Kosova shënon rënie në rastet e aksidenteve në trafik rrugor

Policia e Kosovës, Ministria e Infrastrukturës dhe Shoqata e Sigurimeve e Kosovës, kanë shënuar të premten “Ditën ndërkombëtare pa viktima në trafik”.

Në këtë tryezë, e cila gjithashtu ka për qëllim përkujtimin e viktimave në trafikun rrugor, janë shpalosur disa të dhëna mbi aksidentet me fatalitet, aksidentet me lëndime dhe sigurinë në trafik.

Në tryezë kanë marrë pjesë përfaqësues nga të gjitha institucionet që lidhen me sigurinë në trafik.

Drejtori i Divizionit të Komunikacionit Rrugor i Policisë së Kosovës, nënkolonel Jeton Rexhepi, tha për këtë vit se është shënuar një rënie e lehtë në numrin e aksidenteve me fatalitet. Ai tregoi se vitin 2018 deri në këtë periudhë kishin vdekur 107 persona nga aksidentet, ndërsa këtë vit 97 persona.

Rexhepi tha se qëllimi është që përmes aktiviteteve vetëdijesuese, por edhe të sensibilizimit të ndikojnë që gradualisht të ndryshojnë sjelljet në trafik rrugor.

“Numri i aksidenteve fatale mesatarisht në vit në Kosovë ndodh në 122 raste. Ndërsa mesatarisht vdesin 142 persona. Edhe pse, kjo shifër që nga vitit 2011 ose 2010 ka shënuar një rënie të lehtë. Nga 176 në vitin 2009, tani kemi 129 gjatë vitit 2018 dhe këtë vit po shpresojmë që të jetë ende më i vogël, për shkak se deri më sot që po flasim kemi rënie të personave të vdekur. Dhe, i gjithë objektivi është që ne këto jetë t’i shpëtojmë”, tha Rexhepi, i cili shtoi se shkaktarët kryesorë të aksidenteve me fatalitet janë “manipulimi i pasigurt me automjet” dhe “mosmbajtja e distancës”.

Nga Këshilli i Sigurisë për Siguri në Trafik i Ministrisë së Infrastrukturës, Fejzulla Mustafa, tha se aksidentet rrugore nuk janë problem vetëm në Kosovë, por në të gjithë botën, ku bazuar në statistika në botë brenda vitit vdesin diku 1.3 milionë njerëz nga aksidentet.

“Duke u mbështetur në statistikat e vitit 2018 është një statistikë interesante ku vërtetohet se më pak kemi të vdekur shoferë se sa pasagjerë. Pastaj, këtu ndoshta dhe vetë psikologjia e shoferit bën punë që t’i shmanget rrezikut për veten dhe ajo të shkojë pastaj tek pasagjeri”, theksoi Mustafa.

Sa i përket punës së ministrisë, Mustafa tha se, “Ministria e Infrastrukturës në aktivitetet e veta që ka shtrirë në vitin 2018 dhe 2019 është edhe vendimi i themelimit të Këshillit për Siguri Rrugore që deri në vitin 2018 ka qenë joaktiv, por me vend të ri ka filluar të aktivizohet edhe Këshilli për Siguri Rrugore”, theksoi ai.

Drejtori Ekzekutiv i Shoqatës se Sigurimeve të Kosovës, Sami Mazreku, ka deklaruar se dëmet ndaj kompanive të sigurimeve janë rritur për 5 për qind gjatë këtij viti, krahasuar me vitin e kaluar.

Siç tha Mazreku, kompanitë e sigurimeve vetëm në 6 mujorin e vitit 2019 kanë paguar rreth 22 milionë euro dëme.

Sipas të dhënave që u bënë të ditura në këtë tryezë, tri vendet më të mira sa i përket sigurisë në trafik rrugor janë Norvegjia, Suedia dhe Zvicra.

Aksidentet më të mëdha me fatalitet, sipas të dhënave nga statistikat e organizatave ndërkombëtare, ndodhin në vendet ku të hyrat janë të mesme, ndërsa Kosova konsiderohet si vend me të hyra të mesme./AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne