Presidenti Steinmeier: Gjermania nuk do t’i tolerojë sulmet ndaj myslimanëve

Presidenti i Gjermanisë, Frank-Walter Steinmeier ka publikuar në gjuhët turqisht, anglisht dhe arabisht një mesazh me rastin e Fitër Bajramit.

Ky Bajram ka mbetur në dritëhijen e pandemisë së llojit të ri të koronavirusit (Covid-19), e fillon mesazhin e tij presidenti gjerman dhe në vijim shkruan:

“Ju uroj të gjithëve gëzuar Fitër Bajramin (Bajramin e Ramazanit). Uroj për ju dhe të gjithë ne që vitin e ardhshëm bajramin ta festojmë së bashku. Këtë vit nuk mund ta festojmë bashkërisht bajramin, ashtu siç jemi mësuar. Por ne jemi të lidhur me njëri-tjetrin me një qetësi të brendshme dhe me një besim që na jep ngushëlli dhe forcë”, cilëson Frank-Walter Steinmeier.

Pasi thotë se liria fetare është e garantuar me kushtetutë, presidenti Steinmeier bën këtë vlerësim në mesazhin e tij:

“Por megjithëkëtë për të shpëtuar jetët e njerëzve ishte e domosdoshme vendosja e kufizimeve të përkohshme ndaj takimeve të njerëzve duke u mbledhur në objektet e kultit. Ju shpreh mirënjohjen time të gjithëve ju që i respektuat këto rregulla të forta dhe që kontribuuat në arritjen e sukseseve të para në luftën tonë me koronavirusin. Ju shpreh falënderimet e mia për mirëkuptimin, vetëdijen e përgjegjësisë dhe sjelljen tuaj të matur”.

Në mesazhin e tij publikuar me rastin e festës së Fitër Bajramit presidenti Steinmeier ndalet edhe në sulmet raciste në Gjermani, ku ai thotë se Bajrami i Ramazanit këtë vit mbeti nën hijen e sulmit të fundit terrorist racist në Hanau.

“Ishte një sulm ndaj bashkëjetesës sonë paqësore dhe mbi të gjitha ndaj vlerave që ne ndajmë në këtë vend. Ishte një sulm kundër respektit për dinjitetin njerëzor, tolerancën dhe diversitetin, si dhe lirinë e besimit. Më lejoni t’ju siguroj se si President i Gjermanisë, si shoqëri, ne po punojmë për t’u bërë ballë në mënyrë të vendosur provokimeve raciste të të gjitha llojeve. Nuk duhet të tolerojmë urrejtjen dhe margjinalizimin, sulmet e dhunshme ndaj myslimanëve dhe xhamive, ne nuk duhet t’i lejojmë gjëra të tilla. Kjo është detyrë e gjithsecilit prej nesh”, shprehet Steinmeier në vijim të mesazhit të tij ku tërheq vëmendjen se në sulmin që ndodhi ne Hanau, në mesin e viktimave të autorit të verbuar nga ndjenja e urrejtjes raciste, kishte shumë myslimanë./trt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne