Kosovë, EULEX-i arreston kryetarin e organizatës së veteranëve të luftës, Hysni Gucatin

Pjesëtarë të misionit ndërkombëtar të drejtësisë EULEX, kanë bastisur sot në mesditë zyrën qendrore të Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL e UÇK-së), me ç’rast kanë arrestuar kreun e kësaj organizate, Hysni Gucati.

Lajmin lidhur me arrestimin e Gucatit e ka konfirmuar edhe avokati i OVL të UÇK-së, Tom Gashi nëpërmjet rrjeteve sociale.

“Tani u arrestua nga policia e EULEX-it kryetari i OVL të UÇK-së, Hysni Gucati dhe do të transferohet në Hagë”, ka shkruar Gashi.

Ndërkohë që Misioni ndërkombëtar për drejtësi EULEX po vazhdon ende bastisjet në zyrën qendrore të kësaj organizate në Prishtinë.

Më herët, sekretari i OVL të UÇK-së, Faton Klinaku në një deklarim për media tha se bastisja po ndodh pa asnjë paralajmërim nga ana e autoritetit ndërkombëtar të drejtësisë.

“Isha në zyre, këta zotërinj nuk prezantuan letër për bastisje. Nëse shteti jonë nuk merr masa ndaj këtyre kriminelëve do të na duhet të luftojmë sikurse me Jugosllavinë”, tha Klinaku.

Klinaku tha se i tërë korridori ishte mbushur me policë të EULEX-it ndërsa është kontrolluar çdo hapësirë e zyrës së kësaj organizate.

“Janë duke e kontrolluar të gjithë objektin. Për, Gjykatën Speciale ne nuk japim përgjegjësi sepse këta vetë janë duke i bërë këto skandale”, tha Klinaku.

OVL e UÇK-së ka thënë dy herë gjatë muajit shtator se ka pranuar material (dosje) që kanë të bëjnë me Gjykatën Speciale për krime lufte në Kosovë, gjykatë të cilën kjo organizatë nuk e njeh. Por, përfaqësues të saj kanë thënë se nuk kanë arritur t’i identifikojnë personat që i kanë dorëzuar këto dokumente.

“Sot, rreth orës 15:30 kanë sjellë dokumente dhe kanë ikur me shpejtësi të madhe. Nuk kemi arritur t’i identifikojmë”, tha kryetari i kësaj organizate, Hysni Gucati, në një konferencë për media më 16 shtator, duke u bërë thirrje organeve të hetuesisë në Kosovë që të merren me këtë rast dhe t’i identifikojnë personat në fjalë.

Kjo bastisje nga EULEX-i vjen një ditë pasi Zyra e Prokurorit të Specializuar apo Gjykata Speciale zhvilloi arrestimin e parë të Salih Mustafës, i akuzuar për krime lufte. EULEX-i ka mandat që t’u ndihmojë Dhomave të Specializuara dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar me mbështetje logjistike dhe operacionale në pajtueshmëri me legjislacionin e Kosovës./AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne