Një nga projektligjet të cilin Edi Rama, e ka promovuar në mënyrë konstante edhe kur përballë ka patur një barrikadë të madhe gazetarësh, shoqatash dhe grupesh interesi, ka qenë paketa e ashtuquajtur “anti-shpifje”.
Komisioni i Venecias, duket se i ka dhënë fund ëndrrës së kryeministrit, për të krijuar një ligj, që do të sillte kontrollin e mediave online.
Në draft Opinionin, të cilin TPZ.al e disponon, Komisioni i Venecias ka identifikuar problematikat serioze që paraqet propozimi i qeverisë dhe ka rekomanduar rishikimin e tyre. Aty flitet për rolin mjaft problematik të AMA-s, një organ me pavarësi politike të diskutueshme, gjobat jo proporcionale që mund të paralizojnë portalet mediatike dhe mungesën e një mekanizmi të pavarur të ankesave.
Komisioni i Venecias ka identifikuar këto problematika thelbësore të “paketës anti-shpifje” të Edi Ramës:
– Qëllimi i hartuesve është të zgjerojnë fuqitë e KA/AMA tek mediat profesionale online – ato që ushtrojnë kontroll editorial mbi publikimet e tyre. Sidoqoftë, kjo nuk është e përcaktuar qartë në ligj dhe ekziston një risk që individë blogerë, përdorues të rrjeteve sociale, etj, do të targetohen nga ky ligj; është thelbësore që drafti të përjashtojë nga aplikimi i ligjit, të gjithë portalet online, jo mediatike.
– Ligji kërkon heqjen e anonimitetit të çdo resuri mediatik shqiptar. Kjo mund të jetë në kundërshtim me standartet europiane, lidhur me respektimin e vullnetit të përdoruesve, për të mos shfaqur identitetin e tyre. Gjithashtu, është e paqartë nëse kjo masë do të ishte efektive.
– KA/ AMA-s i jepen fuqi administrative në raport me mediat online. Kjo është problematike, sa i përket lirisë së shprehjes të mediave online dhe duket qenë se ka pikëpyetje lidhur me pavarësinë e këtyre organeve; këto fuqi të reja nuk duhet t’u caktohen këtyre organeve, pa u siguruar se ato janë së pari të pavarura nga partitë politike, bizneset e mëdha të mediave, apo interesave të tjera të bizneseve të lidhura me politikën.
– Duke konsideruar se KA/AMA, mund të ndërhyjnë në ushtrimin e lirisë së medias dhe se pavarësia e tyre është në pikëpyetje, procedura e ankimimit, nuk ofron mbrojtje proceduriale: KA/ AMA mund të vendosin, me një procedurë shumë të shpejt administrative, gjoba të rënda të cilat ekzekutohen menjëherë dhe të urdhërojnë heqjen e përmbajtjeve online, me një efekt të menjëhershëm.
– “Kapaciteti ekonomik” i portalit mediatik nuk është një faktor, në përcaktimin e shumës së gjobës, gjë që mund të sjellë situata ku aktiviteti i portaleve mediatike më të vogla (apo blogerëve) të paralizohet nga gjoba disproporcionale. Kjo do ta shumëfishonte efektin negativ të këtyre dispozitave dhe do të sillte auto-censurë dhe një përkeqësim të debatit politik, thelbësorë në një demokraci.
Komisioni i Venecias shprehet se ky projekligj mund të sjellë më shumë dëme për lirinë e shprehjes se sa përfitime.
“Komisioni i Venecias rekomandon të rishikohet adoptimi i ligjit…Problemet e idenfikuara nga autoritetet shqiptare mund të jenë serioze, por mjetet ligjore të përfshira në amendamentet ligjore mund të sjellin më shumë dëme se sa përfitime, për lirinë e shprehjes në Shqipëri, në raport me mediat online“, thuhet në konkluzionin e draft opinioni të Komisionit të Venecias.
Pavarësisht se aktorë të ndryshë, dhe grupe interesi në Shqipëri, ngritën zërin fort kundër paketës së Ramës, si një përpjekje për censurë ndaj mediave online, qeveria nuk u tërhoq. Në fund socialistët vendosën të presin opinionin e Komisionit të Venecias, që tashmë dëshmon qartë, se ligji i tyre është i denjë vetëm për një regjim autokratik dhe kurrësesi për një vend demokratik.
/TPZ