Konferenca AIPAC, spikat “mbështetja amerikane për Izraelin”

Në konferencën vjetore të Komitetit të Marrëdhënieve Publike Amerikano-Izraelite (AIPAC) për vitin 2017, zv/presidenti amerikan Mike Pence dhe Përfaqësuesja e Përhershme e SHBA-ve në Organizatën e Kombeve të Bashkuara (OKB) Nikki Haley, të cilët morën pjesë në konferencë, theksuan mbështetjen e pakushtëzuar që administrata e Donald Trump jep për Tel Avivin, raporton Anadolu Agency (AA).

Konferenca AIPAC 2017, e cila konsiderohet “mbledhja më e madhe e lëvizjeve pro-izraelite në SHBA” dhe e cila filloi ditën e diel, përfundoi pas seancave që zgjatën tri ditë.

Teksa vëmendje tërhoqën mesazhet e mbështetjes së fuqishme për qeverinë izraelite nga Pence dhe Haley, pa u vërejtur nuk ngeli as falënderimi për presidentin amerikan Donald Trump nga Benjamin Netanyahu gjatë fjalës së tij përmes video-lidhjes direkte.

Zv/presidenti Pence, i cili theksoi se Izraeli është aleat i pandashëm i SHBA-ve, tërhoqi vëmendjen se “Pas dhjetë viteve që kaluan vetëm me fjalë, presidenti amerikan po shqyrton seriozisht shpërnguljen e ambasadës amerikane nga Tel Avivi në Jerusalem”.

Ndërkaq, Haley, njëra nga emrat të cilën lobi izraelit e ka mbështetur më së shumti, gjatë fjalës së saj tha se “Tanimë kanë ngelur mbrapa ditët kur Izraeli sulmohej”, duke marrë duartrokitje të fuqishme nga të pranishmit në sallë.

Haley tha se rezoluta e miratuar gjatë mandatit të presidentit Barack Obama në Këshillin e Sigurimit të OKB-së kundër Izraelit i ka treguar SHBA-të të dobëta. “Ajo që pamë në rezolutën 2334 nuk do të ndodhë më asnjëherë dhe askush nuk do ta vë në pikëpyetje mbështetjen tonë për Izraelin”, u shpreh Haley, duke shtuar se do të ndjekin ata që punojnë kundër Izraelit.

Nga ana tjetër, kryeministri Netanyahu, në fjalën e tij përmes lidhjes direkte nga Tel Avivi një ditë më parë, vuri theks mbi mbështetjen e administratës Trumo në shumë fusha. “Këtë mund ta shihni në buxhetin që kërkoi presidenti Trump; teksa rriten shtrëngimet financiare, ndihmat ushtarake të ndara për Izraelin kanë ngelur të njëjtë”, vazhdoi Netanyahu.

Ndërkaq, ditën e diel para ndërtesës kur organizohet mbledhja në kryeqytet dhe para Shtëpisë së Bardhë u organizuan protesta. Qindra persona që protestuan kundër AIPAC-ut, hodhën slogane kundër Izraelit dhe pro Palestinës. Ata reaguan kundër pjesëmarrësve në AIPAC, duke kërkuar që Izraeli të njohë të drejtat e Palestinës dhe të mundësojë zgjidhjen me dy shtete.

Në konferencën e vitit të kaluar AIPAC 2016, Donald Trump, atëkohë kandidat presidencial nga radhët e Republikanëve, në fjalën e tij ishte zotuar për mbështetje të plotë për qeverinë izraelite.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne

Powered by WordPress