Opinion

Koment – Terrorizmi i gjeneratës së re

Autor: Erdal Simsek*

Hashashinët janë një nga organizatat terroriste më të vjetra që njeh bota. Gjerësisht e njohur nga perëndimorët me emrin “Assassins”, pra, “Vrasësit”, kjo organizatë shquhej për akte terroriste individuale.

Duke qenë se shpata, harku dhe armët e tjera të së njëjtit kalibri ndaloheshin të mbaheshin me vete përveçse nga ushtarët dhe në raste lufte, hashashinët i eliminonin objektivat e tyre me thika apo mjete rrethanore të vogla, të cilat mund të mbaheshin dhe fshiheshin më lehtësisht.

Kjo organizatë, formuar në shekullin e 11-të nga Hassan-i Sabbah kundër Perandorisë Selxhuke, u shndërrua ndër vite në një hordhi vrasësish me pagesë, të cilën shumë rrethe e fuqi mesjetare – me në krye Tempullarët apo Kalorësit Kryqtarë – e kanë përdorur për atentate kundrejt favoreve dhe pagesave të formave të ndryshme.

Terrorizmi sistematik, term i futur në skenën dhe literaturën politike botërore nga lideri i hashashinëve, Hassan-i Sabbah, me kalimin e kohës evoluoi sipas kushteve dhe rrethanave të ditës.

I njëjti terrorizëm sot realizon edhe akte përmes celulave, edhe me metoda vetëvrasëse. Me anë të kësisoj praktikave kaq barbare dhe çnjerëzore, prania e tij ka mbërritur deri në të sotmen. Terrorizmi është argumenti më i zakonshëm dhe më i aplikueshëm i dhunës në periudhat e ndryshimit dhe transformimit të botës. Nga Kina e deri në Evropën Veriore, terrorizmi është shtyrë gjithmonë në vijën e parë të frontit gjatë luftërave për pushtet, influencë dhe kapital.

Koment – Marrëzia e luftës | TRT Shqip

Qysh prej uzurpimit të Irakut nga forcat e koalicionit në vitin 1991, në rajonin tonë janë shfaqur një numër i madh grupesh terroriste. Përgjithësisht, këto struktura terroriste kanë vënë në shënjestër forcat e koalicionit dhe partnerët e tyre lokalë, të cilët i konsideron si “pushtues” në Lindjen e Mesme.

Organizatat terroriste, të cilat në proces e sipër nuk shtrëngoheshin dot më në Lindjen e Mesme, nisën të ndahen e kristalizohen dhe çdo organizatë e sapokrijuar bëri që pararendësja të kërkohet me qiri. Sa më shumë që fuqitë apo shtetet dominuese rritën dhe zgjeruan masat kundër sulmeve terroriste, aq më tepër u rinovua dhe rigjenerua terrorizmi. Sa më shumë që shtetet sovrane moderne përforcuan mekanizmat mbrojtëse të tyre, aq më tepër i thjeshtoi argumentet dhe armët e tij sulmuese terrorizmi.

Një temë shumë e rëndësishme është po ashtu fakti që gati i tërë kuadri drejtues i organizatës terroriste DAESH, sot problemi kryesor i botës islame dhe i disa shteteve të Evropës Perëndimore, formohet nga qytetarë të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian, Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Kanadasë.

Krahas sociologëve dhe sociopsikologëve, punë mjaft serioze për këtë çështje duhet të bëjnë gjithashtu ekspertët e sociologjisë fetare. Ata duhet me domosdo të shpjegojnë pse një qytetar francez, gjerman ose norvegjez, që ka shijuar plot kënaqësi të jetës, zgjedh kushtet e vështira të jetesës në aksin Siri-Irak dhe më pas merr një biletë njëdrejtimëshe me pikëmbërritje vdekjen. Masat e shumta, që vendet perëndimore kanë marrë kundër terrorizmit, po rezultojnë dëshpërimisht të dështuara. Të gjitha mundësitë teknologjike dhe monitorimet holografike janë të pafuqishme. Me metodën e quajtur “terrorizmi i gjeneratës së re”, që vetë ata kanë perfeksionuar, terroristët kanë mënjanuar të gjitha armët e zakonshme.

Tani ata po përdorin madje dhe nevojat thelbësore të njeriut si argumente dhe logjistikë terroriste. Muret e sigurisë me vlerë qindra-miliardë dollarë janë të pafuqishëm ndaj terrorizmit të gjeneratës së re. Barrikadat fizike dhe elektronike janë bërë më të holla dhe më të brishta se letra.

Sot janë të ndryshëm edhe terroristët apo militantët e terrorizmit të gjeneratës së re. Ata nuk janë më tipa atletikë, të fortë dhe me trup muskulor si Ramboja, të stërvitur nëpër kampe si dikur. Në këtë periudhë të re, organizatat terroriste i fshijnë nga regjistrat e kontabilitetit artikujt e tyre të trajnimit dhe transferimit të militantëve. Tashmë një terrorist i pamëshirshëm nuk është më individ i tonifikuar, me muskulaturë të zhvilluar, sportiv dhe me shikim të mprehtë. Një i ngathët dhe i plogët në maksimum, madje dhe një i varur nga cigarja, alkooli dhe droga gjer në atë shkallë sa t’i merret fryma po të vrapojë 100 metra, mund të jetë terrorist i gjeneratës së re.

Me sa pamë edhe nga sulmet e fundit në Barcelonë, tashmë përdorimi i armëve nga terroristët është mungesë profesionizmi. Ata i humbasin të gjitha përleshjet e armatosura në zonat urbane. Edhe pse kaq të paaftë në konfrontimet e drejtpërdrejta apo luftimet në rrugë, terroristët e gjeneratës së re janë në gjendje të bëjnë akte me efekt më të lartë dhe me kosto zero.

Tjetër çështje, që duhet diskutuar patjetër, është ajo se të gjithë terroristët, që kanë kryer këtë metodë të re sulmesh në Evropë, janë qytetarë evropianë.

Arma e terroristit të gjeneratës së re nuk është më pistoleta, bomba apo pushka. Mjetet motorike, të cilat janë të ligjshme dhe të pafajshme në çdo vend, po përdoren si një armë e re e terrorizmit të rigjeneruar.

Unë e kam të pamundur që ta di se sa e ndërgjegjshme është bota për këtë rrezik, por shpresa më shuhet kur shoh masat e marra. Në vendet evropiane, masat kundër sulmeve të këtij lloji janë të ngjashme me jelekun antiplumb prej kartoni.

Fatkeqësisht, Evropa dhe Lindja e Mesme, dy anë të botës në përgjithësi dhe të Turqisë në veçanti, janë kthyer tashmë në fushë veprimi të këtij terrorizmi të ri. Terroristët ose u turren civilëve me një automjet, ose kryejnë sulme me thika si dishepujt e Hassan-i Sabbah.

Bota nuk ka asnjë lloj akumulimi lidhur me këtë terrorizëm të gjeneratës së re, por nuk është as e gatshme të krijojë një koalicion të ri. Madje s’duan që t’i bashkojnë forcat.

Për shembull, terroristëve kriminelë, që kërkohen nga Turqia përmes Interpolit, u mundësohen lehtësime të çdo lloji. Padyshim që s’përpiqen as për t’i ndaluar në paraburgim. Ose nuk japin pothuajse asnjë informacion rreth qytetarëve të tyre, që i bashkohen organizatës terroriste DAESH. Sa për terroristët me origjinë evropiane, të kapur nga Turqia për anëtarësim në DAESH, ata s’ofrojnë as grimcën më të vogël të informacionit. Kjo përplasje apo çarje e pakuptimtë dhe aspak racionale ndihmon organizatën tororiste, dashur pa dashur. Në këtë mënyrë, terroristët mund të kryejnë me shumë lehtësi sulme të llojllojshme kundër civilëve në Evropë…/ trt

Lektor i historisë në Fakultetin e Shkencave Humane dhe Sociale të Universitetit “Yildirim Beyazit”, Ankara

OPINIONE