Kongresisti amerikan Turner në Podgoricë: SHBA mbështet rrugën e Malit të Zi drejt BE-së

Mali i Zi ka marrëdhënie të forta me SHBA-në dhe NATO vlerëson mbështetjen dhe zërin e tij të fortë në aleancë, tha sot kongresisti amerikan Mike Turner në Podgoricë.

Turner udhëhoqi sot delegacionin e Kongresit të SHBA-së, i cili u takua me presidentin malazez Jakov Millatoviq.

Pas takimit, Turner u tha gazetarëve se SHBA-ja mbështet rrugën e Malit të Zi drejt Bashkimit Evropian (BE), duke shtuar se ky tranzicion është shumë i rëndësishëm. Ai falënderoi Millatoviqin për angazhimin e tij në ndërtimin e institucioneve demokratike të Malit të Zi. “Mali i Zi ka bërë përparim të madh këtu”, theksoi Turner.

Millatoviq ka thënë se gjatë bisedës me Turnerin ka dërguar mesazh të fortë se është i bindur se Mali i Zi mund të bëhet vendi në të cilin SHBA-ja ka më shumë besim në këtë pjesë të botës. Ai nënvizoi se ka një partneritet strategjik mes SHBA-së dhe Malit të Zi në kuadër të aleancës së NATO-s.

Millatoviq falënderoi Turnerin për mbështetjen e tij të mëparshme për zhvillimin demokratik të Malit të Zi si dhe për rolin e tij në kohën kur Mali i Zi u bë anëtar i NATO-s. “Ky lloj interesimi nga senatorët dhe kongresistët dhe nga administrata amerikane në përgjithësi, është një bazë e mirë për përmirësimin e mëtejshëm të miqësisë dhe partneritetit strategjik mes dy vendeve tona”, tha presidenti malazez.

Ai shtoi se ka kërkuar nga SHBA-ja mbështetje shtesë që Mali i Zi të jetë histori e suksesshme evropiane dhe sinjali më i mirë për të gjitha vendet e Evropës Lindore se procesi i zgjerimit të BE-së është i gjallë dhe i arritshëm. “Mendoj se partnerët tanë nga SHBA-ja pajtohen plotësisht se historia e anëtarësimit të Malit të Zi në BE është shumë më e madhe se vetë Mali i Zi”, tha Millatoviq.

I pyetur nëse është i sigurt se koalicioni pro-serb “Për të ardhmen e Malit të Zi” do të bëhet pjesë e qeverisë së ardhshme, për të cilën ai së fundmi tha se do të ishte e drejtë, ai koalicion do të mbështesë publikisht sanksionet kundër Rusisë dhe do të njohë pavarësinë e Kosovës, Millatoviq u përgjigj se ai ka pikëpamje të forta vetëm për çështjet parimore.

“Parimet janë si më poshtë – qeveria duhet të ndërtohet mbi parimet e përshpejtimit të rrugës së Malit të Zi drejt BE-së, anëtarësimit të besueshëm të tij në aleancën e NATO-s dhe, natyrisht, Malit të Zi si një fqinj i mirë në kontekstin e politikës së fqinjësisë së mirë”, deklaroi Millatoviq.

Presidenti malazez tha se përveç këtyre parimeve të politikës së jashtme, është e rëndësishme që qeveria të përshpejtojë reformat në drejtësi, në mënyrë që të forcojë më tej luftën kundër krimit dhe korrupsionit.

“Kam diskutuar me Turnerin edhe faktet se sa Mali i Zi ka qenë shtet i robëruar në periudhën e kaluar, sa poste të larta në gjyqësor ka pasur njerëz që kanë qenë pjesë e krimit të organizuar dhe korrupsionit. Këto janë të dhënat që i marrim përmes aplikacionit Sky, i cili na është dorëzuar përmes partnerëve tanë strategjikë nga Evropa dhe SHBA-ja”, tha Millatoviq./AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne