Kuvendi i Kosovës ka miratuar projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e për Skemat pensionale të financuara nga shteti, nga i cili pritet që të përfitojnë rreth 70 mijë pensionistë të cilët ishin suspenduar nga puna gjatë viteve 90 nga regjimi serb, raporton Anadolu.
Për shkak se kjo kategori e pensionistëve nuk kanë arritur t’i kenë 15 vjet të plota të stazhit të punës, deri më tani nuk kanë marrë pension kontributiv, por vetëm atë bazik.
Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, tha se ka qenë kërkesë e kamotshme e qytetarëve që kanë dhënë kontributin e tyre në Fondin Pensional, por që, për shkak të mosrespektimi të obligimeve dhe përjashtimit të dhunshëm nga puna, një pjesë e madhe e tyre nuk kanë arritur që ta plotësojnë kushtin e stazhit prej 15 vjet punë në mënyrë që të përfitojnë pension kontributiv nga shteti.
Murati tha se ky ndryshim/plotësim i ligjit ka qenë edhe premtim elektoral i Qeverisë, por edhe kërkesë e deputetëve dhe më në fund është sjellë në Kuvend.
Ai tha se ky projektligj merr parasysh periudhën që prej kohës së largimit apo vendosjes së masave të dhunshme dhe largimit të dhunshëm nga puna e deri më datën 1 janar të vitit 1999, e cila periudhë për këdo që është larguar nga puna njihet si stazh për hir të përllogaritjes së plotësimit të kushtit prej 15 vitesh.
“Nuk ka qenë e lehtë jo për nga vëllimi si ligj apo si tekst, por nga impakti financiar që ka ky projektligj për vit. Pra impakti financiar vjetor buxhetor parashihet të jetë diku rreth 60 milionë euro. Pritet të përfitojnë rreth 70 mijë pensionistë të cilët pritet të kalojnë nga skema aktuale bazike në skemën kontributive parciale”, theksoi Murati.
Tutje, ministri Murati tha se kostoja për tërë jetëgjatësinë e ligjit apo për rreth 50 vite parashihet të jetë 1,3 miliard euro.
Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami, tha se diskriminimi i kësaj kategorie të pensionistëve është bërë nga ana e Serbisë.
Ajo tha se Fondi Pensional, apo kontributet e qytetarëve janë vjedhur nga Serbia, ndërsa Qeveritë e pasluftës në pamundësi të paguajnë pensionet nga Fondi Pensional, është dashur të ndajnë mjete buxhetore.
“E dimë të gjithë, diskriminimi është krijuar në këtë masë sepse nga buxheti, nga taksat tona, janë paguar ata që kanë pasur 15 vite përvojë pune mirëpo kanë ngelur pa u paguar pjesa tjetër dhe kështu është krijuar diskriminimi. Përndryshe, vjedhja ka ndodhur nga Serbia dhe ne duhet ta kemi parasysh që institucionet duhet të angazhohen që ato mjete bashkë me të gjitha dëmet e tjera nga Serbia, të kthehen”, theksoi Bajrami.
Projektligji u miratua me 76 vota pro të deputetëve, asnjë kundër dhe asnjë abstenim./AA