Koronavirusi/ Arben Malaj: Kryeministri kërcënoi me rimbyllje, qeveria të krijojë ambient pozitiv për bizneset e qytetarët

Eksperti i ekonomisë, Arben Malaj, në një lidhje të drejtpërdrejtë në “News 24” deklaroi se, kryeministri Edi Rama kërcënoi me rimbyllje.

Malaj shprehet se rimbyllja do të ishte me pasoja thuajse fatale për bizneset e Shqipërisë.

“Kryeministri kërcënoi se mund të mbyllemi sërish, nëse pandemia vazhdon e përhapet më tej. Një mbyllje do të kishte pasoja shumë të rënda, aq sa nuk do të bënte punë asgjë, as paketat që na ka treguar qeveria. Ka pasur vonesa në kohë për paratë, ndërsa ka pasur edhe paqartësi. Ekonomia shqiptare ka nevojë për stimul akoma më të fuqishëm, të shpejtë në kohë që të gjallërohet ekonomia.

Garancia sovrane vë në lëvizje tre aktorë, që të mos ketë efekt negative nga kriza. Garancia sovrane duhet të jetë ndarje risku. Qeveria ka detyrim human dhe e dyta ka detyrim që të krijojë premisa që të reduktojë rënien e mëtejshme të ekonomisë. Duhet të mos ketë rënie të madhe ekonomike. Të mos ketë vonesa e paqartësi për paketat”, tha Malaj.

Arben Malaj theksoi se ekonomia nuk është vetëm kalkulim, por se duhet që të krijohet ambjent pozitiv nga qeveria për më shumë sukses.

“Qeveria më mirë të përdorë ndihmën shtetërore që të ndihmojë ekonominë të ringrihet. BE ka dhënë 750 miliardë, ku 450 milionë janë grante falas dhe pjesa tjetër janë kredi të buta. Qeveria duhet të thotë sa jep grante e t’i përdorë ato. Qeveria duhet të krijojë ambjent biznesi ku të ketë më shumë shpresë. Nuk duhet komunikim bazuar mbi frikë e panik. Kjo sepse ekonomia është perceptim. Ambjenti social, shoqëror e politik duhet të jetë i atillë që të prodhojë pozitivitet e jo panik”, vlerësoi Malaj.

Më tej, Malaj tha se bankat duhet të ulin normat e interesit për kreditë.

“Banka e Shqipërisë ka ulur koston e parasë, sikundër bankat në vendet e rajonit. Bankat duhet të ulin normën me të cilën ata japin kredi. Kjo sepse kredia nuk mund të quhet e keqe, kur jepet nga qeveria. BSH ka menduar për investime. Biznesi po ndihmohet me interesin. Shteti ka shumë interes të madh që të ndihmojë kompanitë në kohë krize, me qëllim që pasi të marrë veten kompania, ia kthen paratë. Duhet të jemi më të shpejtë, por duket se burrokracitë krijon këtë gjendje dhe kemi këtë situatë sot”, argumentoi Malaj.

Në lidhje me turizmin, Arben Malaj u shpreh se duhet që kjo fushë të ndihmohet me paketa likuiditeti.

“Turisti duhet të mbështetet me paketë të veçantë likuiditeti. Koha nuk pret për turizmin, duhet ndihmuar menjëherë dhe në forma efikase. Turizmi e do mbështetjen në prag dhe gjatë sezonit turistik. Të gjithë jemi të shqetësuar, sepse ka paqartësi për ecurinë e ekonomisë.

Në media mendoj se nuk duhet që të themi se situata është e rëndë etj, por duhet të kemi shpresë. Unë jam optimist edhe për turizmin. Duhet ndihmuar ekonomia, pa rritur shumë borxhin. Duhet kujdes me shëndetin, të respektohen masat, por mbyllja do të kishte pasoja fatale. Rimbyllja do ishte e rëndë për cdo shtet, aq më tepër për një vend si Shqipëria”, përmbylli Malaj./News24

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne