Koreja Veriore: veprimet e rrezikshme të Amerikës shkaktojnë luftë bërthamore

Koreja e Veriut, akuzoi Shtetet e Bashkuara të Amerikës se “po luajnë me zjarrin”, pasi paraprakisht SHBA-të dërguan në gadishull dy avionë luftarak amerikanë B-1B Lancer.

Avionët e fuqishëm morën pjesë në stërvitjet e përbashkëta të forcave jug-koreane dhe atyre amerikane, menjëherë pas testit raketor balistik të Koresë së Veriut të martën. “Një vlerësim i gabueshëm ose gabim, mund të shkaktojë shpërthimin e një lufte bërthamore që me automatizëm mund të çojë në një luftë të re botërore”, ishte alarmi i transmetuar i Penianit përmes gazetës ditore “Rodong Sinmun”. “Pohimet e SHBA-ve se rregullisht do të dërgojnë bombardues në Gadishullin Korean, janë njëjtë sikur të luani me zjarr mbi një kasafortë me municion”, shkruan më tej gazeta. Koreja e Veriut ka bërë thirrje që Shtetet e Bashkuara të Amerikës të tërheqin praninë ushtarake në Korenë e Jugut, ndërkohë që testimet e veta raketore i quan si një strategji mbrojtëse. Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara i ka shqiptuar Penianit një ndalesë për të testuar raketat e veta balistike, duke bërë thirrje për masa më të rrepta ndëshkuese për shtetin problematik./ pt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne