Kosova me më shumë votues, sesa banorë

Rreth 1.9 milionë banorë janë të regjistruar në listat e votuesve për zgjedhjet e parakohshme parlamentare, që do të mbahen më 11 qershor në Kosovë.

Ndërkohë që, sipas shifrave zyrtare, numri i përgjithshëm i banorëve në Kosovë, llogaritet rreth 1.8 milionë banorë.

Kjo problematikë, po e përcjell Kosovën në të gjitha proceset e deritashme zgjedhore, në të dyja nivelet e pushtetit.

Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka, thotë për Radion Evropa e Lirë se rreth 1.9 milionë është numri i banorëve në listat e votueseve, duke përfshirë edhe qytetarë e Kosovës që jetojnë nëpër vende të ndryshme të Evropës dhe botës.

“Numri përgjithshëm, sipas ekstraktit të parë të listës së votueseve, është rreth 1.9 milionë qytetarë që kanë të drejtë vote. Numri i të rinjve është rreth 120 mijë, kurse nga listat janë larguar më shumë se 80 mijë persona, qoftë të vdekur apo ata, të cilët e kanë humbur shtetësinë në çfarëdo mënyre”, bën të ditur Daka.

Por, në bazë të shifrave zyrtare të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, të publikuara në vitin 2015, del se numri i përgjithshëm i banorëve rezidentë në Kosovë është rreth 1.8 milionë.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne