Koment – Vallë ky të jetë fundi i qytetërimit perëndimor?

Autor: Erdal Simsek*

Turqia mirëpriti javën e kaluar një takim shumë të rëndësishëm. Takimi quhej Forumi Ndërkombëtar i Qytetërimeve. Fjalimi i mbajtur atje nga Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, ishte një shënim me peshë madhore në faqet e historisë. Për shkak të turbulencës së botës perëndimore për të merituar vlerat e saj, unë s’kam parë ende sot një perëndimor që ta komentojë atë fjalim. Por jam më se i bindur që nesër do të flasin, debatojnë dhe shkruajnë gjerë e gjatë mbi këtë çështje.

Si një shkrimtar e akademik, unë personalisht u ndjeva shumë i turpëruar që këtë krizë qytetërimesh, të cilën duhet ta trajtojnë filozofët e shkrimtarët, e ngriti në rend të ditës lideri i Turqisë, Erdogan.

Shkurtimisht, z. Erdogan u shpreh në takim me këto fjalë: “Ne po luftojmë për qytetërim. Jemi duke u përpjekur jo për ndërtimin e qytetërimit tonë, por për gjallërimin dhe lartësimin e tij. Duke qenë se janë besimet ato, që përcaktojnë thelbin e qytetërimit, atëherë edhe ne duhet patjetër të shpalosim dallimin tonë. Edhe pse shkenca dhe teknologjia janë mjaft të rëndësishme, ajo çfarë del në pah kur injoroni besimin dhe solidarizimin shoqëror nuk është qytetërim për ne. Në qytetërimin tonë, njeriu është krijesa më e nderuar dhe respektuar.”

Në të sotmen, të kallin tmerrin zhvillimet lidhur me të drejtat universale të njeriut, për të cilat bota perëndimore s’pushon së foluri që prej viteve 1950. Siç e nënvizoi edhe presidenti i Republikës së Turqisë në atë takim, sot, termat e tilla si demokracia, drejtësia dhe Deklarata Universale për të Drejtat e Njeriut nuk kanë më asnjë kuptim kur bëhet fjalë për interesat perëndimore.

Shembulli më konkret për këtë është fare i freskët: Bota perëndimore mbështeti një referendum të jashtëligjshëm dhe antikushtetues, që u realizua në pjesën veriore të Irakut, ndërkohë që vlerëson si të pavlefshëm referendumin në rajonin katalonas të Spanjës. Perëndimi nuk pa aspak konfiskimin e kutive të votimit dhe forcën joproporcionale të policisë. Bota perëndimore heshti edhe ndaj vendimeve arbitrare e të paligjshme të Gjykatës së Lartë spanjolle kundër politikanëve katalonas. Sepse këto zhvillime po përjetohen në botën perëndimore dhe heshtja karshi tyre është në interes të perëndimit. Apo jo?!

Si të mos mjaftonin këto, Madridi zyrtar shfuqizoi autonominë e Katalonjës dhe vendosi për organizimin e zgjedhjeve lokale brenda jo më shumë se 6 muajsh. Kurse Senati i Spanjës i transferoi qeverisë qendrore kompetencat e administratës lokale katalonase duke autorizuar Madridin, kështu, për të qeverisur direkt rajonin autonom. Siç e përmenda edhe më sipër, ngjarjet po kanë të ngjarë në Perëndim dhe interesat perëndimore në këtë rast kërkojnë heshtjen.

Mirëpo çfarë ndodhi me Perëndimin? Ç’i gjeti intelektualët perëndimorë, që u rebeluan e revoltuan kundër Romës dhe Cezarit, diktatorëve, feudalëve, mbretërve dhe mbretëreshave?

Nëse heshtin apo nuk guxojnë të ngrenë zërin intelektualët e një rajoni të botës, qoftë në Perëndim apo në Lindje, atëherë kjo do të thotë se botës i është prishur ekuilibri. Vallë a nuk është kjo arsyeja pse ushtritë perëndimore kanë masakruar rreth 4 milionë njerëz në Lindjen e Mesme që nga viti 2001 e këtej?! Madje 80 për qind e tyre ishin gra, fëmijë dhe civilë. A mund të ishin ushtritë perëndimore kaq të pamatura nëse intelektualët e tyre do të ishin në gjendje të kundërshtonin këtë situatë?

Ç’u bë me pasuesit e intelektualëve, që sfiduan tiranë si Hitleri, Mussolini, Stalini dhe Churchilli? Sa është sot në botën perëndimore numri i atyre, që shkruajnë diçka në emër të filozofisë? Madje dhe artikujt e nivelit të revistave lexohen nga jo më shumë se 200-300 njerëz. Kjo është një situatë e rëndë. Në fakt, është pika më e ulët e njerëzimit.

Realisht, edhe në Lindje s’mund të flitet për një situatë më të mirë në këtë aspekt. Edhe pse s’kanë rënë kaq poshtë sa në Perëndim, artikujt filozofikë gjithsesi nuk lexohen në nivelin e dëshiruar.

Me përhapjen e kapitalit dhe metodat e reja të prodhimit pas 1980-s, njeriu i botës perëndimore iu largua kërkimit të njohurisë dhe mençurisë. Njerëzimi çoi në stratosferë demagogjinë e konsumit të viteve 1960. Sa më shumë ai konsumonte, aq më tepër kohë do të shpenzonte në shërbim të kapitalit. Dhe, si pasojë, ra në grackën e kallëpit të ngushtë të kulturës popullore duke u bërë peng i saj.

Perëndimi u transformua në një botë shoqërish e komunitetesh, të cilat nuk vënë në pyetje asgjë, i janë dorëzuar dhe i besojnë strukturës dominuese. Dhe sot, teksa mijëra homogjenë (të së njëjtit lloji) të tyre vriten çdo ditë në Lindje, Lindjen e Mesme dhe Afrikë me vendim të hegjemonëve politikë të Perëndimit, ata (perëndimorët) shikojnë filmat e tyre shumëdimensionalë duke ngrënë pupagjela. Mirëpo kjo dramë filloi t’u afrohet vetë atyre dalëngadalë. Të gjitha kryeqytetet perëndimore janë po aq të rrezikshme sa edhe kryeqytetet e vendeve në luftë civile.

Shoqëria perëndimore nuk ka çare tjetër përveçse t’u bindet urdhrave të hegjemonëve, sepse nuk kanë mendimtarë, liderë me nderin e intelektualit, kundër kësaj ecurie të rrezikshme.

Nga ana tjetër, krahas intelektualëve produktivë, Turqia ka edhe një president me vizionin e qytetërimit. Kreu i shtetit turk, Recep Tayyip Erdogan, tërheq vëmendjen patjetër mbi qytetërimin në të gjitha takimet ndërkombëtare politike dhe ekonomike, ku merr pjesë.

Së fundmi, në Forumin Ndërkombëtar të Qytetërimeve, ai ngriti përsëri në rend të ditës vorbullën, që po rrëmben njerëzimin.

Organizata terroriste DAESH po çrrënjoset nga rajoni ynë me ndërhyrjen e jashtëzakonshme të Turqisë. Tashmë edhe financuesit dhe përkrahësit e kësaj organizate gjakatare e kanë parë e kuptuar se ajo s’ka më shans të jetojë në rajonin tonë. Në kuadrot drejtuese të DAESH-it ka me mijëra perëndimorë anëtarë të kësaj organizate. Pasi kjo organizatë terroriste të jetë zbythur e dëbuar plotësisht nga Lindja e Mesme, anëtarët perëndimorë të DAESH-it do të kthehen në vendet e tyre të origjinës, ku ata do të shndërrohen në burim problemesh të nivele serioze.

Racizmi dhe nazizmi në rritje, të provokuara nga qasjet populiste të politikanëve në Perëndim, do të përplasen sa hap e mbyll sytë me një tjetër koncept terrorist pjellë e tyre.

Kjo përplasje do të shkundë të gjitha shoqëritë perëndimore. Çfarë do të bëjë Perëndimi? Vallë a do t’i adresohet demokracisë apo kulturës margjinalizuese dhe destruktive kundër pjellave të tyre terroriste, sikurse vepron në Lindje duke hequr dorë nga demokracia kur bëhet fjalë për interesat e tij? Këtë do ta tregojë koha dhe ne të gjithë do ta shohim.

Megjithatë fshirja me gomë e qytetërimit perëndimor në përgjithësi do të ishte injorancë, për thënë pak. Jam i bindur se bota perëndimore do të arrijë vlerat universale si rezultat i një konflikti të ri të brendshëm. Sepse kombet themeluese të qytetërimeve, në çdo periudhë të historisë, demonstrojnë patjetër një qëndrim të denjë për të kaluarën e tyre historike. Ndoshta pjesa dërrmuese e atyre kombeve nuk janë sot të vetëdijshëm për përgjegjësinë e tyre historike. Por, si refleks, i përmbushin përgjegjësitë e këtij misioni./ TRT

* Lektor i historisë në Fakultetin e Shkencave Humane dhe Sociale të Universitetit “Yildirim Beyazit”, Ankara

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne