mëdha./ trt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne