Kongresi Evropian i Intelektualëve Myslimanë

Prof. dr. Kudret BÜLBÜL*

Siç e përmendëm edhe në artikullin e mëparshëm, disa autorë dhe shtete perëndimore i afrohen Islamit Evropian me këndvështrimin e tyre duke e ngritur çështjen në përmasën e sigurisë. Përmes këshillave që kanë themeluar për të trajtuar çështjen në fjalë – siç është Këshilli Islam – ata sjellin në rend të ditës temat që ata i konsiderojnë si problematike. Struktura, anëtarët dhe opinionet e këtyre këshillave dhe të ngjashmeve me to, në thelb, mund të mos jenë përgjithësisht elementë që përvetësohen apo shihen si problematikë nga myslimanët. Nëse është kështu, atëherë nga myslimanët pritet që të zotërojnë më shumë agjendën e tyre dhe të shprehen rreth vetes me zë më të lartë.

Sigurisht, ka shumë punë që është bërë dhe që mund të bëhet ende nga myslimanët rezidentë në Perëndim për të kontrolluar dhe dominuar agjendën e tyre. Por unë do të ndalem vetëm mbi Kongresin Evropian të Intelektualëve Myslimanë.

Kongreset vjetore

Viktimizimet e shkaktuara nga proceset e globalizimit dhe veçanërisht nga synimet imperialiste (sikurse në Siri) po prodhojnë flukse intensive të emigracionit njerëzor. Në këtë proces, stilet e ndryshme të jetesës që dikur konsideroheshin si një element folklorit në vende të largëta, tashmë janë edhe më të ndërthurura. Kjo situatë e gërshetuar krijon paqartësi, shqetësim, frikë dhe reagim deri në një masë të caktuar. Në mjedise të tilla, jashtëzakonisht e dobishme në aspektin e shmangies së agjendave të padëshiruara dhe uljes së pakënaqësisë apo shqetësimit ndaj tyre do të ishte që të ardhurit me emigracion të shpreheshin më tepër, më bukur dhe më qartë.

Në këtë kontekst, intelektualët myslimanë rezidentë në Evropë mund të formojnë një platformë për të organizuar kongrese të zakonshme vjetore. Kongreset në fjalë mund t’i mbajnë çdo vit në një kryeqytet evropian si Parisi, Londra, Berlini, Brukseli e kështu me radhë. Ato mund të trajtojnë jo vetëm tema që do t’u mundësonin myslimanëve të shpreheshin më mirë, por edhe çështje mbi të cilat Evropa dhe njerëzimi zhvillon debate të zjarrta e intensive. Terrorizmi, racizmi, islamofobia, liria e shprehjes, arsimi, familja, rinia, bashkëjetesa, përdorimi i drogave, krimet në shkolla dhe shkëputja me forcë e fëmijëve nga familjet e tyre janë ndër të parat çështje që të vijnë në mendje.

Me rëndësi maksimale do të ishte që në të tilla kongrese, përveç intelektualëve myslimanë, të marrin pjesë gjithashtu emrat më në zë të fushës përkatëse, guvernatori dhe/apo kryetari i bashkisë së qytetit pritës të kongresit, zyrtarë të institucioneve të interesuara dhe autoritete shtetërore të atij vendi. Kështu, do të sigurohej që kongreset të mos jenë takime ndërmyslimane të mbyllura. Nëse problemet janë të përbashkëta, kërkimi i zgjidhjeve bashkë me shtresa të ndryshme nga vendi ku bashkëjetohet do të sillte rezultate më të shëndosha.

Një komunikatë e përvitshme e kongresit do të ishte jashtëzakonisht me vend si për të vënë në pah problematikën ashtu edhe për të udhëzuar duke shpjeguar se cila është zgjidhja për ta.

Përse intelektualët myslimanë?

Kongreset e këtij lloji mund të mendohen sigurisht edhe ndërmjet intelektualëve myslimanë, përfaqësuesve të shoqërisë civile, politikanëve, biznesmenëve, njerëzve të artit e kulturës. Madje do të ishte shumë e dobishme që të mbaheshin edhe mes tyre. Sidoqoftë, intelektualët në një shoqëri janë pala që mund takohet në vende të përbashkëta dhe të ndërtojë më lehtë dialog me pjesë të ndryshme të asaj shoqërie; të paktën kështu pritet të jetë. Nga ana tjetër, çështjet që do të diskutohen në kongrese duhet të kenë shumë dimensione të ndryshme, siç janë ato fetare, sociologjike, psikologjike, politike, ekonomike dhe kulturore. Prandaj më e drejtë do të ishte që ky të jetë kongres i intelektualëve dhe në subsesionet e tij të sigurohet gjithashtu pjesëmarrja e klerikëve, përfaqësuesve të organizatave joqeveritare, politikanëve, biznesmenëve, njerëzve të artit e kulturës.

Kontributet e mundshme të kongresit

Ky lloj kongresi me pjesëmarrjen e intelektualëve myslimanë, autoriteteve shtetërore përkatëse dhe palëve të interesuara mund të prodhojë rezultate pozitive në shumë aspekte.

Nga aspekti i komuniteteve myslimane: Intelektualët myslimanë që jetojnë në Evropë, për fat të keq, nuk takohen shpeshherë në platforma të përbashkëta. Ata shprehen shumë më tepër në platforma rajonale dhe vendore, siç janë organizatat fetare. Megjithëse problemet në Evropë janë të përbashkëta, zgjidhjet kërkohen më tepër në tradita të ndryshme, në përvojat e vendeve dhe në organizatat rajonale. Kongresi do t’u japë intelektualëve myslimanë së pari mundësinë për të diskutuar me hollësi problemet e tyre. Në aspektin e përkatësisë, myslimanët jetojnë në një mënyrë shumë të përçarë, siç është përkatësia shtetërore, ajo ideologjike, etnike, sektare, shekullare dhe komunitare. Disa duan të sjellin në Evropë (SHBA dhe Australi) ashtu siç janë zgjidhjet, traditat dhe përvojat që janë domethënëse për vendet e origjinës së tyre. Ky lloj kongresi mund të prodhojë rezultate të rëndësishme për të zhvilluar një pikëpamje dhe qasje të përbashkët. Në anën tjetër, një kongres apo platformë e tillë do të nxjerrë në plan të parë emrat, të cilët janë kompetentë për të folur në emër të myslimanëve. Kongresi do të dobësojë gjithashtu kërkimin e një zgjidhjeje jashtë tyre, sepse do t’u ofrojë intelektualëve myslimanë shansin për të përcaktuar atë që ata konsiderojnë si problem për veten e tyre dhe atë që ata propozojnë si zgjidhje.

Nga aspekti i shteteve të interesuara: Disa nga shtetet, të cilat janë strehë e më shumë myslimanëve në vendet e tyre, çështjet që kanë të bëjnë me myslimanët i ngrenë në rend të ditës për të kuptuar dhe për të gjetur zgjidhje, kurse disa shtete e bëjnë këtë për të asimiluar dhe manipuluar. Një kongres i tillë do të ndihmojë edhe shtetet që duan të prodhojnë zgjidhje me qëllime të mira, duke parë e vlerësuar më nga afër mundësitë dhe problemet që shkaktohen nga bashkëjetesa. Ai do të pengojë reflekset apo më saktë imponimet – ditur pa ditur – për të përkufizuar problemet në emër të myslimanëve dhe për të prodhuar zgjidhje që nuk mund të adoptohen prej tyre.

Nga aspekti i shoqërisë ku ata jetojnë: Aktorët joshtetërorë, organizatat joqeveritare, intelektualët dhe individët në vendet perëndimore mund të kenë kureshtje dhe shqetësime të natyrshme në lidhje me shoqëritë myslimane, sepse ata s’kanë shumë përvojë bashkëjetese me kaq shumë dallime në historinë e tyre. Shprehja e opinioneve dhe këndvështrimeve të tyre rreth zhvillimeve aktuale nga intelektualët myslimanë përmes kongresit, do të jetë deri diku përgjigje për këtë shqetësim dhe kureshtje të perëndimorëve. Nëse intelektualët myslimanë nuk u përgjigjen drejtpërsëdrejti shqetësimeve rreth tyre, absolutisht të tjerët do t’u përgjigjen disi atyre dhe në shumicën e rasteve përgjigjet do të jenë të gabuara.

Kongrese të tilla mund të prodhojnë praktika dhe koncepte jo vetëm në Evropë, por edhe në të gjitha hapësirat gjeografike ku myslimanët kanë shkuar nëpërmjet emigracionit apo ku ata përbëjnë pakicë. Në këtë kontekst, Kongresi i Intelektualëve Myslimanë mund të mbahet gjithashtu në Afrikë, Ballkan, Australi dhe gjetkë. Ndërsa në SHBA, pavarësisht se nuk organizohen plotësisht në këtë aspekt, disa kongrese kanë funksion të ngjashëm dhe ofrojnë kontribut të konsiderueshëm./ trt

*Dekan i Fakultetit të Shkencave Politike të Universitetit “Yildirim Beyazit”, Ankara

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne