Shqiperia

Koncesion për deputetin e PS/ Kompania e Sadri Abazit do të ndërtojë HEC-in në Kukur

Alko Impex, kompania e lidhur me deputetin e Partisë Socialiste Sadri Abazi është shpallur fituese e konçesionit për ndërtimin e hidrocentralit të Kukurit. Ministria e Energjisë njoftoi se pas shqyrtimit të ofertave, ka vendosur që ndërtimi i HEC-it me vlerë 304.6 milionë lekë t’i jepet kompanisë, e cila drejtohet nga nipi i deputetit socialist.

“Ministria e Energjisë dhe Industrisë lajmëron Z. Arbër Abazi, Përfaqësues ligjor i Degës se Përfaqësimit ne Shqipëri te Shoqërisë “Alko – Impex General Construction” dege e shoqërisë se huaj, me adrese: Rruga “Reshit Petrela”, Kompleksi Usluga, Kati 8, Tiranë, se oferta e paraqitur më datë 10 Korrik 2017, për marrjen me koncesion te hidrocentralit “Kukur”, është pranuar,- thuhet në njoftimin zyrtar të shpallur në Agjencinë e Prokurimeve.

Hidrocentrali i Kukurit do të ketë një fuqi të instaluar prej 4.3 megavat. Sipas projektit të paraqitur në tender prodhimi mesatar i tij llogaritet në 16.1 milionë kilovat orë energji në vit.

auto_hec-i1504101293

Sipas njoftimit të publikuar në faqen e APP, në tenderin për dhënien me konçesion të këtij hidrocentrali u paraqitën dy kompani; shoqëria Doko dhe ajo Alko Impex. Por Doko nuk ka dorëzuar ofertë, rrjedhimisht oferta e vetme ishte ajo e kompanisë së lidhur me deputetin socialist, Sadri Abazi.

Dhënia e kontratave publike kompanive të lidhura më zyrtarët e maxhorancës ka qenë një nga fenomenet më të denoncuara nga opozita gjatë viteve të fundit. Alko Impex ka qenë një nga firmat më të denoncuara nga opozita si fituese e tenderave publikë. Vetë kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka akuzuar publikisht se kjo kompani ka marrë mbi 40 tendera publike gjatë qeverisjes së socialistëve me vlerë dhjetëra milionë dollarë.

OPINIONE