Kosovë, përfundon takimi pa marrëveshje finale midis LVV-së dhe LDK-së

Krerët e dy partive politike, ai i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) dhe ai i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), në takimin e tyre të tretë pas certifikimit të rezultatit të zgjedhjeve të 6 tetorit nuk kanë arritur ta përmbyllin procesin e bisedimeve ndërmjet tyre me një marrëveshje për koalicion qeverisës.

Nga një takim që ka zgjatur rreth dy orë në hapësirat e Kuvendit të Kosovës, dy krerët e partive pas takimit deklaruan se do të vazhdojnë tutje me bisedime e përafrime.

Kreu i LVV-së, Albin Kurti, tha se ka avancim në këto bisedime, mirëpo ende jo marrëveshje përfundimtare.

“Në negociatat tona avancim ka, mirëpo marrëveshje nuk kemi ende për shkak se qartazi kemi gjëra për të cilat nuk jemi marrë vesh. Atëherë kur do ta kemi marrëveshjen e plotë do të mund ta shpalosim atë gjerë e gjatë”, tha Kurti.

Kurti tha se do të vazhdojë të kontaktojë drejtpërdrejtë me kreun e LDK-së për ta përcaktuar “takimin e radhës sa i përket ditës dhe orës” që të vazhdojnë më tej drejt marrëveshjes.

Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, pas takimit tha se patën një bisedë mjaft përmbajtësore, sepse siç tha ai, “pa biseda të tilla është vështirë që të arrihet një bashkëpunim i ardhshëm i qëndrueshëm katër vjeçar”.

“Ne kemi pasur pajtueshmëri sa i përket programit qeverisës dhe çështjeve që janë harmonizuar deri më tani ndërmjet grupeve tona punuese. Kemi edhe çështje tjera të cilat i kemi biseduar sot me Kurtin për të cilat do të punojmë të arrijmë një përafrim ose qëndrime të përbashkëta, të cilat pastaj mund t’i ndihmojnë bërjes së koalicionit. Sot nuk ka marrëveshje për koalicion, ka marrëveshje që të vazhdojmë edhe më tutje”, tha Mustafa, duke shtuar se do të punojnë dhe do të hulumtojnë tutje për t’i përafruar qëndrimet.

Ky është takimi i tretë ndërmjet dy krerëve të partive pas certifikimit të zgjedhjeve parlamentare të 6 tetorit. Në Kuvendin e Kosovës, që përbëhet nga 120 deputetë, LVV në zgjedhjet e 6 tetorit ka arritur t’i marrë 29 deputetë, ndërsa LDK 28. Për të formuar koalicionin qeverisës nevojiten 61 deputetë.

Kurti ka marrë besimin edhe të pesë deputetëve të tjerë nga radhët e komuniteteve pakicë në vend, të cilët janë zotuar se do të votojnë pro formimit të qeverisë së re LVV-LDK, i cili parashikohet të formohet me 62 deputetë./AS

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne