Kosovë, Kurti priti një delegacion të përfaqësuesve politikë të shqiptarëve dhe të boshnjakëve në Serbi

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ​së bashku me Këshilltaren Politike të tij, Ardita Sinani pritën në takim Kryetarin e Partisë Aksioni Demokratik në Shanxhak (SDA), Dr. Sulejman Ugljanin, deputetin shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi, përfaqësuesit politikë boshnjakë në Serbi, Esad Salihovic, Selma Kucevic, Ado Kameniscanin, dhe Kryetarin e Këshillit Kombëtar Shqiptar në Serbi, Nevzad Lutfiu.

Siç njofton Zyra e Kryeministrit, në takim u diskutua për “brengat dhe shkeljet të cilat në mënyrë të vazhdueshme i përjetojnë si pakica shqiptare e po ashtu edhe ajo boshnjake në Serbi” dhe për mundësitë që të ndërmerret diçka bashkërisht për të përmirësuar këtë gjendje.

Përfaqësuesit e boshnjakëve në Serbi thanë se as ata nuk janë të kënaqur me trajtimin që u bëhet atyre.

“Parimi i reciprocitetit dhe i simetrisë së të drejtave të pakicave kombëtare në Ballkan Perëndimor, është formula e duhur për arritjen e një paqe të qëndrueshme e afatgjate në rajon”, u tha në takim, sipas komunikatës.

Ndër të tjerash, kryeministri Kurti i njoftoi ata për takimet bilaterale dhe trilaterale që u zhvilluan me 14 shtator në Bruksel në kuadër të procesit të normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Tema të tjera të diskutimit ishin edhe mandatet e garantuara, përfaqësimi i garantuar institucional, pasivizimi i adresave të vendbanimeve në Luginën e Preshevës, shkelja e të drejtave të pakicave dhe vështirësitë në përdorimin e gjuhës dhe simboleve.​/AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne