Kosova tradheton Turqine. Ish-shefi i inteligjencës dënohet per deportimin e pjesëtarëve të grupit terrorist FETO-s

Departamenti Special i Gjykatës Themelore në Prishtinë ka shpallur aktgjykim ndaj ish-shefit të Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI), Driton Gashi, duke e dënuar me 4 vjet dhe 8 muaj burgim për rastin e deportimit të pjesëtarëve të organizatës terroriste FETO nga Kosova në vitin 2018, transmeton Anadolu.

Në një njoftim për media, gjykata gjithashtu njoftoi se ka liruar nga akuza ish-drejtorin e Departamentit për Shtetësi, Azil dhe Migracion në Ministrinë e Punëve të Brendshme, Valon Krasniqin dhe ish-drejtorin e Drejtorisë për Migracion dhe të Huaj në kuadër të Policisë Kufitare, Rrahman Sylejmanin, të cilët po ashtu akuzoheshin për rastin e deportimit të pjesëtarëve të organizatës terroriste FETO nga Kosova.

Gjykata ka bërë të ditur se ish-shefi i AKI-t është dënuar për veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, i ndëshkuar me Kodin Penal të Republikës së Kosovës, ndërkaq Valon Krasniqi dhe Rrahman Sylejmani janë liruar nga akuzat.

“I akuzuari Driton Gashi është shpall fajtor dhe është dënuar me burgim në kohëzgjatje prej 4 vite e 8 muaj për veprën penale ‘keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar’ si dhe dënim plotësues ‘ndalim i ushtrimit të funksionit në administrate publike apo funksioneve në shërbime publike’ në kohëzgjatje prej 4 vite, pas mbajtjes së dënimit me burgim”, thuhet në njoftimin e gjykatës.

Më tej, gjykata njoftoi se dy të akuzuarit e tjerë janë liruar nga akuza pasi nuk është provuar se kanë kryer veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” apo “privim i kundërligjshëm i lirisë”.

Theksohet se kundër këtij aktgjykimi palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit të Kosovës përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë.

Më 29 mars të vitit 2018, Agjencia Kombëtare Turke e Inteligjencës (MIT) në bashkëpunim me inteligjencën kosovare zhvilluan një operacion në Kosovë ku u deportuan nga vendi gjashtë shtetas turq të lidhur me organizatën terroriste FETO.

Më vonë, më 21 maj të vitit 2021, Departamenti Special i Gjykatës Themelore në Prishtinë konfirmoi aktakuzën e ngritur nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) ndaj Driton Gashit, Valon Krasniqit dhe Rrahman Sylejmani.

Kujtojmë se në prill të vitit 2019, në një komision parlamentar për rastin e deportimit nga Kosova të shtetasve turq raportoi edhe ish-presidenti kosovar, Hashim Thaçi, ku kishte kërkuar nga anëtarët e komisionit të zbulonte se kush ishte “eksperti ndërkombëtar” që kishte gjetur shkelje në rastin në fjalë./AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne