Kosova në axhendën e Këshillit të Sigurimit, më 21 tetor

Këshilli i Sigurimit të Kombeve të Bashkuara do të mbajë takimin informues të radhës për Kosovën më 21 tetor. Është ky takimi i dytë për këtë vit, pas atij të mbajtur më 24 prill.

Rusia drejton aktualisht presidencën mujore të Këshillit të Sigurimit.

Ambasadori rus pranë OKB, Vassily Nebenzia, shpjegoi se më 8 tetor Këshilli i Sigurimit do të mblidhet fizikisht në sallën e vet, 7 muaj pas mbajtjes së takimeve në rrugë virtuale për shkak të Covid19.

Nuk dihet aktualisht në çfarë forme do të mbahet takimi për Kosovën. Në muajin prill takimi u zhvillua virtualisht.

Sipas njoftimeve paraprake të securitycouncilreport.org i Dërguari Special dhe shefi i UNMIK-ut, Zahir Tanin do të informojë Këshillin e Sigurimit për zhvillimet e fundit në Kosovë.

Deri më 9 tetor, anëtarët e Këshillit të Sigurimit do të marrin në dorë raportin për Kosovën të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB, Antonio Guterres. Mbi bazën e tij, anëtarët e Këshillit të Sigurimit përgatisin fjalën që do të mbajnë në takim.

Zhvillimet e fundit

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti dhe presidenti serb Aleksandar Vuçiq, nënshkruan më 4 shtator marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve ekonomike.

Nënshkrimi u bë në Shtëpinë e Bardhë në prezencë të presidentit amerikan Donald Trump, mbasi delegacionet zhvilluan dy ditë bisedime në prani të administratës amerikane.

Marrëveshja fokusohet kryesisht në përmirësimin e marrëdhënieve ekonomike midis dy vendeve dhe rikonfirmon disa nga marrëveshjet e vendosura më parë, si ajo për vendosjen e transportit hekurudhor dhe ndërtimin e një autostrade midis Prishtinës dhe Beogradit.

Po ashtu është rënë dakord për të shtyrë me një vit kërkimin nga Kosova të anëtarësimit në organizatat ndërkombëtare dhe fushatën serbe për të bindur vendet që e kanë njohur Kosovën, që të kthejnë mbrapsht njohjet.

Më tej marrëveshjet përmbajnë përmirësimin e marrëdhënieve me Izraelin: Kosova dhe Izraeli të njohin njëri tjetrin, dhe Serbia të vendosë ambasadën e vet në Jeruzalem. Si Kosova ashtu dhe Serbia kanë rënë dakord që t’i quajnë Hezbollahët organizatë terroriste.

Kur folën për mediat si Vuçiç ashtu edhe Hoti dhanë interpretime të ndryshme për marrëveshjet. Vuçiç tha se Serbia nuk ka nënshkruar marrëveshje trilaterale, por vetëm marrëveshje bilaterale me SHBA, që nuk përfshin njohjen e një pale të tretë, duke bërë aludime për Kosovën.

Kurse Hoti, e quajti marrëveshjen hap përpara për të arritur tek marrëveshja finale dhe njohja reciproke.

Bisedimet e nivelit të lartë midis Beogradit dhe Prishtinës, të drejtuara nga Bashkimi Europian u mbajtën në muajin korrik, mbas një pushimi 20 mujorësh.

Vuçiq dhe Hoti ranë dakord për të zhvilluar dialog në takimin e nivelit të lartë mbajtur më 10 korrik me presidentin francez Emmanuel Macron dhe kancelaren gjermane, Angela Merkel. Më 7 shtator përfaqësuesi i lartë i BE për politikën e jashtme dhe të sigurisë, Josep Borrell, organizoi në Bruksel një takim me Vuçiç-in dhe Hotin.

Para takimit, Vuçiç dhe Hoti dhanë një deklaratë të përbashkët ku konfirmuan vazhdimin e dialogut Beograd- Prishtinë të drejtuar nga BE dhe vunë theksin në prioritetin që ka integrimi i vendeve në BE.

Ata thanë se marrëveshja e nënshkruar në Uashington mund të kontribuojë për arritjen e “marrëveshjes gjithëpërfshirëse, ligjërisht të detyrueshme për normalizimin e marrëdhënieve”.

Të njëjtën ditë zëdhënësi i Komisionit Europian, Peter Stano shprehu shqetësim për vendimin e Serbisë që të zhvendosë ambasadën e vet në Jeruzalem, vendim që bie ndesh me qëndrimin e përbashkët të BE lidhur me statusin e Jeruzalemit.

Si përgjigje ministri i Jashtëm serb Ivica Daçiq, tha se vendimi për zhvendosjen e ambasadës do të diskutohet nga qeveria dhe se vendimi do të varet nga faktorë të tjerë, përfshirë edhe zhvillimin e marrëdhënieve të mëtejshme me Izraelin.

Më 24 qershor, Zyra e Prokurorit Special ngriti një aktakuzë së bashku me Dhomat Speciale të Kosovës (KSC) ndaj presidentit Hashim Thaçi, ndër të tjera për krime kundër njerëzimit dhe krime lufte. Thaçi u mor në pyetje nga prokurorët në Hagë, ku u paraqit vullnetarisht më 13 korrik. Ai i hodhi poshtë të gjitha akuzat.

Më 24 shtator, Zyra e Prokurorit Special arrestoi ish oficerin e UÇK, Salih Mustafa në bazë të një urdhër-arresti lëshuar nga Dhomat Speciale të Kosovës. Deri tani asnjë hollësi nuk është dhënë për specifikën e akuzave të ngritura kundër Mustafës.

Çështjet kryesore dhe mundësitë

Ruajtja e stabilitetit në Kosovë mbetet shqetësimi kryesor i Këshillit të Sigurimit. Këshilli i Sigurimit do të vazhdojë të monitorojë përpjekjet diplomatike për të përparuar me dialogun Prishtinë- Beograd dhe çdo lloj përpjekjeje për të arritur marrëveshjen finale për Kosovën.

Ndërkohë që dialogu Beograd- Prishtinë i organizuar nga BE vazhdon, një nga çështjet që shqetëson Këshillin e Sigurimit është moszbatimi i marrëveshjeve ekzistuese, veçanërisht asaj për ngritjen e komunave serbe në veriun e Kosovës, të banuara nga shumicë serbe.

Me të lidhet edhe çështja e rolit që mund të luajë UNMIK në zbatimin e marrëveshjeve ekzistuese. Këshilli i Sigurimit do të ndjekë nga afër zhvillimet që lidhen me Dhomat Speciale të Kosovës, KSC.

Një nga çështjet me të cilat do të merret Këshilli i Sigurimit është bashkëpunimi i Kosovës me KSC, duke patur parasysh se disa aktorë politikë të Kosovës kanë kritikuar punën e KSC.

Nëse Kosova do të limitizojë bashkëpunimin me Dhomat Speciale, Këshilli i Sigurimit do të lëshojë një deklaratë që t’i bëjë thirrje autoriteteve të Kosovës që t’i përmbahet angazhimeve të saj ndaj gjykatës.

Disa anëtarë të Këshillit të Sigurimit, sidomos ato të P3, (Franca, Britania e Madhe dhe SHBA) vazhdojnë të kërkojnë rrallimin e ciklit të raportimeve të UNMIK në Këshillin e Sigurimit dhe mbylljen e UNMIK-ut, duke patur parasysh stabilitetin relativ në bazë.

Ndërkohë që Këshilli i Sigurimit ka arritur një marrëveshje në shkurt të 2018-ës, për uljen e frekuencës së raportimeve, ai mund t’i kërkojë Sekretarit të Përgjithshëm të OKB të bëjë një rishikim strategjik të UNMIK-ut, duke parë edhe efektivitetin e misionit.

Dinamika në Këshillin e Sigurimit dhe më gjerë

Kosova mbetet një çështje “me intensitet të ulët” për Këshillin e Sigurimit, thuhet prej kohësh nga Këshilli i Sigurimit, duke përmendur këtë term teknik për të thënë që Kosova nuk është çështje emergjente për Këshillin.

Termi ka shpjegimin e vet në fjalorin e konflikteve. Për Këshillin e Sigurimit, Kosova është çështje që ndiqet nga afër prej vendeve me interesa të veçantë për rajonin. Kjo pjesërisht për shkak të epërsisë që organizatat rajonale, si BE, NATO dhe OSBE kanë në lidhje me problemet që lidhen me Kosovën.

Po ashtu pozicione krejt të ndryshme vazhdojnë të ekzistojnë midis anëtarëve të përhershëm të Këshillit të Sigurimit, kur bëhet fjalë për Kosovën. Franca, Mbretëria e Bashkuar dhe SHBA e kanë njohur pavarësinë e Kosovës dhe kanë tendenca suportive për qeverinë e saj.

Kina dhe Rusia nuk e njohin pavarësinë e Kosovës dhe mbështesin me forcë pozicionin e Serbisë. Mes anëtarëve të zgjedhur të Këshillit të Sigurimit, Irlanda dhe Norvegjia e kanë njohur Kosovën. SHBA është ithtare e mbylljes së UNMIK-ut, duke patur parasysh nivelin e stabilitetit në Kosovë.

SHBA po ashtu thotë se UNMIK ka staf të mbingarkuar dhe shfrytëzon burime që janë shumë më të mëdha se sa përgjegjësia që mban, burime që mund të përdoren diku gjetkë ku ka situata më emergjente.

Çështja e modifikimit të mandatit të UNMIK-ut dhe mbyllja e mundshme e tij mund të vendoset në rend të ditës në periudhën që pason, po të rritet numri i anëtarëve të Këshillit që mbështesin këtë pozicion.

Ndërkohë që misionet e OKB nëpër botë diskutohen rregullisht nga Këshilli i Sigurimit, mandati i UNMIK-ut është pa limit. Çdo përpjekje për ta ndryshuar mandatin do të kërkojë rezolutë të re, gjë që kundërshtohet dhe mund të bllokohet nga Rusia./DW

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne