Kosovë, ekspozohen fotografi të periudhës së luftës në Bosnjë e Hercegovinë

Prishtinë

Festivali Ndërkombëtar i Fotografisë – FOTOIST tash e disa ditë po pret mjeshtër të fotografisë nga mbarë bota në Prishtinë, raporton Anadolu.

Në edicionin e parë të këtij festivali në Prishtinë, vëmendjen e qytetarëve e ka marrë ekspozita me titull “Siege of Sarajevo” (Rrethimi i Sarajevës) nga fotografi Paul Lowe, e vendosur në sheshin “Zahir Pajaziti” në kryeqytetin kosovar.

Fotografi të ndryshme të vuajtjeve njerëzore në ekspozitën “Rrethimi i Sarajevës” janë dëshmi të përditshmërisë së tmerrshme të qytetarëve të kryeqytetit boshnjak, Sarajevës, gjatë luftës katër vjeçare.

Në hapjen e këtij festivali ka marrë pjesë edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili tha se ekspozita “Rrethimi i Sarajevës”, e shfaq edhe fotografinë e cila “paraqet tmerrin e gjenocidit në Bosnjë e Hercegovinë, të rrethimit makabër të Sarajevës, e që jo shumë vite më pas u përsërit edhe në Kosovën tonë të dashur, me ç’rast dhjetëra mijëra ishin viktimat pa dallim”.

Në kuadër të këtij festivali po marrin pjesë mbi 25 artistë në mesin e të cilëve fotografët vendas Jeton Karahoda e Ferdi Limani, por edhe artistë të famshëm si P.J. Harvey, Seamus Murphy, Paul Lowe, Alexandra Boulat.

FOTOIST këtë edicion në Prishtinë hapi shtatë ekspozita të mëdha të cilat kanë në qendër njerëzit, por përveç kësaj në kuadër të këtij festivali u zhvilluan edhe aktivitete të tjera si ligjërata, shfaqje të filmave dhe diskutime./AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne