Rajoni

Kosovë, Bashkësia Islame merr vendim për mos hapjen e xhamive për Fitër Bajram

Bashkësia Islame e Kosovës (BIK) ka marrë vendim që në xhamitë e Kosovës të mos organizohet falja e namazit për nder të festës së Fitër Bajramit për shkak të parandalimit të përhapjes së koronavirusit të ri (COVID-19).

Sipas një vendimi të marrë nga BIK, të publikuar sot, kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Naim Tërnava, ka vendosur që xhamitë të mos hapen për faljen e Fitër Bajramit ditën e diel, ndërsa në vend të kësaj ka sugjeruar besimtarët që “pas namazit të sabahut të lexojnë Kuran, tekbire, salavate, dua e lutje të ndryshme dhe kjo festë të përjetohet sikur të ishin në xhami”.

Vendimi thekson po ashtu se nga minaret e të gjitha xhamive në territorin e Kosovës “do të lexohen tekbire dhe salavate nga ora 5:45 të ditës së diel, që përkon me hyrjen e kohës së Fitër Bajramit”.

Përpos xhamive, BIK ka theksuar në vendim se nuk do të organizohet as “pritje për nder të festës në selinë e BIK-ut, as në selitë e këshillave lokalë”.

Gjithashtu, në fund të vendimit u është bërë thirrje besimtarëve muslimanë që “me qëllim të ruajtjes së shëndetit, që në këtë rast është parësor, të mos ketë vizita te njëri-tjetri gjatë ditëve të Fitër Bajramit”.

Vendimi sipas BIK-ut është marrë bazuar në nenet e Kushtetutës së Bashkësisë Islame të Kosovës “me qëllim të ruajtjes së shëndetit të qytetarëve në kohë pandemie, respektuar rekomandimet e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK).

Në Kosovë deri më tani me COVID-19 janë infektuar 1.004 persona, nga të cilët 772 janë shëruar dhe 29 kanë vdekur./AA

OPINIONE

INTERVISTA