Konferenca e Ambasadorëve, reagon Berisha: Shqipëria vendi i vetëm në Europe ku 3 liderët e opozitës janë në arrest apo ndjekje penale!

Ish-kryeministri Sali Berisha, njëherësh kryetari i PD-së, ka reaguar pas Konferencës së kreut të qeverisë, Edi Rama me trupën diplomatike në vend. Në një konferencë nga arresti shtëpiak, Sali Berisha është shprehur se kryeministri nuk tha asnjë fjalë për marrëdhëniet me grira më Kosovë, Malin e Zi apo dhe me Greqinë pas zgjedhjeve në Himarë.

Po ashtu Berisha foli dhe për rastin e tij, teksa tha se Shqipëria tashmë është i vetmi vend në Europë, ku tre liderët e opozitës janë në arrest, apo në ndjekje penale.

“Të gjitha këto, sepse Tirana e Edi Ramës, Tirana zyrtare, nuk respekton asnjë parim të rregullojë marrëdhëniet ndërshtetërore, ndjek vetëm interesa mafioze, vetëm interesa klienteliste në marrëdhëniet ndërkombëtare.

Së dyti, mashtroi, siç është zakon. E vërteta është se dhjetorin që kaloi, ndonëse u shpall me të madhe në Tiranë nga miqtë e Edi Ramës, se në dhjetor do të hapej kapitulli i parë i negociatave, në dhjetor Këshilli Europian dhe Komisioni Europian i vendosën 5 kushte të reja.

Shqipëria sot është vendi i burgosjeve politike, i persekutimit politik. Shqipëria sot është vendi i vetëm në Europë në të cilën 3 liderë të partive kryesore opozitare janë në arrest, ose në ndjekje penale.

Pra, jo që s’ka progres, por në një rast unik po bën 4 vite që nga dita e vendimit për të hapur negocita, e vendimit në parim, por negociatat nuk janë hapur për kapitujt dhe kjo për shkak të qendrimeve anti-demokratike, anti-kushtetuese të Edi Ramës.

Edi Rama në këtë takim u përpoq t’i jepte ngjyrat e zeza partiake diplomacisë shqiptare, ta paraqesë atë si diplomacinë e partisë shtet. Në këtë kontekst, jam i bindur se  një diplomaci në funskion të interesave në funksion të Edi Ramës është një diplomaci në dëm të madh të interesave të Shqipërisë dhe shqiptarëve.

Ndaj dhe unë iu bëj thirrje diplomatëve shqiptarë të qëndrojnë si përfaqësues të Shqipërisë, dhe jo të kreut të narko-shtetit, Edi Ramën”, u shpreh Berisha.

Bashkohu me ne!

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne