Konkluzionet e mundshme politike të Operacionit “Dega e Ullirit”

Nga Oytun Orhan*

Mori fund Operacioni “Dega e Ullirit”, që Turqia ndërmori në distriktin Afrin për të eliminuar praninë e YPG-së. Edhe pse muaji i parë i ofensivës ishte relativisht më i vështirë, operacioni mori vrull me thyerjen e qëndresës së YPG-së në zonën kufitare dhe rrethimi i Afrinit u realizua brenda një kohe të shkurtër. Në këtë proces, anëtarët e YPG-së evakuuan zonat rurale duke u tërhequr drejt qendrës së qytetit. Sipas parashikimeve, YPG-ja po bënte përgatitje për luftë urbane në qendër të Afrinit. Por, ndryshe nga ç’pritej, YPG-ja s’bëri kurrfarë rezistence as në qendër të distriktit dhe Afrini u mor nën kontroll nga Forcat e Armatosura të Turqisë (FAT) dhe Ushtria e Lirë Siriane (ULS) thuajse pa asnjë luftim.

Vlerësime të shpeshta u bënë në lidhje me përmasën ushtarake të Operacionit “Dega e Ullirit”. Megjithatë të paktën po kaq e rëndësishme është se çfarë do të bëhet me ecurinë e krizës siriane, luftën e Turqisë kundër YPG-së, ndikimet e mundshme në rivalitetin apo bashkëpunimin Turqi-SHBA në Siri, si dhe me efektet e YPG-së mbi aleancat kombëtare dhe ndërkombëtare pas kalimit të Afrinit në kontrollin e Turqisë.

Rezultati më i rëndësishëm i Operacionit “Dega e Ullirit” në aspektin e Turqisë është krijimi i frikësimit ushtarak. E detyruar të luftojë kundër një numri më të lartë militantësh dhe në një terren shumë herë më të vështirë në krahasim me Operacionin “Mburoja e Eufratit”, ushtria turke e përfundoi operacionin në një kohë mjaft të shkurtër dhe me shumë më pak humbje. Fare e qartë është gjithashtu se Turqisë, e cila shpalosi kapacitetin e saj ushtarak dhe vullnetin apo gatishmërinë për ta përdorur këtë deri në fund, do t’i forcohet karta për të luftuar kundër YPG-së në Menbixh dhe pjesën lindore të Eufratit. Mbi të gjitha, Shtetet e Bashkuara të Amerikës mund të pyesin veten se deri ku dhe si mund ta mbrojnë YPG-në, e cila nuk bëri dot kurrfarë qëndrese përballë FAT-it. Kjo situatë e re do ta shtrëngojë SHBA-në që të manovrojë në dy mënyra. Si opsion i parë, Amerika mund të bëjë disa lëshime në lidhje me Menbixhin për të kënaqur Turqinë. Ndërsa alternativa e dytë është forcimi i mburojës së saj për YPG-në në Menbixh. Sipas gjasës, SHBA-ja do të zgjedhë manovrën e dytë. Sepse ajo është e vetëdijshme që do ta humbasë YPG-në nëse nuk arrin ta mbrojë atë as në Menbixh, pas dështimit në Afrin. Në rast të një akordi të mundshëm Turqi-SHBA në Menbixh, YPG-ja mund të mendojë me të vërtetë që të marrë kahun e aleancës Iran/regjim.

Reagimi i popullatës arabe kundër YPG-së

Operacioni “Dega e Ullirit” do të brishtojë edhe bashkëpunimin e YPG-së me arabët në Menbixh dhe lindje të Eufratit. Në thelb, aleancat e themeluara nga YPG-ja me elementë arabë në kuadër të Forcave Demokratike të Sirisë (FDS) bazohen në interesa dhe motivacionin e fiseve arabe për të garantuar sigurinë e tyre lokale. Dihet që YPG-ja nuk ka pothuajse aspak legjitimitet në zonat me popullsi arabe të dendur. Menbixhi në veçanti është një qytet i dalluar si opozitar i regjimit që nga fillimi i krizës siriane dhe banorët e Menbixhit dominojnë gjithashtu Ushtrinë e Lirë Siriane. Rrjedhimisht, dobësia e YPG-së, zbuluar nëpërmjet Operacionit “Dega e Ullirit”, do të ndryshojë edhe perceptimet në Menbixh. Për më tepër, një pjesë e popullatës së Menbixhit organizon manifestime kundër YPG-së prej shumë kohësh dhe gjatë ditëve në vijim këto ngjarje mund të shtohen. Grupet që ruajnë rastin për të vepruar kundër YPG-së në Menbixh, aspirojnë të shohin dozën e seriozitetit të Turqisë për Menbixhin dhe të përcaktojnë qëndrimin e tyre në varësi të saj. Përtej retorikës, “Dega e Ullirit” është e rëndësishme gjithashtu në aspektin e demonstrimit të vullnetit/gatishmërisë së Turqisë për të përdorur fuqinë e saj ushtarake dhe treguar se YPG-ja s’ka asnjë shans për të rezistuar. Tashmë u kuptua që as presionet ndërkombëtare s’mund ta pengojnë më Turqinë.

Të paktën po aq e rëndësishme sa disfata e YPG-së në Afrin është edhe mënyra e humbjes së saj. Nëse s’do të merrej parasysh faza e parë e Operacionit “Dega e Ullirit”, në pah doli imazhi i një organizate të paaftë për të bërë sadopak qëndresë, që ka humbur vullnetin për të luftuar dhe që arratiset me të katra madje dhe nga qendra e qytetit. Kjo mund të shtyjë elementët sirianë brenda YPG-së që të pyesin veten për mos t’u sakrifikuar për objektivat rajonale të PKK-së. Pasoja natyrore e kësaj është se gjatë periudhës në vijim do të ketë një veçim të kuadrove të PKK-së dhe elementëve sirianë brenda YPG-së. Një e dhënë mbështetëse e këtij argumenti është divergjenca ndërmjet kuadrove të PKK-së dhe militantëve lokalë rreth asaj se si YPG-së i duhej të vepronte në qendrën e Afrinit. Ndërkohë që eprorët e PKK-së bënin thirrje për rezistencë në Afrin deri në ditën e fundit dhe kuadrot e Kandilit në Afrin ushtronin presion për opsionin e luftës, militantët lokalë refuzuan të pajtohen me këtë duke preferuar arratisjen.

Bashkëpunimi Rusi-Turqi mund të thellohet më shumë

Ekuilibri i ri i fuqive, i cili u krijua në zonat veriore të Sirisë me Operacionin “Dega e Ullirit”, do të ndikojë gjithashtu në fazën e zgjidhjes politike të krizës siriane. Së bashku me FAT-in, opozitarët sirianë dalin po ashtu si një aktor gjithnjë e më i fuqishëm në pjesën veriore të Sirisë. Në Idlib, me përmbylljen e Operacionit “Dega e Ullirit”, u ngrit pika e shtatë e vrojtimit. Me përfundimin e 12 pikave të vrojtimit, kontrolli i opozitarëve në Idlib do të garantohet së paku në terma kohore afatmesme. Kështu do të krijohet një zonë e ULS-së duke filluar nga Xherabulusi deri në Xhisr al-Shugur. Kjo hapësirë nën mbrojtjen e Turqisë do ta bëjë regjimin më dorëlëshuar në tavolinën e zgjidhjes politike.

Pas Afrinit, mund të pritet edhe thellimi i mëtejshëm i bashkëpunimit Turqi-Rusi në Siri. Në mungesë të një akordi me SHBA-në për Menbixhin, Turqia do të rrisë gradualisht presionin e saj mbi këtë qytet. Në procesin mbas Afrinit, hapat e Ankarasë për sa i takon luftës kundër YPG-së mund të marrin tashmë një mbështetje më të madhe nga Moska. Sepse, tani, zonat e YPG-së në shënjestër janë njëherësh edhe zona të influencës së SHBA-së. Rusia, së bashku me regjimin dhe Iranin, është përfshirë në një rivalitet përherë e më konfrontues me SHBA-në në lindje të Sirisë. Edhe pse kanë tentuar disa herë që të ndërhyjnë në zonat e Forcave Demokratike Siriane në Deir ez-Zor, qyteti më i madh lindor i Sirisë, forcat mbështetëse të regjimit janë përballur me përgjigjen e ashpër të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Megjithatë rritja e presionit mbi Menbixhin edhe nga ana e Turqisë mund të mirëpritet prej aktorëve në fjalë meqenëse si rezultat do të sjellë më tepër shtrëngim për SHBA-në.

Me humbjen e Afrinit, YPG-ja nuk është më ushtarakisht e varur nga Rusia dhe organizata hyri plotësisht nën mbrojtjen e SHBA-së. Përveç kësaj, YPG-ja fajëson edhe Rusinë për dritën jeshile të saj ndaj Operacionit “Dega e Ullirit”. Prandaj ka gjasa që një thyerje të marrë formë gjithashtu në marrëdhëniet YPG-Rusi dhe kjo do të forcojë themelin e bashkëpunimit të Turqisë me Rusinë, por edhe do të përshkallëzojë tensionin Turqi-SHBA.

Rusia mbajti një qëndrim kryesisht mbështetës ndaj Turqisë për Afrinin. Megjithatë e njëjta situatë nuk vlen për Iranin dhe regjimin, aleatët e saj në Siri. Madje mund të thuhet se Irani ka rezerva/reagime ndaj Rusisë për shkak të qëndrimit të saj në lidhje me Afrinin. Shenja më e qartë e kësaj ishte hyrja në Afrin e forcave të milicisë përkrahëse të regjimit dhe të mbështetura nga Irani për t’i dalë krah YPG-së teksa Operacioni “Dega e Ullirit” vazhdonte. Ky hap ndoshta s’u ndërmor me miratimin dhe mbështetjen e Rusisë, por me dijeni të saj. Qëndrimi neutral i Rusisë ndërmjet Turqisë dhe Iranit/regjimit nxori një hap përpara Turqinë, poseduese e epërsisë ushtarake, dhe, krahas anëtarëve të YPG-së, Turqia vuri në shënjestër gjithashtu elementët e milicisë shiite përkrahëse të saj. Për rrjedhim, manovra e Iranit dështoi plotësisht. Rol me peshë në këtë qëndrim të Rusisë luan bashkëpunimi i vazhdueshëm i saj me Turqinë edhe jashtë kontekstit të Sirisë. Mirëpo, me ç’duket, Rusia ka nevojë edhe për fuqinë balancuese të Turqisë kundër fuqizimit të Iranit në Siri. Sepse një tablo e ngjashme me atë në Afrin po merr trajtë në Idlib. Ndërkohë që milicia e mbështetur nga Irani sulmon ushtrinë, e cila avancon për të ngritur pikat e vrojtimit në Idlib, shihet qartë se Rusia mbështet krijimin e pikave të vrojtimit.

Ekuilibra të rinj në veri të Sirisë

Rezultatet e Operacionit “Dega e Ullirit” ka të ngjarë të rrisin shqetësimet e Iranit dhe regjimit. Turqia ka tashmë një pozitë që mund të ushtrojë më tepër presion me ULS-në në rajonet e kontrolluara nga regjimi në Halep. Edhe pse ndërmjet palëve nuk priten konfrontime si rezultat i Procesit të Astanës, asnjëra prej tyre nuk ka besim tek synimi i tjetrës. Irani mund të mendojë se të kërcënuara janë sidomos vendbanimet Nubul dhe Zehra, të kontrolluara nga forcat e milicisë besnike të tij.

Kurse hapat që do të merren nga YPG/PKK-ja në Menbixh dhe lindje të Eufratit, do të jenë përcaktuese për pozicionin e Iranit dhe regjimit përballë organizatës. Parë nga prizmi i aleancave ekzistuese, presioni i shtuar i Turqisë në Menbixh dhe lindje të Eufratit do të pranohet me kënaqësi nga këta aktorë. Megjithatë s’do të duan që ULS-ja të zëvendësojë kërcënimin amerikan, të cilin ata e perceptojnë gjithashtu si kanosje. Vazhdimi i aleancës SHBA-YPG në Menbixh dhe lindje të Eufratit mund të shërbejë si bazë për koordinimin Turqi-Iran. Megjithatë Irani dhe regjimi mund të përpiqen gjithashtu të tërheqin YPG-në në kampin e tyre, bashkëpunim që është dëshmuar në Afrin. Fotot e terroristëve të YPG-së me milicët shiitë, që perceptohen si një kërcënim parësor nga SHBA-ja në Siri, kishin ngritur dyshime në Uashington. SHBA-ja mund të jetë e vetëdijshme për mundësinë e shkarjes së YPG-së në boshtin iranian, në rast se nuk arrin dot ta mbrojë organizatën as në Menbixh. Një skenar i tillë do të pasohet nga një afrim midis Turqisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Kurse Turqia është maksimalisht e qartë për mënyrën se si do t’i përcaktojë aleancat e saj. Në këndvështrimin e Turqisë, si kërcënim do të vlerësohet çdo aktor që bashkëvepron me YPG-në.

*Ekspert i Qendrës për Studime Strategjike të Lindjes së Mesme (ORSAM), Ankara

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne