Koncesioni i dializës/ Manastirliu i autorizon shitjen një firme suedeze me zero lek në bilanc, AK e kundërshton

Koncesioni i Dializës i është shitur një kompanie suedeze që deklaron zero fitime në bilancin financiar dhe pa eksperiencë në fushën e shëndetësisë. Çështja zbulohet nga përplasja e Ministrisë së Shëndetësisë me Autoritetin e Konkurrencës (AK), i cili nuk pranon ta quajë të ligjshëm transaksionin.

Dyshimet

Komisioni i Konkurrencës, i drejtuar nga Juliana Prifti, ka marrë nga Drejtoria e Analizës një përshkrim të situatës së dyshimtë financiare të blerësit. Pas kësaj, Prifti i ka kërkuar me insistim Manastirliut të dorëzojë planin e biznesit të koncesionarit të ri dhe raportin e Njësisë së Mbikëqyrjes së Koncesioneve. Ministria ka dërguar disa përgjigje të paplota, ku jep pëlqimin për këtë ndryshim pronësie në koncesion, por nuk e ka bindur Konkurrencën.  Në këto kushte, AK nuk ka miratuar përqëndrimin e realizuar me blerjen e këtij koncesioni.

Vendimi

Vendimi i AK quhet “Për mos klasifikimin si përqendrim të njoftimit mbi përftimin e kontrollit të shoqërisë DiaVita SHPK nga shoqëria Diaverum International AB dhe dhënien e rekomandimeve Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale” (Burimi: Buletini i vendimeve të Autoritetit të Konkurrencës). Që nga shtatori i vitit të kaluar, AK nuk ka marrë një vendim të ri, kësisoj koncesioni i Dializës i Ministrisë së Shëndetësisë rezulton akoma i papërputhur me ligjin e koncesioneve.

Transaksioni

AK është njoftuar në lidhje me përftimin e kontrollit të shoqërisë DiaVita SHPK nga shoqëria Diaverum International AB. Referuar dy marrëveshjeve të lidhura në datë 25 qershor 2019 “Marrëveshja për shitblerjen e aksioneve”, palët në transaksion janë: Blerësi Diaverum International AB , është një shoqëri e regjistruar në Suedi, më 2011, me aktivitet administrimin e aksioneve dhe letrave me vlerë, me kapital aksionar i cili nuk është më i vogël se 50.000 sek (korona suedeze) dhe jo më shumë se 200,000 sek, sipas Aktit të Themelimit.

Shitësi Evita SHPK, është themeluar në Shqipëri më 14 maj 2013. Ajo zotëron 85% të aksioneve të shoqërisë Dia Vita SHPK. Shitës është edhe American Hospital SHA, i cili zotëron 15% të aksioneve të Dia Vita SHPK. Kjo e fundit, është krijuar më 15 tetor 2015 në Shqipëri. Objekt i aktivitetit të saj është zbatimi  kontratës së koncesionit/PPP “Për shërbimin e hemodializës pranë spitaleve rajonale në Shkodër, Lezhë, Korçë, Vlorë dhe Elbasan”. Kjo kontratë është nënshkruar më 10 shkurt 2016 me Ministrinë e Shëndetësisë.

Letrat

Në funksion të vlerësimit të transaksionit i është dërguar palëve shitëse shkresa  “Kërkesë për informacion”,  mbi pasqyrat financiare të palëve shitëse; të dhëna të hollësishme mbi arsyet ekonomike te përqendrimit; si dhe përfitimet që do të sjellë për tregun dhe konsumatorët ky transaksion.

“Dokumentacioni i depozituar nga palët i paqartë”, thekson komisioni. I është dërguar sërish kërkesë pales për informacion mbi adresën zyrtare të shoqërisë “Diaverum International AB”; pasqyrat financiare dhe xhiron në tregun ndërkombëtare për vitin e fundit financiar; statutin e shoqërisë, ortakët themelues dhe struktura aktuale e ortakërisë.

Për shoqërinë target dhe palën blerëse u kërkua informacion mbi blerjet e realizuara prej tyre gjatë 3 viteve të fundit dhe pasqyrat financiare.

“Dokumentacioni i paraqitur nga pala njoftuese, nuk i dha përgjigje pyetjeve dhe kërkesave të AK, ku ndër të tjera mungojnë përgjigjet: Cilët janë ortakët themelues të ndërmarrjes “Diaverum International AB” dhe struktura aktuale e ortakërisë; Po ashtu palët pjesëmarrëse në transaksion nuk dorëzuan dokumentet e kërkuara”, shkruhet në vendimin e AK.

Ndërkaq, i janë drejtuar tre shkresa Ministrisë së Shëndetësisë ku i kërkohet informacion me qëllim vlerësimin e aftësisë konkurruese të shoqërisë që pritet të hyj në tregun e shërbimit të hemodializës.

Pas shumë letrash mes Priftit dhe Manastirliut, Ministria nxorri vetëm një shkresë drejtuar administratorit të DiaVita SHPK, ku shprehet: “Dakord për vazhdimin e procedurës të ndryshimit të strukturës së ortakërisë së shoqërisë koncesionare Diavita SHPK”

“Dokumentacioni i paraqitur nga Ministria e Shëndetësië ishte i paqartë dhe i paplotë, për këto arsye, AK i kërkoi sërish në shtator 2019 ministrisë të shprehet me shkrim, ashtu siç e kërkon ligji”, nënvizon vendimi.

“Dokumentacioni i paraqitur, në emrat e përdorur për palën blerëse është i paqartë, ai i referohet shoqërisë blerëse Diaverum International AB, si një shoqëri e cila ka objekt të veprimtarisë së saj shërbimin e hemodializës, kur objekti i veprimtarisë së saj, ashtu siç rezulton nga Akti themelimit është zotërimi dhe administrimi i aksioneve, letrave me vlerë dhe aktivitetet e lidhura me to”, arsyeton AK.

Sipas pasqyrave financiare të shoqërisë Diaverum International AB për vitin 2018, “Xhiroja e shoqërisë Diaverum International AB në 2018 ndërkombëtarësh dhe në Shqipëri ka qenë në vlerën 0”.

Bazuar në ligj, që një transaksion i njoftuar të marrë një autorizim në Autoritetin e Konkurrencës, xhiroja e palëve pjesëmarrëse në transaksion në tregun ndërkombëtar duhet të jetë me shumë se 7 miliard lekë. Sërish vendimi i rekomandon Ministrisë së Shëndetësisë që “transferimi i çdo të drejte ekskluzive ose te veçantë të shoqërohet nga vlerësimi i kriterit të përshtatshmërisë sipas ligjit”./TPZ

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne