Koronavirusi përshpejton hovin e përhapjes, vendet lindore shtrëngojnë masat

Në Iran, shtet në të cilin vdekjet nga ky virus janë rritur me 143 veta dhe kanë arritur në 2.077, shuarja e një fëmije 6-vjeçar tronditi botën anembanë. Mes të vdekurve është edhe një drejtor policie. Presidenti Hassan Rouhani theksoi se Irani ka kapërcyer valën e parë të rasteve me COVID-19, por një valë e dytë mund të fillojë me kthimin e qytetarëve nga pushimet e Nevruzit. Në kuadër të masave kundër përhapjes së mëtejshme të llojit të ri të virusit korona, daljet dhe udhëtimet nga qytetet iraniane u ndaluan rreptësisht.

Iraku raportoi 4 vdekje të reja nga sëmundja në fjalë duke e çuar numrin e përgjithshëm të deritanishëm në 27, ndërkohë që rastet aktive të konfirmuara janë 316 dhe të shëruarit 75.

Ministria e Fondacioneve dhe Çështjeve Fetare në Rripin e Gazës, ku deri më sot është diagnostikuar me koronavirus vetëm 1 person i infektuar, vendosi që të gjitha xhamitë e zonës të mbyllen për 2 javë duke filluar nga e mërkura për të parandaluar përhapjen e sëmundjes.

Dr. Ashraf Al-Qudra, zëdhënës i Ministrisë së Shëndetësisë në Gazë, bëri me dije se për shkak të bllokadës izraelite mbi 13-vjeçare në këtë rajon, materialet laboratorike janë shumë të kufizuara dhe mungojnë 39% e barnave esenciale, 23% e pajisjeve mjekësore dhe 60% e stoqeve të gjakut. Duke theksuar se Izraeli është përgjegjës për jetën e palestinezëve, Al-Qudra paralajmëroi se dobësimi sistematik i mekanizmave që ofrojnë shërbime humanitare dhe shëndetësore në këtë zonë nga ana e Izraelit, është duke e shtyrë Gazën në një udhëkryq të rrezikshëm për sa i takon luftës me pandeminë COVID-19.

Zëdhënësi palestinez përsëriti edhe një tjetër herë thirrjen e tij drejtuar institucioneve dhe organizatave të OKB-së për “heqjen e bllokadës në Gazë dhe plotësimin e nevojave urgjente në luftën me koronavirusin, siç janë aparatet e ventilimit, barnat, materialet mjekësore dhe pajisjet laboratorike”.

Kurse në Izrael është rritur në 5 numri i viktimave nga lloji i ri i virusit korona dhe në mbi 2.000 numri i të infektuarve.

Në Afganistan, 4 ushtarë italianë në kuadër të misionit të NATO-s janë diagnostikuar me COVID-19.

Emiratet e Bashkuara Arabe konfirmuan 50 raste të reja në 24 orët e fundit, gjë që e çon në gjithsej 248 numrin e të infektuarve në këtë shtet, nga të cilët 45 janë shëruar.

Katari bëri me dije se 25 persona të tjerë kanë rezultuar pozitivë në testet e koronavirusit dhe se tashmë vendi ka 526 raste të konfirmuara në total.

Ministria e Shëndetësisë së Jordanisë njoftoi se numri i të infektuarve është rritur në 153, plot 26 më shumë se një ditë më parë.

Qeveria në Egjipt, ku janë raportuar 19 të vdekur dhe 402 të prekur nga pandemia COVID-19, shpalli ndalimqarkullimin nga ora 19:00 deri në 06:00 me kohën lokale.

Në Marok është rritur në 5 numri i vdekjeve dhe në 170 ai i infektimeve nga virusi në fjalë.

Sipas një postimi në “Facebook” nga Qendra Kombëtare e Luftës me Sëmundjet në Libi, vendi ka tashmë rastin e parë me COVID-19.

Listës së gjatë të vendeve nën izolim i është bashkuar së fundmi edhe India, e cila ka shpallur izolim gjithëkombëtar për 21 ditë duke nisur nga orët e para të së mërkurës. “Do të ketë ndalim të plotë të daljes nga shtëpitë tuaja”, deklaroi Kryeministri Narendra Modi në një fjalim televiziv.

Kurse në Afrikë, teksa Nigeria ka mbyllur të gjithë kufijtë tokësorë të vendit për 4 javë në kuadër të luftës me koronavirusin e ri, Bregu i Fildishtë ka njoftuar të martën fillimin e regjimit të ndalimqarkullimit në vend nga ora 21:00 deri në 05:00 me kohë lokale./Trt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne