Kosovë – Aeroporti “Adem Jashari” i Prishtinës arrin në 2 milionë pasagjerë

Aeroporti Ndërkombëtar “Adem Jashari” i Prishtinës ka arritur të hënën shifrën rekord duke shërbyer udhëtarin e 2 miliontë të këtij viti.

Rekordi i arritur është shoqëruar me një ceremoni solemne të mbajtur në terminalin e ANP “Adem Jashari”, me ç’rast është shpërblyer udhëtari i 2 miliontë me një biletë ktheyese, njofton Zyra e Aroportit për Marrëdhënie me Publikun.

“Kjo shifër është arritur për herë të parë brenda një viti qysh nga fillimi i funksionimit të Aeroportit të Prishtinës dhe vjen si rezultat i angazhimit të vazhdueshëm të kompanisë Limak në krijmin e lehtësirave ndaj kompanive ajrore, mundësimin e infrastrukturës më të avancuar si dhe të shërbimeve shtesë të aeroportit, me qëllim të përhershëm në mbajtjen e kënaqshmërisë së udhëtarëve në nivelet më larta”, thuhet në komunikatë.

“Numri i udhëtarëve tanë po rritet në vazhdimësi dhe në të njëjtën kohë po mbajmë kënaqshmërinë e klientëve tanë në nivelet më të larta. Këto rezultate dëshmojnë se Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës është një nga projektet më të suksesshme të privatizimit në Evropë”, ka thënë me këtë rast, Gokmen Aritay, drejtor i operimeve në Limak Kosovo International Airport.

Njoftohet se deri në fund të vitit pritet që ANP “Adem Jashari” të frekuentojnë mbi 2 milionë e 150 mijë udhëtarë.

“Shtimi i shumë linjave të reja ka ndikuar në rritjen e shpejtë të numrit të udhëtarëve gjatë viteve të fundit. Në anën tjetër, linjat e reja të parapara si dhe stacionimi i kompanisë ajrore ‘Germania’ në Aeroportin e Prishtinës gjatë vitit të ardhshëm, pritet të ndikojnë dukshëm në vazhdimin e këtij trendi të rritjes”, njofton më tej Zyra për Marrëdhënie me Publikun të Aeroportit.

Kujtojmë se për rreth 7 vite Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës është në menaxhim të kompanisë turke Limak. / AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne