Kompanitë turke të interesuara për marrje në koncesion aeroportet e Malit të Zi

Disa kompani turke janë tejet të interesuara për marrjen me koncesion të aeroporteve të Malit të Zi. Për këtë projekt kanë treguar interesim edhe disa kompani të tjera evropiane. Kështu u tha në takimin që ministri i Komunikacionit, Osman Nurkoviq pati me Ambasadoren e Turqisë në Mal të Zi, Songul Ozan. Në takim është thënë se bashkëpunimi midis dy vendeve po shënon rritje në çdo fushë e veçanërisht në fushën e ekonomisë dhe në politikë. Në takim po ashtu u tha se ende ka hapësirë për forcimin e këtyre marrëdhënieve duke bashkëpunuar në rritjen e shkëmbimit tregtar. Ministri Nurkoviq ka shtuar se është rritur interesimi i investitorëve nga Turqia për të investuar në degë të ndryshme dhe në periudhën e ardhshme priten lidhje ekonomike akoma më të forta. Ai e njoftoi Ambasadoren Ozan me takimin që ka pasur me shoqatën e investitorëve turq në Mal të Zi që numëron 45 kompani, prej të cilave disa me sukses të plotë zhvillojnë veprimtaritë e tyre këtu. Ambasadorja Songul Ozan nga ana e saj tha se Mali i Zi ka një të ardhme të ndritur, është shembull i stabilitetit në rajon, andaj ekonomia turke shansin e saj këtu e sheh në investime në shumë fusha.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne