Bota

“Koreja e Jugut kujton sakrificën e forcave turke”

Koreja e Jugut kurrë nuk do të harrojë sakrificat e bëra nga ushtarët heroikë turq gjatë luftës për çlirimin e vendit, tha kreu i Shoqatës së Miqësisë Kore-Turqi, Lee Hee Soo.

Duke folur në një intervistë ekskluzive për Anadolu Agency (AA), sekretari i përgjithshëm, Lee Hee Soo, tha se populli turk ka vend të posaçëm në zemrat e koreanëve.

“Asnjëherë nuk do të harrojmë sakrificën e ushtarëve turq në Luftën e Koresë, dhe këtë do t’ua përcjellim gjeneratës sonë të ardhshme”, tha Lee.

Të mërkurën, të dy vendet shënuan 67-vjetorin e pjesëmarrjes së forcave të armatosura turke në Luftën Koreane dhe kujtuan dëshmorët turq që ranë në betejë.

Forcat turke shërbyen nën komandën e OKB-së gjatë Luftës Koreane mes viteve 1950 dhe 1953 dhe 774 ushtarë turq ranë dëshmorë.

Lee, i cili është edhe profesor i antropologjisë kulturore në Universitetin Hanyang në Seul, tha se Turqia kryesonte listën më popullore të kombeve në Korenë e Jugut. “15,000 ushtarë turq erdhën për të na ndihmuar gjatë Luftës së Koresë, na dhanë një mësim për njerëzimin dhe trimërinë,” tha ai.

Ai shtoi se shumë koreanë u impresionuan nga mirësia dhe dhembshuria e ushtarëve turq dhe u konvertuan në Islam. “Ata janë koreanët e parë që u bënë muslimanë”, tha ai. Sipas Lee, Turqia shihet si një shembull i stabilitetit ekonomik në rajon dhe tërheq vëmendjen e investitorëve koreanë.

Ai tha se rreth 300,000 koreanë vizituan Turqinë vitin e kaluar për të përjetuar kuzhinën e saj të pasur dhe mikpritjen e jashtëzakonshme.

Lee po ashtu dënoi tentimin e dështuar për grusht shteti të orkestruar nga Fetullah Gulen (FETO), i cili qëndron në SHBA. “Është absolutisht e papranueshme të ngrihesh kundër një vendi demokratik në shekullin 21, të bombardosh Parlamentin e tij dhe të vrasësh civilë të pafajshëm”, tha ai.

Tentativa për grusht shteti më 15 korrik të vitit 2016 la 250 persona të martirizuar dhe rreth 2,200 të tjerë plagosur. FETO qëndron pas fushatës së gjatë për të përmbysur shtetin përmes infiltrimit në institucionet turke, veçanërisht në ushtri, polici dhe gjyqësor./ AA

OPINIONE